Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Intime

Efektet pozitive për jetën në çift

03.12.2014 - Shpesh duket e pabesueshme dhe e paarritshme krijimi i një lidhjeje e cila karakterizohet nga harmonia dhe dashuria mes partnerëve, aq sa kur e sheh tek të tjerët të duket diçka ireale, por që sipas studiuesve është krejt e kundërta.

1. Thuaji partneres ose partnerit “të dua”, të paktën një herë në ditë. Edhe pse mund të jetë i sigurt, personi që keni në krah ka nevojë t’u dëgjojë ta thoni këtë fjalë.

2. Përshëndetjen e mëngjesit apo të rikthimit pas punës në shtëpi shoqërojeni gjithmonë me puthje dhe nëse atë ditë po mendoni edhe për të kryer marrëdhënie seksuale shtojini edhe një përqafim.

3. Bëni “takime dashurie” me partnerin për gjithë jetën tuaj. Trajtojeni partnerin edhe më mirë nga sa e keni trajtuar kur jeni njohur në fillim. Mos harroni, jini të përzemërt, buzëqeshini partnerit sa herë që rikthehet në shtëpi, mbajini duart njëri-tjetrit gjatë një shëtitjeje që bëni të dy, etj.

4. Lërini pas defektet e tij. Nëse jeni të lidhur me një djalë apo vajzë që nuk është shumë e rregullt, atëherë keni dy alternativa t’i përsërisni ato që bëni dhe të mërziteni të dy, ose ta këshilloni butësisht që ai të mos i përsërisë më. Mos vini re faktin që lë veshjet e tij vend e pavend, që nuk pastron tryezën pas darke etj.

5. Përqendrohuni tek pozitivja. Në vend që të mendoni vetëm për një fjalë apo veprim të gabuar të tij, e cili u ka mërzitur shumë, mendoni pozitivisht, mendoni të gjitha gjërat e bukura që bën për ju, fjalët e ëmbla që u pëshpërit në vesh etj.

6. Mendohuni dy herë para se të flisni nëse jeni me nerva. Mos u përpiqni të flisni nëse jeni të mërzitur, thjesht heshtni ose qëndroni larg njëri-tjetrit. Dilni për pak çaste të merrni ajër dhe të qetësoheni, dhe kur të riktheheni sërish tek partneri do të shihni se mërzia ka mbetur pas dhe do të jeni gati të përkëdhelni dhe puthni njëri-tjetrin.

7. Mos përdorni sekretet e partnerit apo dobësitë e tij gjatë një zënke për të lënduar, apo edhe në një situatë të zakonshme. Ajo çfarë juve u duket e parëndësishme, idiote, mund të jetë diçka shumë serioze për partnerin tuaj. Merrni në konsideratë atë çfarë është e rëndësishme për njeriun e zemrës dhe mos e diskutoni atë me miqtë apo familjen tuaj. Një lidhje dashurore bazohet në besim dhe intimitet.

8. Mendoni së pari për partnerin tuaj. Nëse të dy e bëni këtë, atëherë të dy i keni dhënë një ndihmë të madhe lidhjes suaj. Thuaji “po” partnerit sa më shumë të jetë e mundur, plotësojini atij edhe dëshirat më të vogla dhe mos e pengoni të shijojë aktivitete apo të tjera gjëra që i kanë dhuruar kënaqësi para se të lidheshit. Do të shihni se do të merrni të njëjtën kundërpërgjigje.

9. Respektoni partnerin tuaj. Mos e përgojoni atë me asnjëri. Kur flisni për të dashurin tuaj përdorni gjithmonë fjalë që tregojnë dashuri dhe respekt në radhë të parë.

10. Gjeni një mënyrë për t’u bashkuar të dy çdo ditë. Zbuloni çfarë u përshtatet dhe ndihmon me të vërtetë marrëdhënien tuaj. Hani jashtë bashkë, takohuni për të pirë çajin e pasdites, shtrihuni në krevat për të përkëdhelur njëri-tjetrin, bëni një shëtitje etj. Mund t’i alternoni gjërat dhe të thyeni rutinën.

Mos harroni, sa më shumë të jepeni pas lidhjes suaj aq më e bukur bëhet ajo. Bëni dashurinë dhe romancën pjesë të ditës suaj.

 

Xhelozitë dhe zënkat

Çdo vajzë kur ka qenë adoleshente, ka parë sesi i dashuri moshatar apo pak vite më i madh, sigurisht që ishte shumë i lumtur që kishte në krahë një vajzë simpatike, të zgjuar, të ëmbël, që dukej shumë mirë me ato veshjet e thjeshta sa herë hynte në shkollë. Po ja që një ditë me siguri ka kaluar një nga to vajzat super-seksi të qytetit dhe ai nuk e ka pasur problem të kthente kokën dhe t’iu linte me minuta të tëra përballë atij spektakli të pakëndshëm.

Dhe këtu fillojnë xhelozitë dhe zënkat e para. Por vjen një kohë në jetën e çdo mashkulli kur ai zbulon dobinë që ka fshehja e një pjese të madhe të impulseve të tij. Ai nis gati të mësojë përmendësh ato kotësitë dhe justifikimet e vogla që femrat edhe pse i kuptojnë, kanë aq qejf t’i dëgjojnë. Dhe në fakt kjo për ta nuk është një gënjeshtër e pacipë, kjo është thjesht një mënyrë për t’i bërë gjërat më të lehta.

 

Intimiteti dhe marrëdhënia

Femrat mund të zgjedhin të abstenojnë dhe të mos kenë marrëdhënie seksuale për shkak të frikës nga një sëmundje e transmetueshme seksualisht, të shtatzënisë, besimit fetar, edukatës që kanë marrë që nga lindja, ose thjesht ngaqë nuk janë gati. Për më tepër, ato mund të zgjedhin abstenimin pasi janë të interesuara që të zhvillojnë pjesë të tjera të vetvetes, si aftësitë e tyre krijuese, intelektuale dhe atletike. Ato mund të shprehin intimitetin në mënyra të tjera jo intim, nëpërmjet marrëdhënieve shoqërore dhe familjare.

Femrat duhet të jenë të lira të bëjnë seks apo jo, siç e gjykojnë më mirë. Seksi zakonisht sjell shumë ndryshime në marrëdhënien dhe jetën e njeriut. Duke qenë se shpesh kjo përbën një vendim të madh, është e arsyeshme të mendohet më parë, të diskutohet me personin me të cilin je e lidhur. E gjithë kjo mund të ndikojë në jetën seksuale.

 

Erotika dhe kënaqësia

Gratë i përjetojnë kënaqësitë intime në shumë mënyra: fizike, emocionale, shpirtërore, si dhe në aspektin intelektual. Mund të ndiejnë kënaqësinë e një përkëdheljeje të butë, një kërcimi erotik ose një orgazme që të bën ujë në djersë. Tradicionalisht, përshkrimet e studiuesve meshkuj fokusohen në ndjesitë e organeve gjenitale dhe në fazat e eksitimit (epshndjelljeve). Por erotika dhe kënaqësia janë shumë më tepër se kaq.

Tingujt, pamjet, aromat dhe prekjet mund të ndezin ndjenjat intime, po ashtu si fantazitë. Erotika mund të bëhet një burim pozitiv energjie. Erotika nuk është vetëm ajo që ndodh në dhomën e gjumit, por është dhe trokitja në ndjenjat më të thella, në energjitë krijuese, të cilat depërtojnë në të gjitha aspektet e jetës sonë. Duke ndarë përjetimet e tyre të kënaqësive, duke ditur edhe kufizimet me të cilat përballen, mund të shkohet drejt një mirëkuptimi më të madh dhe përmbushjes së erotikës së grave.

Burimi: gazetaexpress

/komuniteti