Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kujdesi për kordonin umbilikal tek të posalindurit - Këshilla nga mjekët e Spitalit Amerikan

Kordoni duhet të bjerë vetë, nuk duhet tërhequr, edhe sikur të mbahet vetëm në një vend

Ardhja në jetë e fëmijës është një moment i mrekullueshëm. Dhe për ata që për herë të parë bëhen prindër, nga pas kanë një varg pyetjesh dhe misteresh se si duhet të kujdesen me krijesën e tyre të posaardhur në jetë! Kështu, ju mund të mos dini si të veproni me kordonin umbilikal, një pjesë e të cilit është akoma e lidhur me bebin tuaj.

 

Për çfarë shërben kordoni umbilikal?

Kordoni është i lidhur me placentën dhe shërben për të marrë lëndët ushqimore dhe oksigjenin, nga mami për tek bebi. Kur bebi lind, kordoni pritet rreth 1-1.5 cm larg lëkurës. Kjo nuk i dhemb bebit sepse kordoni nuk ka fije nervore. Pjesa e mbetur e kordonit do të bjerë gjatë 2 javëve të para të jetës. Cungu i kordonit kapet me një material plastik, i cili bie bashkë me të. Gjatë ditëve ai fillon të thahet, të ndryshojë ngjyrë, nga e verdhë, në kafe e në të zezë dhe bie pasi është tharë i tëri. Gjatë kësaj kohe ai duhet të trajtohet me kujdes.

 

Kordoni umbilikal

 

Si të kujdesem?

• Mbajeni të pastër. Nëse ai bëhet pis duhet larë me ujë dhe duhet tharë duke e mbështjellë me një peshqir, por jo ta fërkoni.

• Mbajeni të thatë. Pampersi paloset në mënyrë që të mos mbulojë kordonin dhe të mund të ajroset. Ajri është tharësi më i mirë. Në kohë të ngrohtë visheni me rroba të lirshme në mënyrë që të mund të qarkullojë ajri.

• Bebi juaj mund të lahet, por cungu i kordonit duhet tharë pas banjës.

 

Çfarë nuk duhet bërë?

• Kordoni duhet të bjerë vetë, nuk duhet tërhequr, edhe sikur të mbahet vetëm në një vend.

• Nuk duhet lyer me alkool, mund ta irritojë dhe mund të vonojë tharjen.

• Ne nuk mund ta dimë nëse do të kemi hernie umbilikale, prandaj nuk duhet vendosur monedhë për ta mbajtur “brenda”, ose rroba të ngushta.

 

Cilat janë shenjat e infeksionit?

• Baza e cungut është e enjtur dhe e verdhë.

• Vazhdon të gjakosë.

• Nxjerr lëng të verdhë.

• Nxjerr lëng me erë të keqe.

• Duket e dhimbshme për bebin tuaj.

Në këto raste ju duhet t'i drejtoheni pediatrit për të marrë trajtimin e duhur.

 

Çfarë është granuloma umbilikale?

Granuloma umbilikale është një nodul i vogël me ngjyrë rozë, nga kjo rrjedh herë pas here lëng me ngjyrë të verdhë. Kjo ndryshon nga infeksioni, sepse nuk shoqërohet me enjtje, skuqje, dhembje ose temperaturë. Kjo trajtohet me “djegie” me nitrat argjendi. Kjo nuk është e dhimbshme, sepse aty nuk ka mbaresa nervore. Në disa raste mund të nevojitet lidhja me fije kirurgjikale, në bazën e granulomës, gjë që do të shkaktojë tharjen dhe rënien e saj.

 

Spitali Amerikan

 

* Artikull i sponsorizuar nga Spitali Amerikan

/komuniteti