Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kureshtja e fëmijëve tek të rriturit – Ndëgjoni fëmijët tuaj

Edhe pse pyetjet që ju ‘bombardojnë’ çdo ditë nga fëmijët tuaj, mund të ju duken qesharake dhe jologjike, mos i injoroni, por përpiquni që në secilën prej tyre të përgjigjeni.

Kureshtja e fëmijëve nuk ka kufij, përderisa personat e rritur, fatkeqsisht, e mbyllin në vetvete atë dëshirën natyrore për dije të reja.

Është dëm i madh, pohojnë psikologët, sepse kureshtja dhe aftësia e hulumtimit të kënaqësisë në gjërat e vogla, krijon kreativitet dhe mbron shëndetin mental.

Për këtë arsye ja disa udhëzime për ju:

* Bëhuni kureshtar. Zgjoni në vetvete atë ndjenjën emocionuese të habisë dhe mahnisë të cilën e keni patur si fëmijë. Shtroni vetvetes pyetje për gjithçka dhe mendoni për të gjitha përgjigjet e mundshme. Do të habiteni se sa raste të reja do të keni në jetë dhe në punë duke falenderuar kureshtjen e rizgjuar.

* Lozni më shumë. Fëmijët rriten shpejt, për këtë shfrytëzoni secilën mundësi që të hyni në botën e tyre të imagjinatës, spontanitetit dhe të qeshurës. Lozni dhe argëtohuni, largoni tutje rutinën.

* Zhvilloni shpirtin garues në ju. Hidhni të gjitha dyshimet nga vetja, mendimet kritike dhe destruktive në lidhje me mossuksesin. Bëhuni fëmija i cili mundet gjithçka. Ai më së shpeshti ka të drejtë.

* Qeshni më shumë. Fëmijëve gjithçka u duket qesharake dhe shpesh qeshin pa kurfarë arsye, vetëm sepse kënaqen së qeshuri. Qeshuni edhe ju me ta.

* Le të ju bëhet rekreacioni argëtim, dhe jo edhe një obligim. Në fjalorin e fëmijëve, fjala “fitnes” nuk egziston. Vrapimi, kërcimi, ngjitja dhe hedhja janë disa nga format e panumërta të argëtimit të tyre. Kënaquni edhe ju me ta!

* Zhvilloni sensin tuaj të humorit sepse ai mund të ju shpëtojë nga shumë situata të pakëndshme. Fëmijët e dinë këtë shumë mirë dhe shpesh edhe e bëjnë, pse jo edhe ju?

* Bëhuni më të hapur. Fëmijët shpesh e thonë gjënë e parë që iu bie ndër mend, pa marrë parasysh pasojat. Edhe për të rriturit do të ishte e mirëseardhur kjo gjë.

* Mos lakmoni të tjerët. Shokët e vërtetë nuk njihen vetëm në telashe, por dinë ta ndajnë në mes vete edhe gëzimin, siç e bëjnë fëmijët me shoqërinë e tyre.