Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kur foshnja e posalindur “prish” botën e tyre

Për shkak të përqëndrimit të tepruar të anëtarëve të familjes rreth të posalindurit, fëmija më i rritur mund të ndjehet i lënë pas dore.

Lindja e motrës apo vëllaut, për fëmijët më të rritur është gjithmonë një ngjarje specifike. Ardhja e foshnjes dhe nënës nga materniteti, paraqet një moment ndezës, në të cilin të gjithë dëshirojnë të jenë të dobishëm por nuk e dinë se si.

Për shkak të përqëndrimit të tepruar të anëtarëve të familjes rreth të posalindurit, fëmija më i rritur mund të ndjehet i lënë pas dore, duke menduar që ai është i panevojshëm, madje edhe që nuk është më i dashur. Për këtë ndjenjë, tek ai paraqitet xhelozia, e cila ndonjëherë mund të shëndrrohet në rivalitet të vërtetë gjatë gjithë periudhës së rritjes.

Xhelozia dhe rivaliteti shkaktojnë emocione të forta, nga të cilat fëmija nuk mund t`ia dalë mbanë lehtë. Në vend se ta pranojë motrën apo vëllanë dhe ta përkëdhelë, për shkak të konfuzitetit të ndjenjave që momentalisht ka, ai më parë do dojë ta lëndojë foshnjen.

Nëse diçka e tillë ndodh, prindërit nuk duhet të shfaqin zemërim ndaj tij, por duhet ti shpjegojnë që e kuptojnë zemërimin dhe xhelozinë e tij, dhe ai duhet të dijë që bebi e do atë, dhe poashtu edhe prindërit i duan që të dy njëlloj.

Që të shmangni paraqitjen e xhelozisë, prindërit që para lindjes së foshnjes duhet ti shpjegojnë fëmijës që së shpejti do bëhen edhe me një anëtarë të ri në familje, dhe që kjo nuk ndryshon asgjë në ndjenjat e tyre ndaj fëmijës. Nëse duhet që edhe krevati i tij të lirohet për të posalindurin, këtë duhet ta bëni me shumë kujdes. Nëse fëmija më i rritur krijon bindje që po largohet bukvalisht prej krevatit të tij, foshnjen do ta përjetojë si furacak.

Para fëmijës së rritur, në asnjë mënyrë nuk duhet të flisni për foshnjen me admirim të madh, sepse ai do ta përjetojë këtë gabimisht. Për shkak të xhelozisë ndaj të posalindurit, edhe ai/ajo do të dëshirojë të jetë foshnje dhe të ketë të njejtin tretman sikurse foshnja. Ky, i ashtuquajturi regres zhvillimor është plotësisht normal. Fëmija më i rritur, në këtë periudhë di të fillojë përsëri të urinojë në brekë si dhe gjërat tjera të cilat tashmë i kishte tejkaluar. Nëse diç e tillë ndodh, nuk duhet ta injoroni apo ta llastoni. Kur ta ketë kuptuar që asgjë nuk i ndalohet, ai do ndalojë vetvetiu të bëjë gjëra të tilla, sepse do kuptojë që nuk do ndjehet mirë kur bën nevojën në brekë. Më së miri është që, për gjërat që i bën që janë në pajtim me moshën e tij, të jetë i lavdëruar, ndërsa për ato të cilat janë të pazakonshme, thjesht, injorojeni.

Në mënyrë që fëmija më i rritur ta tejkalojë ndjenjën e keqe për shkak të rivalit më të ri, duhet ta përfshini në kujdesin rreth foshnjes. Duhet ti jepni detyra, siç është dhënia e ndonjë panoline gjatë ndërrimit. Ai do ndjehet përgjegjës, i rritur, diç sikurse prindi i tretë. Në këtë mënyrë, xhelozinë e tij do ta transformojë në gadishmërinë për bashkëpunim. Duhet ta dini që fëmija më i ri se pesë vjeç, është më xheloz se fëmija më i rritur, sepse mvaret më shumë nga prindi. Fëmija më i rritur ka jetën e vet edhe jashtë familjes, sidomos nëse shkon në shkollë. Por, kjo nuk dmth. që ai nuk ndjen xhelozi. Përkundrazi, edhe ai ka nevojë për kujdes dhe për ti bërë të ditur që është shumë i dashur.

Gjyshërit

Xhelozinë, në një masë të caktuar mund ta intensifikojnë të afërmit. Sidomos gjyshja dhe gjyshi, duke admiruar anëtarin e ri të familjes. Për këtë, duhet ti thuani të afërmive dhe shoqërisë që gjatë vizitës së tyre, duhet të bisedojnë edhe me fëmijën e rritur, ti dhurojnë ndonjë dhuratë të vogël, tek pastaj ti qasen foshnjes. Në të kundërtën, fëmija i rritur do të ndjehet i lënë pas dore.

Vajzat më xheloze

Që fëmija të ndjejë xhelozi, duhet të arrijë një shkallë të caktuar të pjekurisë, gjegjësisht perceptimet sociale. Tani për tani, dihet, sipas psikologëve, që shenjat e qarta të xhelozisë paraqiten që nga fëmija i moshës18 muajshe, nqs familja atëherë bëhet me anëtarë të ri. Nuk është e qartë saktësisht, se në cilën moshë përjeton rivalitet në motrën apo vëllanë, por sjellja tregon qartë që xhelozia është shumë e dukshme. Sa i përket marrëdhënies së xhelozisë dhe inteligjencës, është vërejtur që fëmijët më pak inteligjent, sipas rregullave janë më xhelozë. Përvojat nga relacionet mashkull – femër, kanë treguar që vajzat janë më xheloze se djemtë. Poashtu është vërejtur që në familjet me më shumë se dy fëmijë ka më pak xhelozi.