Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ushqyerja me qumështin e nënës? Këshillat nga mjekët e Spitalit Amerikan

Si formohet qumështi i nënës?

Gjatë shtatzënisë ndodhin ndryshime strukturore për prodhimin e qumështit në gjinjtë e nënës. Bashkë me lindjen, gjinjtë fillojnë të prodhojnë qumësht. Kur bebet thithin gjirin e nënës, stimuluesit e krijuar kalojnë me anë të nervave në trurin e nënës dhe në këtë mënyrë stimulohen hormonet që mundësojnë prodhimin e qumështit. Këto hormone kalojnë nëpërmjet gjakut te gjiri i nënës dhe luajnë rol në fillimin e prodhimit të qumështit dhe vazhdimësinë e tij.

 

A duhet ushqyer me gji bebja që sapo lind?

Sa më shpejt të fillojë dhënia e gjirit, aq më shpejt dhe me shumicë vjen qumështi i nënës. Për këtë arsye nënat, pas lindjes normale, duhet të fillojnë të japin gji që në shtratin e lindjes. Nënat që lindin me operacionin cezarian duhet të japin gji që pa u zgjuar plotësisht nga anastezia me ndihmën e dikujt tjetër.

 

Ushqyerja me qumështin e nënës? Këshillat nga mjekët e Spitalit Amerikan

“Nuk duhet të harroni që ushqimi më i mirë për beben tuaj është qumështi i nënës. Nuk ka dashuri si nëna. Nuk ka ushqim si qumështi i nënës.”

 

Ditët e para sasia e qumështit të nënës është e pakët. A është normale kjo?

Qumështi i gjirit ditët e para është i pakët. Për disa ditë prodhimi i qumështit arrin pikën maksimale dhe plotëson të gjithë nevojat e bebes, madje edhe të ujit. Bebet lindin me një rezervë energjie dhe uji që mjafton për 3-4 ditë. Për këtë arsye, bebes nuk i duhet dhënë ujë, ujë me sheqer, mama apo ushqime të ngjashme në ditët e para, meqë qumështi i nënës është i pakët.

Nëse fëmijës i jepen ushqime shtesë veç qumështit të nënës në orët dhe ditët e para, ai thithë më pak gjirin e nënës dhe prodhimi i qumështit ulet. është e gabuar të presësh prodhimin e qumështit të gjirit pa dhënë gji dhe gjatë kësaj kohe ta ushqesh beben me ushqime shtesë. Në mënyrë që qumështi i nënës të jetë i mjaftueshëm dhe për një kohë të gjatë, bebet pas lindjes nuk duhet të marrin asnjë ushqim tjetër përveç qumështit të nënës. Duhet këmbëngulur në dhënien e qumështit të gjirit. Sasia e qumështit rritet pas lindjes në ditën e 3 dhe të 4. Prandaj, jepini gji bebes tuaj pa u shqetësuar dhe me durim.

 

A është i rëndësishëm qumështi i nënës?

Pas lindjes qumështi vjen 3-4 ditët e para dhe që është i pakët, quhet “kulloshtra” ose në gjuhën shkencore “kolostrum”. Ky qumësht ka veti të ruaj beben tuaj nga shumë sëmundje të shkaktuara nga mikrobet e ndryshme që mund të prekin që sapo lind. Bebet duhet ta marrin patjetër këtë qumësht. Hedhja dhe mosdhënia e këtij qumështi, bazuar në bestytnitë e vjetra është një nga gabimet më të mëdha që i bëhet bebes.

 

Sa duhet të jetë koha midis dhënies së gjirit?

Bebet duhet ushqyer sa herë që qajnë dhe sa herë që kërkojnë të ushqehen. Nuk duhen ushqyer me orare fikse të përcaktuara rreptësisht. Nuk duhet të harroni që sa herë që fëmija thithë gjirin e nënës, aq më shumë prodhohen hormonet e qumështit dhe aq më shumë shtohet sasia e qumështit. Disa bebe duan të flenë më shumë se 3 orë. Në këtë rast ato duhen zgjuar dhe nuk duhet kaluar më shumë se 3 orë midis dy ushqyerjeve. Kjo vlen edhe për natën.

 

* Artikull i sponsorizuar nga Spitali Amerikan