Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Qumështi i nënës

Është i përshtatshëm nga pikëpamja ushqyese, sepse është specifik për njeriun. Në të gjithë botën njihen rreth 4000 lloje gjitarësh, të cilët kanë si veti të prodhojnë qumësht për të ushqyer të vegjlit e tyre. Secili nga këto lloje qumështi ka karakteristika të veçanta dhe pra të ndryshme (specifike), në varësi të llojit të gjitarit. Domethënë për çdo këlysh nevojitet qumështi i nënës së vet.

Realizon një zhvillim cilësor, domethënë një rritje harmonike dhe një zhvillim psikik e intelektual më të mirin të mundshëm. Studimet e Lucas kanë vërtetuar se në qumështin e nënës gjenden disa yndyrna të çmueshme (LC PUFA), të cilat i jepen fëmijës gjatë muajit të parë të jetës dhe që i sigurojnë atij një koefiçent inteligjence më të lartë se fëmijët e ushqyer me qumësht artificial në moshën 7-8 vjeç.

Mbron nga sëmundjet alergjike dhe degjenerative, duke vonuar shfaqjen e tyre tek fëmijët e prirur për arsye të trashëgimisë. Asnjë fëmijë nuk bëhet alergjik, prej qumështit të nënës së vet, gjë që nuk ndodh, nëqoftëse fëmija ushqehet me qumësht artificial. Megjithatë, nëna duhet të tregohet e kujdesshme ndaj disa ushqimeve, të cilat kalojnë në qumësht dhe kështu bëhen përgjegjëse për alergjitë, edhe pse fëmija është me gji. Të tilla ushqime janë veza, qumështi, peshku, arrat etj.

Të mbron nga infeksionet. Qumështi i nënës është i pajisur me një sistem mbrojtës, në sajë të:

Cilësive kundër inflamacionit. Normalisht, sa herë që kemi një infeksion, organizmi i njeriut I përgjigjet me një inflamacion, i cili po qe se është i theksuar, mund të bëhet edhe i rrezikshëm. Qumështi i nënës, falë disa lëndëve që përmban, e zbut atë.

Cilësive kundër infeksionit, të cilat sigurohen nga prania në qumështin e nënës të rruazave të bardha, trupëzave mbrojtës (IgA sekretore) lizosimat dhe laktoferrina. Në këtë mënyrë qumështi i nënës është në gjendje të mbrojë jo vetëm prej “armiqve” të jashtëm, por edhe atyre të brendshëm, të cilët nuk janë të pakët. Duhet të kujtojmë se qumështi i nënës nuk është steril, por agresiviteti i mikrobeve të përmbajtura në të, është “nën kontroll të rreptë”.

Cilësive të rritjes së imunitetit. Disa faktorë të pranishëm në qumështin e nënës (laktoferrina, nukleotidet, citokinat) ushtrojnë një veprim nxitës mbi sistemin imunitar, që i lejon fëmijës të mbrohet nga infeksione të ndryshme, pasi është ndërprerë ushqyerja me gji. Mund të duket shumë e çuditshme çfarë po themi, por kjo është vërtetuar tashmë nga studime shkencore shumë serioze. Për shembull qumështi i nënës e mbron fëmijën nga infeksionet e veshit përreth 3 vjet pas ndërprerjes së gjirit. Kjo është një ndihmë e çmuar po të llogarisim se sa i shpeshtë është ky infeksion. Një studim i kohëve të fundit (1998) i kryer nga Wilson, ka treguar se të vegjlit mund të mbrohen nga infeksionet e mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes përreth 7 vjet, nëse janë ushqyer për 15 javë rresht pa ndërprerje vetëm me gji. Por ky fakt i fundit është ende më i bukur! Mund të të mbrojë për 10 vjet ndaj infeksioneve të shkaktuara prej Hemophilus influenzae, ndërkaq që diskutohet e diskutohet në botën shkencore mbi dobinë apo jo të vaksinës kundër këtij mikrobi. Cilësitë imunomoduluese të qumështit të nënës janë përgjegjëse për shpeshtësinë më të pakët në moshë të rritur të sëmundjeve të rënda imunitare, inflamatore dhe tumorale.

Parandalon dhjamosjen në moshë të rritur. Në qumështin e nënës gjendet në sasi të konsiderueshme kolesteroli. Mendohet se kolesteroli është i nevojshëm për të kënaqur kërkesat e larta të trurit të fëmijës për këtë lëndë (truri përbëhet kryesisht prej yndyrnave). Nga ana tjetër, studimet e kohëve të fundit tregojnë se marrja me “shumicë” e kolesterolit nxit organizmin e njeriut që të mos rrezikohet në vitet vijuese nga marrja me tepricë e kësaj lënde; pra, e përgatit organizmin e të rriturit që të mos dëmtohet nga ushqimi me shumë yndyrna.

Ndihmon për rritjen në zorrë të mikrobeve të padëmshme për organizmin. Prania në zorrë e një mikrobi të quajtur bacterium bifidum është me vlerë shumë të madhe për organizmin e fëmijës.

Parandalon aneminë nga mungesa e hekurit në 6 muajt e pare të jetës. Hekuri është një nga mineralet më të nevojshëm për fëmijën në muajt e parë të jetës. Megjithëse në qumështin e nënës gjendet pak hekur, ai është i mjaftueshëm për të mbrojtur bebin nga rreziku i anemisë. Është njëlloj sikur të kishim ruajtur pak “monedha floriri” në një qyp. E shprehur me shifra, do të thotë: gjatë 3-mujorit të parë në qumështin e nënës përmbahet 0.5 mg hekur në 1 litër qumësht, kurse në 3-mujorin e dytë kjo sasi përgjysmohet. Ndryshimi me qumështin e lopës është se hekuri i përmbajtur në qumështin e nënës thithet më mirë; dmth hekuri i përmbajtur në qumështin e nënës thithet nga organizmi i bebit në masën 30-50%, kurse ai i qumështit të lopës, ose artificial në masën 10-20%. Ushqyerja me gji, jo vetëm që plotëson nevojat ushqimore që ka fëmija, por edhe përforcon zhvillimin e shqisave të tij si shijen, të prekurit, nuhatjen etj. Njëkohësisht është në gjendje të krijojë atë lidhje gati hyjnore që ekziston midis fëmijës dhe nënës. Fëmija “e njeh me erë nënën e vet” dhe në prani të saj ndihet i mbrojtur, i qetë dhe i lumtur. Një lidhje e tillë është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e përshtatshëm nga pikëpamja psikike, emocionale dhe e ndjenjave në të ardhmen. Eshtë ushqim i gatshëm në çdo kohë, në temperature të përshtatshme dhe falas.

Të mirat e ushqyerjes me gji për nënën. Sipas besimit popullor, ushqyerja me gji është përgjegjëse për shtimin në peshë të gruas pas lindjes. Kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se gjatë shtatzanisë, masa dhjamore shtohet 4 – 5 kg, por duke i dhënë gji bebit, ky dhjamë fillon të shkrihet. Dhënia e gjirit fëmijës dhe mbajtja e një regjimi ushqimor të përshtatshëm e ndihmon lehonën që gradualisht të arrijë në peshën që ka pasur para se të mbetej shtatzanë. Fëmija duke thithur gjirin, jo vetëm që shton sasinë e qumështit që prodhon nëna, por edhe përmirëson cilësinë e qumështit. Përmbajtja në qumështin e nënës të disa lëndëve të caktuara, nxit tkurrjet e mitrës, duke ndihmuar në këtë mënyrë në zvogëlimin e mitrës dhe uljen e barkut. Shpesh herë, nënat ankohen për dhimbje barku gjatë vendosjes në gji të fëmijës. Ato nuk duhet të brengosen për këto dhimbje, sepse janë tkurrje të dobishme të mitrës, pikërisht nga përmbajtja në gji e lëndëve që përmendëm më sipër.

/komuniteti