Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Trihomoniasa

Çfarë është trihomoniasa?

Trihomoniasa është sëmundje e shpeshtë seksuale të cilën e shkakton bakteria Trichomonas vaginalis. Kjo bakterie më së shpeshti mund të shkaktojë pezmatim të gjenitaleve, të fshikëzës dhe traktit urinar. Mund të paraqitet në të gjitha periudhat e jetës, por më së shumti tek ato të rejat, në personat seksualisht aktiv.

Si bartet trihomoniasa?

Më së shpeshti bartet me marrëdhënie seksuale, shkaku që është bakteria e qëndrueshme dmth që mund të mbijetojnë pa të presë 45 minuta dhe në këtë mënyrë mund të bartet me kontakt direkt (përmes peshqirit, rrobeve dhe të ngjashme). Sëmundja është e ekspozuar njëkohësisht edhe tek meshkujt edhe tek femrat, megjithëse tek meshkujt paraqitet më rrallë.

Cilat janë simptomet e trihomoniasës?

Simptomet mund të jenë shumë të lehta, ndonjëherë madje nuk ka shenja të qarta të sëmundjes. Tek femrat, simptomet e para mund të lajmërohen pas 5 gjer në 28 ditë pas ekspozimit ndaj bakteries. Është e mundur që paraqitja e vetëm një apo dy simptomeve tregon që keni trihomoniasë. Simptomet më të shpeshta të trihomoniasës tek femrat janë:

• Sekret i verdhë apo i bardhë me erë të keqe

• Dhembje gjatë urinimit

• Djegsimë, pezmatim apo skuqje të mukozës së vaginës

• Kruarje e shpeshtë, e shtuar pas marrëdhënieve seksuale

Tek meshkujt, simptomet janë më të rrallë, dhe zakonisht sëmundja zbulohet pasi që të infektohet partnerja. Simptomet më të shpeshtë të trihomoniasës tek meshkujt janë:

• Irritimi i mbrendshëm i gjenitaleve

• Djegsimë pas urinimit

Si bëhet diagnostifikimi?

Diagnostifikimi i trihomoniasës bëhet në bazë të kontrollës dhe testeve laboratorike. Nëse lajmërohen simptomet, mjeku do të ju vizitojë, ku gjatë vizitës do të merret mostra e mukozës vaginale apo uretrës në mënyrë që të verifikohet prania e bakteries Trichomonas vaginalis.

Prania e bakteries më vështirë vërtetohet tek meshkujt se sa tek femrat.

Si shërohet trihomoniasa?

Trihomoniasa në shumicën e rasteve shërohet lehtë me kombinime antibiotikësh dhe vaginaleta të cilat i udhëzon mjeku. Është shumë me rëndësi që terapinë ta marrë edhe partneri, poashtu sipas udhëzimeve të mjekut.

Gjatë marrjes së terapisë nuk duhet të keni marrëdhënie seksuale, përderisa ju dhe partneri juaj nuk e përfundoni shërimin dhe derisa zhduken infeksionet. Terapinë merreni deri në fund, edhe nëse ndjeheni shumë mirë.

A lë pasoja negative trihomoniasa në shtatzëni?

Në disa raste, infeksioni me trihomoniasë tek shtatzënat mund të shkaktojë lindje të parakohëshme. Poashtu, për shkak të kësaj sëmundje seksuale, foshnja mund të ketë peshën e vogël në lindje (nën 2.5 kg).

Janë të rralla rastet, ku bartja e sëmundjes tek foshnja, bëhet gjatë lindjes. Në ato raste, infeksioni shërohet lehtë me ndihmën e antibiotikëve.

/komuniteti