Do t’i quajmë kontraksione dhe jo dhimbje, për t`ju dhënë idenë e mirë që këto nuk përjetohen vetëm me dhimbje. Kontraksionet mund të fillojnë si një forcim i barkut, i shoqëruar me ndjenjë rëndimi në fund të tij, apo edhe me shtrëngime të mesit. Ato perceptohen mjaft të durueshme nga gruaja dhe kanë karakteristikë që mbarojnë për disa sekonda dhe ripërsëriten çdo 20 apo 30 minuta. Ju mund ta matni vetë kohëzgjatjen e tyre dhe sa është intervali ndërmjet tyre. Në këto momente partneri apo një njeri i afërt i familjes mund t‘ju japë një ndihmë të mrekullueshme duke ju fërkuar mesin, nëse kjo gjë ju lehtëson.
Mënyra e frymëmarrjes gjithashtu mund t‘ju ndihmojë mjaft. Në fillim të kontraksionit filloni të merrni frymë thellë, rrallë, duke marrë frymë me gojë dhe duke e nxjerrë po me gojë, ose të njëjtën gjë mund ta bëni me hundë, ka të njëjtin efekt. Kjo lloj frymëmarrjeje ndihmon në kalimin më të lehtë të kontraksionit, sepse e kalon dominancën e trurit në tjetër qendër, dhe në të njëjtën kohë i jep më shumë oksigjen bebit, i cili në momentin e kontraksionit ka më shumë nevojë për të se në çdo moment tjeter.
Me kalimin e kohës kontraksionet afrohen me njëra tjetrën, zgjasin më shumë deri në 60 sekonda (maksimumi), muskujt e barkut forcohen më shumë, dhe perceptohen më të dhimbshme nga gruaja. Këto kontraksione bëjnë të mundur hapjen e qafës së mitrës, gjë që ndodh shumë gradualisht (norma është 1cm hapje në orë) dhe janë të pavullnetshme.
Sado mirë të jeni përgatitur për lindjen, ndjenja se trupi juaj është përfshirë në një proces që ju nuk e kontrolloni dot vetë, mund t`ju bëjë të ndjeni frikë dhe pasiguri. Ky është moment kur prania e partnerit ju ndihmon mjaft dhe ju bën të ndiheni më mirë. Edhe frymëmarrja e bërë në mënyrën si u përshkrua me sipër, ju ndihmon në kalimin më lehtë të kontraksionit dhe sidomos nëse edhe partneri bën të njëjtën frymëmarrje me ju.