Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Shenjat e përgjithshme të rrezikshme

Shenjat e përgjithshme të rrezikut tek fëmijët

Fëmija me shenjë të përgjithshme të rrezikshme ka problem të rëndë. Shumica e fëmijëve me shenjë të përgjithshme të rrezikshme duhet të dërgohen URGJENTISHT në spital.

Jeta e fëmijës së sëmurë mund të shpëtohet nëse dërgohet me kohe te mjeku.

Shenjat e përgjithshme të rrezikshmërisë janë prezente kur:

- Fëmija nuk është në gjendje të pijë apo të ushqehet në gji,

- Fëmija vjell gjithçka,

- Fëmija ka konvulzione,

- Fëmija është i përgjumur apo i pavetëdijshem.

Kur fëmija është i sëmurë duhet ta ushqejmë dhe ti japim lëngje sa më shpesh dhe sa më shumë.

 

Temperatura

Temperatura e ngritur është kur termometri tregon 37.5 gradë C e matur nën sqetull (aksillare).

Kur temperature kalon 38.5 grade C duhet të përdoren barnat për uljen e temperaturës si:

- Paracetamol apo

- Ibubrofen.

Për dozat duhet të këshilloheni patjetër me mjekun.

Diarreja (barkqitja)

- Barkqitje konsiderohet cdo jashtëqitje e hollë ujore që paraqitet për tre apo më shumë herë mbrenda 24 orëve,

- Kjo është më së shpeshti pasojë e higjienës së pamjaftueshme dhe iu ndodh shume rrallë fëmijëve që ushqehen me qumësht gjiri,

- Për shkak të barkqitjes fëmija mund të humbas lëngjet (ujin dhe kripërat) prandaj duhet kompenzuar ato që ka humbur dhe humb në vazhdimësi përmes qumështit të gjirit sa më shpesh dhe sa më gjatë tek foshnjat, apo tretjes së ORS-së ( që ua përshkruan mjeku), ushqimeve të lëngshme si supë, ujë orizi, kos apo ujë të pastër tek fëmija me i rritur apo që nuk ushqehet me qumësht gjiri,

- Përmbajuni përshkrimit për pregatitjen e tretjes së ORS-së që ndodhet në qesen e pluhurit dhe mos e përdorni më gjatë së 24 orë sasinë e pregatitur,

- Mos i shtoni asgjë tretjes së ORS-së, pos ndonjë pike limoni nëse fëmija juaj refuzon në vazhdimësi pirjen e saj,

- Nese vjell sasinë e pirë të ORS-së lëreni të pushojë 10 minuta dhe përseritni dhënjen e saj në gllënjka të vogla,

- Fëmija me barkqitje duhet të vazhdojë te ushqehet rregullisht.

Kolla apo ftohja

- Bashkë me dhimbjen e fytit dhe rrjedhjen e syve janë një çrregullim i shpeshtë dhe i lehtë,

- Nëse fëmija nuk ka vështirësi në frymëmarrje, shpesh këto kalojnë vetë pa barëra,

- Foshnjet me kollë apo ftohje mjafton të ushqehen më shpesh me qumësht gjiri dhe nuk jepen barëra për kollë,

- Gjithashtu mund t’I jepen preparate të pregatitura në shtëpi, si çajra bimore me limon, mullagë të bardhë, lëng të zier qepësh për të zbutur kollën,

- Mbuloni fëmijën e sëmurë dhe mbajeni ngrohtë meqë mund të humbas lehtë temperaturen trupore.

Ndezja e mushkërive

- Ndonjëherë kola apo ftohja mund të përkeqësohet dhe të shkaktojë ndezje mushkërish (pneumoni apo bronkopneumoni),

- Fëmija me ndezje mushkërish ka kollë, temperaturë, djersitje, plogështi, frymëmarrje të shpejtuar dhe të vështirësuar,

- Dërgoni fëmiun tuaj te mjeku menjëherë dhe përmbajuni këshillave e rekomandimeve të mjekut tuaj, që të shërohet më shpejt,

- Mos ndërpreni terapinë e përshkruar nga mjeku, para se të bëhen aq ditë sa iu ka preferuar mjeku edhe nëse fëmija bën më mirë dhe duket se është shëruar.

Higjiena orale

- Dhëmbët e shëndoshë janë gjysma e shëndetit,

- Higjiena e keqe orale (e gojës dhe e dhëmbëve) shkakton prishjen e dhëmbëve të qumështit dhe atyre të përhershëm,

- Dhëmbët e qumeshtit dalin rreth moshës 6 muajshe deri në fund të vitit të tretë të jetës dhe kryejnë të njejtat funksione sikur edhe dhëmbët e përhershëm, megjithëse janë më të dobët sesa ata,

- Dhëmbët e përhershëm të fëmijës dalin prej vitit të 6-të deri në vitin e 13-të të jetës, duke i zëvendësuar gradualisht dhëmbët e qumështit pos dhëmballave që dalin për së pari si të përhershëm,

- Prishja e dhëmbëve quhet karies dhe komplikimet e tij mund të dëmtojnë shëndetin, madje të rrezikojnë edhe jetën,

- Zhvilloni me kohë kulturën e pastrimit të dhëmbëve dhe mirëmbajtjes së higjienës së gojës.

Adoleshenca

- Është periudha e ndryshimeve anatomike dhe fiziologjike intensive që janë nën kontrollin e hormoneve,

- Në këtë fazë paraqitet edhe rritja rapide, zakonisht prej moshës 11-13 vjeçare tek femrat dhe prej 13-15 vjeëare tek meshkujt, ndaj edhe janë të rritura nevojat për protein, vitamina, dhe minerale. Mirëpo, nuk do të thotë se kjo fazë e rritjes, paraqitet pak më herët apo më vonë, kemi të bëjmë me çrregullim,

- Kjo periudhë e rritjes është shumë e ndjeshme sidomos në aspektin emocional,

- Presioni i moshatarëve për sjellje të rrezikshme apo identifikimi me idhuj të ndryshëm është shumë i shpeshtë,

- Rreziku nga zhvillimi i vartësisë nga substanca të ndryshme (duhani, alkoholi apo narkotikët të ndryshëm) është shumë i madh,

- Kontaktoni mjekun apo psikologun për këshilla të tjera.

Kujdes!

- Trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes mund të rrezikojnë jetën e fëmijës suaj!

- Mënjanoni sendet e vogla nga duart dhe ambienti ku qëndron fëmija!

- Të rrezikshëm janë sidomos trupat e huaja bimore si kokrrat e kafesë, fasules, misrit, kikirikët, farat e ndryshme, etj.

- Mënjanoni barnat në vendet ku fëmija nuk mund ti prek!

- Mënjanoni deterxhentet e ndryshme në vendet ku fëmija nuk mund ti prek!