Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Gjuha e fëmijëve binjakë

A është e vërtetë që binjakët fillojnë të flasin më vonë?

Në shumicën e rasteve po. Hulumtimet kanë treguar që shumica e binjakëve flasin më vonë në dallim prej moshatarëve të tyre që nuk janë binjakë, sidomos nëse kanë lindur parakohe apo kanë patur peshën e vogël në lindje. Përveç kësaj, zakonisht prindërit e binjakëve kanë më pak kohë për t`i kushtuar secilit veç e veç.

Në përgjithësi, iu flasin më pak se sa të kishin një fëmijë, prandaj edhe kjo mund të jetë një arsye që flasin më vonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që është tek të gjitha foshnjet binjake.

A janë më të dobët në aftësitë e të folurit nga moshatarët e tyre?

Të folurit e binjakëve zakonisht është më pak i kuptueshëm dhe më pak i rrjedhshëm. Binjakët ndonjëherë mund të mbesin më mbrapa në zhvillim të të folurit nga moshatarët e tyre gjer në dy vjeç, edhe pse intelektualisht janë në nivel të njejtë. Ashtu disa binjakë 5 vjeçarë mund të flasin sikur të ishin 3 vjeçarë, ndërsa 8 vjeçarët formulojnë fjalitë sikurse 6 vjeçarët.

Këto dallime zhduken rreth moshës 10 vjeçare.

Shkencëtarët pohojnë që arsyeja kryesore është se prindërit nuk zhvillojnë dialog me të dy fëmijët veç e veç, por iu drejtohen të dyve në përgjithësi. Përveç kësaj, binjakët shpesh garojnë mes vete për vëmendjen e të rriturve, dëshirojnë të flasin sa më shumë, për këtë edhe flasin shpejtë dhe pakuptim.

Pse binjakët e zhvillojnë gjuhën e tyre?

Rreth 40 % e binjakëve në moshën 2 vjeçare, në periudhën kur zakonisht fëmijtë fillojnë të flasin, e zhvillojnë gjuhën e tyre të cilën vetëm ata e kuptojnë. Në shkencë, ky fenomen njihet si “gjuha e binjakëve” ndërsa quhet idioglosi, kriptofaza, apo e folura autonome. Binjakët i thonë fjalët në mënyrë jo të drejtë, madje edhe i shpikin disa përderisa binjakët në mes vete kuptohen për mrekulli.

Kjo më vonë, është shpesh arsyeja e aftësisë së dobët të të folurit, edhe pse ata pa problem i kuptojnë të tjerët kur flasin. Binjakët vetvetiu ndalojnë së foluri gjuhën e tyre rreth moshës 3 vjeç. Nëse vazhdojnë edhe më tej të kuptohen në këtë mënyrë, dhe izolohen nga rrethi, atëherë duhet të këshilloheni me logopedin.

Përse njëri nga binjakët hesht, përderisa tjetri flet shumë?

Një nga fenomenet specifike të të folurit të binjakëve është edhe rasti kur njëri është më i shkathët nga tjetri në të folur. Zakonisht ai është personi më dominant, për këtë edhe i jep vetes rolin e ‘avokatit të drunjtë’ dhe përgjigjet në pyetjet për të dytë.

Binjakut tjetër kjo ndarje e roleve i përgjigjet shumë mirë, sepse e di që motra apo vëllau do thotë në emër të tij të gjitha ato që ky i mendon. Ky vogëlush i heshtur, në gjërat tjera mund të jetë më i shkathër, si psh. mund ta ketë motorikën më të zhvilluar.

Si të arrijë që të bëj binjakët të flasin në mënyrë të drejtë?

E rëndësishme është, që secilit binjak veç e veç ti kushtoni vëmendjen e duhur, me saktësisht disa herë në ditë të flisni me secilin veçmas. Mundësi për këtë keni shumë, sepse binjakët nuk i bëjnë të gjitha gjërat së bashku. Kështu nëna mund ti kushtojë kohë njërit derisa sa e ndërron, ndërsa babai ti kushtojë vëmendje tjetrit përderisa ia lan dhëmbët.

Tërë kohën flisni me ta në mënyrë të drejtë dhe prisni që t`ju përgjigjen në të njejtën mënyrë. Kur të luani të gjithë së bashku, apo derisa bëni diçka, mos iu drejtoni të dyve së bashku, si psh: “Çfarë keni bërë?” apo “Ma sillni katrorin”, por secilit veçmas.