Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat dhe vajzat – dashuri që ngroh

Pesë vitet e para të fëmijëve janë më të rëndësishmet në jetën e tyre, sepse atëherë është ndikimi më i madh i prindërve

Tek vajzat, roli i nënës është i rëndësishëm në identifikimin me seksin e tyre dhe me rolin e gruas të cilin do e kenë. Marrëdhënia nënë me vajzë, është e veçantë dhe e ndryshme, e mbushur me dashuri, e formësuar me emocione dhe vlera të cilat nuk jemi në gjendje që t`i përshkruajmë. Kur të ketë kaluar kjo lidhje përmes fazave të ndryshme, ashtu edhe dashuria në të ka forma të ndryshme.

Zakonisht nënat janë shembulli i parë dhe më i madh gjatë fëmijërisë për vajzat, kur hyjnë tinëzisht në dollapin e nënës, veshin fustanet e nënës, bëjnë grimin, vendosin aksesorët dhe veshin këpucët e nënës me take të larta, duke qëndruar para pasqyrës.

Kjo sjellje zakonisht zgjat gjer në pubertet, kur zakonisht fillojnë konfliktet dhe zënkat e para, gjegjësisht kur vajzat flasin më pak, ndërsa nënat fillojnë me “bezdisjet” e tyre. Dhe kur të ketë kaluar kjo fazë, zakonisht rreth moshës 20 vjeçare, fillon faza e pajtimit, dashurisë së ngrohtë, përkrahjes dhe besimit të ndërsjellë.

Megjithatë, pa marrë parasysh përmes cilësdo fazë që kalon kjo marrëdhënie, krahas konfikteve të panumërta, lidhja në mes të nënës dhe vajzës, me kalimin e viteve bëhet më e fortë dhe më intenzive. Dhe ajo që e bën më të veçantë këtë dashuri, këtë lidhje të fortë në mes të nënës dhe vajzës, këtë admirim të ndërsjellë, janë pikërisht pajtimet dhe bashkimet.

Në kulturën tonë më shumë u kushtohet vëmendje marrëdhënieve nënë – bir dhe baba – vajzë, ndërsa mendojmë që marrëdhënia në mes të nënës dhe vajzës neglizhohet padrejtësisht për shkak se pikërisht ajo është burim i problemeve të mëdha apo kënaqësive të mëdha. Nëna është figura e parë e rëndësishme dhe përgjegjëse për pranim të vetvetes, të tjerëve, dhe të botës rreth nesh. Tek vajzat, roli i nënës është i rëndësishëm në identifikimin me seksin e tyre dhe formimin e rolit të gruas që do të pranojnë.

Gjatë edukimit, nëna me lëvdata vërteton sjelljet që dëshiron ti ketë vajza e saj, ndërsa me kritika eliminon ato të padëshirueshmet. Në këtë mënyrë, si dhe me shembullin e saj, ajo formon identitetin e vajzës së saj. Mesazhet që i dërgon në formë të lëvdatave apo kritikave janë shumë të rëndësishme gjatë tërë jetës së vajzës.

Në rrethinën tonë, lëvdatat janë më të pakta se sa kritikat fatkeqsisht, dhe për këtë tek fëmijët krijohet pasiguria dhe pasqyra e keqe për vetveten. Prandaj do të duhej që, nënat më shumë të lëvdojnë, si dhe ti pranojnë sjelljet që dallojnë nga të tyret, sepse në atë mënyrë do ti ndihmojnë vajzave të tyre të ndihen më të sigurta.

Nëna a duhet të sillet si mike, mbrojtëse, apo duhet të jetë autoritet?

Nënat me gjenerata të tëra kanë qenë autoritet në edukim, me faktin që baballarët nuk kanë kaluar shumë kohë me fëmijët duke qenë të zenë me sigurimin e egzistencës për familjen. Në kohët e sotme, ndërrohen rolet e grave dhe bashkëshortëve, pra të prindërve. Shpesh ndëgjojmë nga nënat e reja të thonë “unë me fëmijët e mi dëshiroj të jem shok, nuk dëshiroj ta kem distancën të cilën e kanë patur prindërit e mi”.

Natyrisht, është mirë që distanca të jetë sa më e vogël, respektivisht të egzistojë afërsia, por roli i autoritetit është shumë i rëndësishëm. Nëse nëna nuk është autoritet, vajza humb mbështjetjen, sigurinë. Kur gjendet në situatë të cilat nuk mund ta zgjidh vetëm, është mirë që nënën ta ketë personin i cili mund ti ofrojë ndihmën e vërtetë. Megjithatë, nëse ato janë në të njejtin nivel, kjo nuk ofron siguri që problemi do të mund të zgjidhet.

Shoqëria në mes të nënës dhe vajzës është iluzion, sidomos i nënës. Vajzat e dinë kë e kanë shoqe të ngushtë, atë të cilën e kanë zgjedhur vet dhe të cilës mund t`ia thonë “të gjitha”. Disa nëna, megjithatë, këtë vështirë mund ta pranojnë.

Në cilën periudhë të zhvillimit nëna ka ndikim më të madh në vajzën e saj?

Pesë vitet e para të fëmijëve, janë më të rëndësishmet në jetën e tyre, sepse atëherë është ndikimi më i madh i prindërve, në pasqyrën të cilën e formojnë fëmijët për vetveten, për të tjerët dhe botën. Në atë periudhë formohet vetbesimi, vet respektimi dhe shprehitë e punës. Atëherë krijohet vetëdija për rolin e gjinive, gjegjësisht grave, dhe për këtë arsye në këtë periudhë është i rëndësishëm ndikimi i nënës në vajzën e saj. Nënat janë shembull sipas të cilit vajzat vendosin se si do të jetojnë. Gratë shpesh nuk janë të vetëdijshme se, mënyra se si ato jetojnë, ndikon më shumë në sjelljen e vajzës tyre, se sa kërkesat apo dëshirat.

Për shembull, gratë të cilat kanë të kryer fakultetin dhe punojnë, krahas kësaj edhe punët tjera të shtëpisë, duke mos pasur kohë për vetveten, nuk do të mund të motivojnë vajzat e tyre që të kryejnë fakultetin. Në këto situata vajzat thonë “nuk dëshiroj të jem viktimë sikurse nëna ime”. Nënat vështirë e pranojnë këshillën që duke investuar në veten dhe jetën e tyre, japin shembullin më të mirë për vajzat e tyre.

Në shumicën e rasteve marrëdhënia në mes të nënës dhe vajzës bëhet komplekse në periudhën e pubertetit…Çfarë ndryshon në këtë periudhë tek ato?

Detyra e prindërve është që me anë të edukimit të pregatisin fëmijët për një jetë të pavarur dhe kur të vie koha ti lënë ata të lirë. Periudha e pubertetit është lajmërim i ikjes, respektivisht ndarjes psikologjike të vajzës, gjë që për shumicën e nënave është shumë e rëndë. Vajza atëherë ka nevojë të madhe që të jetë e pranuar nga moshatarët e saj, por e rëndësishme është edhe përkrahja nga familja.

Nëse ka një mospërputhje të madhe në mes të sistemit të vlerave të moshatarëve dhe prindërve, vajza do të jetë në konflikt të madh. Me sulmimin e sistemit të vlerave të nënës, ajo kërkon argumente nga ajo që ti mbajë, ndërsa nëse nëna nuk i ka, ajo pranon sistemin e vlerave të moshatarëve. Me fjalë të tjera, ajo kërkon kufizime, sepse ende nuk është në gjendje të kuptojë çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe. Dhe nëse nëna nuk vendos kufij të fortë, atëherë vajza merr përsipër përgjigjesinë e madhe për ti formuar vet ato, gjë që mund të lë pasoja të rëndësishme.

Hormonet tek vajzat, përveç në planin emocional, lëvizin edhe një sërë ndryshimesh fizike…Përse biseda në mes të nënës dhe vajzës në prag të pubertetit është e rën

Temat tabu dallojnë nga familja në familje, por tek shumica është seksi, ajo për të cilën adoleshentët më së shumti interesohen. Nëse nënat në atë periudhë nuk bisedojnë me vajzat e tyre, kjo do të krijojë një hapësirë që shpie në zvogëlim të afërsisë e cila dikur egzistonte.

Nënat shpesh nuk janë në gjendje të përballojnë turpin e tyre dhe refuzojnë bisedën me frazën “ende nuk është koha, do të përgjigjem kur të më pyes”. Ato nëna të cilat arrijnë të bisedojnë për të gjitha, por të cilat mbesin në nivel shëndetësorë dhe nuk i kalojnë kufijtë e intimitetit, do të fitojnë besimin e tyre, që është bazë për një marrëdhënie të mirë.

Cilat janë tiparet, kodekset, qëndrimet të cilat mund të njihen si “përshkrim” i nënës në personalitetin apo sjelljen e vajzës?

Më së shpeshti janë qëndrimet dhe besimet të cilat bazohen në rolin e gruas. Nëse vajza mendon që në asnjë mënyrë nuk duhet të sillet si nëna, apo duhet të jetë si ajo, kjo tek ajo krijon problem në fuksionim. Vajza duhet ta ketë lirinë e zgjedhjes dhe disa besime ti mbajë, e disa jo.

Psikologët shpesh thonë që nëna në vajzën e saj sheh dëshirat dhe fantazitë e saj…

Kjo ndodh sepse dëshirat dhe fantazitë formojnë pritjet të cilat i kanë nënat për vajzat e tyre. Secila nënë, natyrisht, ka dëshira dhe pritje për vajzën e saj, por nëse ato janë reale dhe të arritshme, do të ketë sukses që të motivojë vajzën e saj që të zhvillohet dhe të përparojë.

Nënat e kanë të vështirë për ta pranuar vajzën e tyre si person të rritur, respektivisht ta lënë të bëhet grua, e pavarur, e aftë të kujdeset për familjen e saj, shtëpinë

Ky problem është shumë i përhapur në kulturën tonë dhe shpesh shpie në terapi të grave të reja. Nënat nuk dëshirojnë ti lejojnë vajzat të ikin, sepse ikjen e përjetojnë si ndarje. Nëse marrëdhënia e nënës me vajzën është në formë simbioze, ajo ikjen e vajzës e përjeton si humbjen e kuptimit të jetës së saj dhe përdorë secilin lloj të manipulimit që ta mbajë. Nëse vajza ka arritur një shkallë të lartë të pavarësisë dhe dëshiron të ikë, atëherë ajo nënë ndërron rolin duke i dhënë mesazhin vajzës që ajo ka nevojë për ndihmën e saj. Në psikologji kjo quhet simbiozë inverze. Zgjidhja për këtë problem do të ishte ndërrimi i qëndrimit të nënës ndaj jetës së saj, investimi në vetvete dhe në marrëdhëniet e tjerëve.

Tradicionalisht, nënat tek ne, pas menopauzës nuk e shohin kuptimin e egzistencës, përveç përkujdesjes ndaj nipave dhe mbesave. Ky qëndrim është shkaktar i shpeshtë i depresionit të grave në këtë periudhë. Që ti shmangen kësaj gjendjeje gjatë tërë jetës, duhet ti zhvillojnë interesimet dhe besimet që janë të rëndësishme edhe jashtë rolit të nënës.

Këtë mënyrë të të menduarit e kanë gratë në civilizimin perëndimor, ku ato nuk mendojnë se jeta mbaron në momentin kur fëmijët lënë shtëpinë. Gratë pas 50-tave të cilat kanë jetë të gjërë shoqërore dhe interesime të ndryshme, kanë jetë kualitative dhe nuk janë barrë për vajzat e tyre, por janë një shembull i mirë për jetë.

Çfarë pasojash mund të kenë, nëse nëna me tolerancën dhe moskundërshtimin e saj dëmton identitetin e vajzës së saj?

Të gjithë prindërit ndonjëherë gabojnë dhe kjo nuk ka të bëjë me sasinë e dashurisë, por me qëndrimet dhe besimet rreth edukimit. Toleranca dhe moskundërshtimi i tepërt zakonisht shkon deri aty ku nuk vendosen kufizime për fëmijët, që është gabim, sepse shkakton krijimin e një fëmije të llastuar i cili nuk është i gatshëm për jetë të pavarur.

Nënat shpesh me brengosjen e tyre të tepruar, shkaktojnë dëm tek vajzat, sepse barazojnë brengën dhe dashurinë. Brenga nuk është dashuri, por mesazh që nëna frikësohet se mos vajza nuk do të ketë sukses me vështirësitë që mund të paraqiten. Dashuria që nuk është e ngarkuar me brengë është një nxitje. Nëse nëna beson që vajza e saj është e aftë për ti zgjidhur problemet atëherë edhe vajza do të ketë më shumë vetbesim.