Me siguri që vogëlushja juaj është shumë e aftë t’ju tregojë kur diçka e bën të lumtur apo të trishtuar. Fytyra e saj ndriçohet me buzëqeshje të madhe kur vjen në shtëpi, ose ngashëren pa kontroll kur nuk gjen mbulesën e dashur.
Mirëpo ju ende vrisni mendjen se a është apo jo e lumtur. Këto shenja zakonisht janë të qarta: një fëmijë i gëzuar buzëqesh, luan, shfaq kureshtje, tregon interes ndaj fëmijëve të tjerë dhe nuk ka nevojë për stimulim të vazhdueshëm.
Hallowell thotë se shenjat e një fëmijë të palumtur janë po ashtu të qarta: “fëmija është i tërhequr në vetvete, i qetë, nuk ka shumë, nuk angazhohet në mënyrë spontane me fëmijët e tjerë, nuk luan, nuk bën pyetje, nuk qesh apo buzëqesh dhe ka fjalor të varfër." Nëse keni fëmijë të turpshëm apo introvers nga natyra që nuk qesh apo nuk komunikon shumë, kjo nuk do të thotë se është i palumtur. Turpi nuk është i njëjtë me trishtimin, mirëpo të duhet të punosh më shumë për të lexuar shenjat e tij. Hallowell thotë që të kemi sytë hapur për çdo ndryshim të madh në sjelljen e tij — nëse bëhen më të izoluar apo të trembur — kjo mund të nënkuptojë se ka probleme për të cilat duhet të kushtoni vëmendje.
Paul C. Holinger, profesor i psikiatrisë në Rush-Presbyterian-St. Luke's Medical Center në Çikago, ka identifikuar nëntë “sinjale” të lindura me të cilat foshnjet komunikojnë ndjenjat e tyre. Mund t’i dalloni këto sinjale edhe tek vogëlushi. Dy nga sinjalet,"interes" dhe "kënaqësi" janë ndjenja pozitive, ndërsa sinjalet negative, sidomos "shqetësim", "zemërim" dhe "frikë" tregojnë për një fëmijë të palumtur.
Shumë prindër e kuptojnë se një fëmijë i frikësuar, që shqetësohet lehtë nuk është i lumtur, mirëpo Holinger gjen se shumë prindër nuk e kuptojnë që një fëmijë i zemëruar zakonisht shpreh trishtim. Pavarësisht moshës "zemërimi është shqetësim i skajshëm" thotë Holinger.
Kur fëmija juaj godet vëllain ose i gjuan lodrat, do të thotë se është i shqetësuar përtej aftësisë së tij për ta përballuar. Vogëlushi juaj me siguri ka mënyrat e tij për të treguar se po kalon nëpër një kohë të vështirë.
Disa fëmijë mbyllen në vetvete, disa ulërasin, disa bëhen të ngjitur. Sa më shumë ta njihni temperamentin e fëmijës tuaj, do ta dini më mirë se diçka nuk shkon si duhet në botën e tij.