Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Pse bëhen testet e depistimit? Këshilla nga mjekët e Spitalit Amerikan.

Ka shumë sëmundje të lindura që mund të dëmtojnë shëndetin, trurin dhe inteligjencën e fëmijës. Nga këto ka disa sëmundje si Fenilketonuria, Hipotiroidizmi dhe mungesa e Biotidinazës etj, të cilat mund të diagnostikohen herët dhe nëse trajtimi fillon menjëherë, fëmijët kanë mundësinë të mjekohen dhe të jetojnë një jetë normale. Prandaj, pas lindjes, para se bebi të dalë nga spitali, i mirren disa pika gjaku nga shputa e këmbës. Kjo përsëritet kur bebi është 7-10 ditësh. 

Problemet e lindura koksofemorale

Shumica e atyre që çalojnë, e kanë patur këtë problem që nga lindja, por nuk janë trajtuar menjëherë. Prandaj në një nga vizitat e para fare të bebit tek mjeku ai duhet të vlerësojë fëmijën, përsa i përket daljes së lindur të kokës së femurit dhe duhet të kërkojë një grafi apo eko nëse nevojitet. Nëse diagnoza vendoset kur fëmija është më pak se 2 muajsh, të gjitha rastet e kokës së femurit të dislokuar janë të shërueshme. Kur diagnoza vihet në moshën 1 vjeç suksesi në trajtim ulet shumë, gjithashtu fëmija duhet të qëndrojë me muaj të tërë në allçi dhe mund të nevojitet edhe ndërhyrje kirurgjikale. 

Testi i dëgjimit pas lindjes

Menjëherë pas lindjes duhet bërë testi i dëgjimit të bebes. Është e rëndësishme që diagnoza të jetë e hershme për trajtim të suksesshëm nëse kemi të bëjmë me një fëmijë që ka probleme dëgjimi. 

Ekzaminime të tjera

Pas moshës 2 vjeç kryhet hemograma, maten hekuri në gjak, kapaciteti i lidhjes së hekurit, kolesteroli, trigliceridet e analiza e urinës, edhe sikur fëmija të mos ketë ankesa. Kjo bëhet për kontroll. Pas moshës 2 vjeç të gjithë fëmijëve iu duhet bërë patjetër kontrolli i shikimit dhe dëgjimit. Fëmijëve duhet t'u kontrollohen përsëri shikimi dhe dëgjimi para se të fillojnë shkollën. 

 

* Artikull i sponsorizuar nga Spitali Amerikan

/komuniteti