Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kujdesi për lëkurën e bebes tuaj... Këshilla nga mjekët e Spitalit Amerikan

Bebja juaj mund të ketë lëkurë të ndjeshme dhe gjatë rritjes mund të shfaqë probleme si çarje, gërvishtje, irritime, skuqje apo të tjera shenja. Kjo mund të jetë shumë shqetësuese për ju dhe fëmijën tuaj. Disa nga problemet më të shpeshta të lëkurës së fëmijëve, që mund të hasni, ne ju ndihmojmë t'i trajtoni me efikasitet. 

Lëkurë e thatë

Të rriturit nuk janë të vetmit që vuajnë nga lëkura e thatë, pasi ky është një problem që prek dhe fëmijët, sidomos në klimë të ftohtë. Mundohuni që të mos përdorni sapun me aromë, pasi ato mund të jenë irritues për lëkurën e fëmijëve dhe mund të shkaktojnë tharje të saj. Gjithashtu fërkimi me forcë i lëkurës gjatë larjes mund të dëmtojë lëkurën delikate të fëmijëve. Mundohuni që ta fshini mirë dhe më kujdes fytyrën e fëmijës pas larjes. Përdorni një krem delikat në mënyrë që lëkura e tij të mbetet e hidratuar. 

Lëkurë e plasaritur

Ndodh që lëkura e fëmijës tuaj të plasaritet, por ekzistojnë shumë kremra që mund ta përmirësojnë këtë problem. Gjithashtu ekzistojnë dhe losione që e mbajnë të njomë lëkurën e fëmijës, duke mos lejuar që ajo të plasaritet. 

Lëkurë që kruhet

Shumë fëmijë mund të vuajnë nga kruarjet e lëkurës, veçanërisht nëse mjeku juaj ju ka thënë që fëmija është me ekzemë. Ky problem mund të jetë më i shprehur zakonisht gjatë muajve të dimrit. Për ta ndihmuar fëmijën duhet t'i bëni banja të rregullta dhe të mbani lëkurën e tij të hidratuar mirë. 

Çarjet e lëkurës

Ndonjëherë lëkura e fëmijës mund të çahet dhe kjo mund të jetë shumë e dhimbshme për të. Mund t'i vëreni këto çarje sidomos në lëkurën e duarve ose të këmbëve dhe zakonisht shkaktohen nga ekspozimi i lëkurës ndaj temperaturave shumë të ulëta. 

Produktet natyrore më të mira për lëkurën e bebeve

Produktet më të mira për lëkurën e bebeve zakonisht përmbajnë përbërësit e mëposhtëm:

Vaj avokado

Ky është një përbërës natyral, i cili përthithet lehtësisht nga lëkura e bebeve. Përdoret dhe në lëkurën e trupit dhe të kokës. Vaji i avokados përmban vitamina të rëndësishme si A, D dhe E.

Vitamina E

Ka një efekt të fuqishëm antioksidant që e mbron lëkurën e bebeve nga inflamacioni dhe ndihmon në hidratimin e saj.

Çaji jeshil

Është një antioksidant i shkëlqyer, i cili parandalon mbivendosjen e mikrobeve në lëkurë. 

Si të menaxhoni problemet e lëkurës tek fëmijët

Shumë fëmijë mund të kenë nxirje, të çara, zona të ashpra në lëkurë dhe irritime të tjera të lehta si pasojë e përplasjeve, goditjeve apo fërkimeve. Megjithatë në disa raste një pjesë e këtyre irritimeve mund të vijnë si pasojë e dietës, ndaj duhet të kontaktoni me mjekun dhe në bashkëpunim me të, të vëzhgoni në mënyrë të detajuar dietën e fëmijës. 

Këshilla si të kujdeseni për lëkurën e fëmijës:

• Mundohuni të përdorni vetëm kremra për bebe, të cilat nuk kanë aromë, për të shmangur rrezikun e irritimeve

• Vëzhgoni me kujdes dietën e fëmijës tuaj. Nëse mendoni që irritimi i lëkurës ka ardhur pas një ushqimi të caktuar është mirë që ta hiqni atë ushqim nga dieta e tij dhe të flisni me mjekun.

• Mundohuni ta mbroni fëmijën tuaj nga rrezatimi i fortë i diellit, duke përdorur kremra mbrojtës nga dielli me faktor të lartë (mbi 30 SPF). Mbrojtja e lëkurës së fëmijës nga dielli është e rëndësishme, pasi parandalon rrezikun për shfaqjen e kancerit të lëkurës në moshë të rritur.

• Sigurohuni që fëmija të lajë duart shpesh me sapun në mënyrë që të mos transmetojë me duar mikrobe apo viruse të ndryshme në lëkurë dhe në gojë.

• Nëse fëmija është rrëzuar, në vendin e goditjes vendosni një qese me akull ose nëse ka gjakderdhje duhet ta shtypni plagën që të mos lejoni humbjen e mëtejshme të gjakut. Kurr mos përdorni ngjitëse që vetënxehen mbi lëkurën e fëmijëve, pasi ato mund ta irritojnë lëkurën më tej.

• Nëse ka një plagë djegie është më mirë që ta lini atë të hapur që të ajroset. Në çdo rast djegie është mirë të kërkoni këshillën e mjekut.

• Disa fëmijë mund të bëjnë infeksion fungal të lëkurës (myk në lëkurë). Ato duken si zona të skuqura me lëkurë të luspëzuar mbi të. Në të gjitha këto raste është mirë ta kërkoni këshillën e mjekut. 

Mbajtja e lëkurës të hidratuar

Është e rëndësishme që ta mbani të hidratuar lëkurën e fëmijës në mënyrë që të parandaloni tharjen e saj. Nuk duhet të përdorni kurrë kremra dhe produkte që përdoren për lëkurën e të rriturve. Mund të përdorni mënyrat e mëposhtme për ta mbajtur lëkurën e fëmijës të njomë.

Masazh i trupit

Pas banjës dhe pasi ta keni tharë lëkurën e fëmijës me kujdes mund të masazhoni lëkurën e tij me një krem bebesh.

Përdorimi i kremit për lëkurë të thatë

Nëse vini re që fëmija ka lëkurë të thatë, menjëherë aplikoni një sasi të bollshme kremi në zonën e thatë në mënyrë që situata të mos përkeqësohet.

Vaji për bebe

Për lëkurë të hidratuar, pas banjës, mund të përdorni dhe vajin e bebeve. 

 

* Artikull i sponzorizuar nga Spitali Amerikan

/komuniteti