Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Familja me anëtar të ri

Një mesazh i veçantë për nënat

Një nga arsyet që muaji i pare është shumë i vështirë, është se ju akoma nuk e keni marrë veten nga stresi i shtatzanisë e i lindjes. Mund të duhen javë para se trupi juaj të normalizohet (sidomos mbas epiziotomisë – prerjes dhe qepjes vaginale, apo operacionit).

Gjithashtu mund të keni dhe ndryshime të humorit, si rezultat I ndryshimeve hormonale që ndodhin në trupin tuaj. Mund të keni shpërthime të qari pa ndonjë arsye të veçantë, ose depresion të lehtë në javët e para. Këto emocione mund të shtohen nga lodhja që vjen nga pagjumësia.

Nëse ju provoni të ashtuquajturën ‘’paslindjen blu’’ ose depresionin e paslindjes, mund të ndjeheni jo normale, të turpëroheni apo të mendoni se jeni nënë e keqe. Kujtohuni që kjo është normale mbas lindjes.

Edhe baballarët nganjëherë ndjehen të mërzitur dhe të çuditshëm mbas ardhjes së një bebi të ri në shtëpi.

Për të ruajtur veten nga dominimi i simptomave blu në jetën tuaj dhe mbi gëzimin e bebit, shmangni vetizolimin në javët e para. Mundohuni të pushoni kur bebi pushon, kështu nuk do të mbilodheni. Në se këto shqetësime vazhdojnë më tepër se disa javë, apo bëhen më të rënda, kërkoni ndihmën e një specialisti, psikoterapisti apo psikologu.

Vizitorët mund të ndihmojnë për të kaluar momentet blu, duke gëzuar së bashku me ju për ardhjen e bebit. Por ata mund të jenë edhe të lodhshëm për ju dhe të dëmshëm për bebin, duke e ekspozuar ndaj infeksioneve. Prandaj pakësoni numrin e vizitorëve gjatë javëve të para. Kërkojini vizitorëve të lajmërojnë përpara se të vijnë dhe të bëjnë vizita të shkurtra, dhe nëse bebi juaj shqetësohet nga njerëzit, mos lejoni njeri jo të familjes ta mbajë apo t’i afrohet.

Nëse shqetësoheni nga telefonatat, hiqni zilen e telefonit dhe vendosni sekretarinë telefonike. Me ardhjen e bebit është e vështirë të merresh njëkohësisht dhe me punët e shtëpisë. Kërkoni ndihmë nëse keni mundësi, nëse jo bëni më të domosdoshmet. Tani përqëndrohuni vetëm tek bebi.

Një mesazh i veçantë për baballarët

Kjo periudhë është shumë stresuese për çiftin. Është pothuaj e pa mundur të gjejnë kohë dhe aq më pak energji për njëri tjetrin. Ndërmjet kërkesave pa fund të bebit, nevojave të fëmijëve të

tjerë, punëve të shtëpisë dhe punës, nëse bashkëshortët nuk ndihmojnë njëri tjetrin, do të fillojë një përleshje midis tyre. Në këtë kohë disa baballarë e ndjejnë veten të mënjanuar nga vëmendja dhe afeksioni i nënës për fëmijën, sidomos kur fëmija është me gji.

Problemi vështirësohet akoma më shumë, sepse marrëdhëniet seksuale janë të ndaluara për disa javë nga mjeku, por edhe po të ishin të lejuara, shumica e grave nuk janë të interesuara në aktivitetin seksual për njëfarë kohe mbas lindjes, si pasojë e lodhjes fizike dhe stresit emocional.

Ky konflikt si dhe ndjenja e xhelozisë që mund të nisë në këtë kohë, është e përkohshme. Shpejt jeta do të hyjë në rutinën e vet të zakonshme, që do t’ju japë dhe një herë pak kohë për vete, për të rindërtuar jetën tuaj seksuale dhe sociale.

Ndërkohë, bëni përpjekje të kaloni pak kohë vetëm ju të dy. Dhe mos harroni se të puthurat dhe përkëdheljet janë të nevojshme edhe për njëri-tjetrin, jo vetëm për bebin.

Për këto arsye, është shumë e rëndësishme që babai të harxhojë ca kohë duke luajtur dhe mbajtur bebin. Kjo do ta lidhë më shumë emocionalisht me bebin. Bebet me baballarët qeshin dhe lëvizin këmbët dhe duart edhe më shumë se me nënën. Me nënën loja është më e qetë dhe më e butë. Për bebin të dyja këto janë të rëndësishme, prandaj në kujdesin për të duhet të përfshihen të dy prindërit.

Vëllezërit dhe motrat

Me ardhjen e bebit, fëmija tjetër e ndjen veten të braktisur. Ai mund të jetë mërzitur që në momentin që nëna shkon në spital, sepse është hera e parë që ndahet për kohë të gjatë prej saj, por edhe kur nëna kthehet në shtëpi, fëmija nuk arrin të kuptojë se ajo është e lodhur dhe s’ka fuqi të luajë me të. Për më tepër tani të gjithë merren me bebin dhe i kushtojnë gjithë vëmendjen që dikur i kushtohej atij. Është në dorë të prindërve të sigurojnë fëmijën se e duan dhe vlerësojnë shumë dhe ta ndihmojnë të kuptojë situatën e re të krijuar në familje.

Këtu janë disa sugjerime si të ndihmojmë fëmijët më të mëdhenj dhe t’i përfshijmë në jetën e bebit në javët e para:

• Nëse është e mundur merrini fëmijët të vizitojnë nënën dhe bebin në maternitet.

• Kur të ktheheni në shtëpi me bebin, sillini një dhuratë fëmijës tjetër për të festuar së bashku.

• Caktoni një kohë për ta kaluar vetëm, me secilin nga fëmijët.

• Kur të bëni fotografi bëni disa vetëm me fëmijët e rritur si dhe nxirrni fëmijët bashkë me bebin.

• Kërkojini gjyshërve dhe të afërmve t’i marrin në shëtitje në kopshtin zoologjik, në një film, ose thjesht për drekë. Kjo mund t’i ndihmojë në çastet kur ndihen të braktisur.

• Sidomos në muajt e parë, kur ushqyerja me gji është e shpeshtë, ata mund të bëhen xhelozë nga intimiteti që ju keni me bebin gjatë ushqyerjes. Tregojini se ju mund ta ndani këtë intimitet duke treguar përralla, histori, duke lexuar libra dhe duke bërë biseda. Gjatë kësaj kohe mund të krijohet mundësia të flisni dhe për problemin e xhelozisë. Kjo do t’i ndihmojë ta pranojnë më lehtë situatën.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë