Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çfarë duhet të blejmë dhe çfarë jo?

Çfarë duhet të blejmë?

Tryeza e ndërrimit të fëmijës (mundet dhe ta merrni hua tek ndonjë shoqe që ka lindur më parë)

Karroca me të cilën do të filloni shëtitjet me bebin tuaj.

Xhepi i kangurit. Mund të përdoret sapo ka lindur fëmija dhe është i dobishëm. Jo vetëm është i rehatshëm dhe thjeshton lëvizjet e të rriturit, por mbi të gjitha përforcon lidhjen fizike të fëmijës me prindin. Mund të përdoret qysh në shëtitjen e parë që bën bebi. E vetmja gjë duhet mbajtur parasysh është se duhet të zgjidhet në përpjesëtim me peshën e fëmijës. Ka disa modele që mund të shërbejnë për mbajtjen e fëmijëve të lindur parakohe.

Krevati i fëmijës duhet të jetë të paktën 110 cm, sepse do të shërbejë derisa fëmija të vejë 4-5 vjeç. Anët e krevatit duhet të respektojnë një distancë jo më të madhe se11 cm (kaq është diametri i kokës tek i porsalinduri), sepse përndryshe rrezikohet që koka e fëmijës të ngecë midis ndarjeve të anëve të krevatit.

Ndenjësja (kolltuku) e fëmijës kur shëtitet me makinë: mund të përdoret deri në moshën 4 vjeçare, kur fëmija rri mbrapa në makinë dhe deri në moshën 10 vjeçare, kur fëmija mbahet para. Më e sigurt është të mbahet fëmija mbrapa. Kjo karrike mund të shërbejë edhe për të shëtitur fëmijën ose për ta lënë të flejë aty, përsa kohë ia lejojnë përmasat. Ajo është e përshtatshme sepse zakonisht fëmija ndihet më I qetë kur mbahet në pozicionin me duar dhe këmbë të mbledhura (si ka ndenjur në bark të nënës). Ky është një pozicion në të cilin ai jo vetëm qetësohet, por edhe në të cilin harxhimi i energjive dhe i oksigjenit është më i ulëti.

Interfoni. Është një mjet i dobishëm por jo i domosdoshëm, në fillim të jetës së bebit. Ai lejon që të dëgjohen të qarat e fëmijës kur ai është në dhomë vetëm; pra lejon një kontroll me anë të zërit, të fëmijës që rri në dhomën e vet. Por përveçse fëmija sigurohet, në këtë rast ai ndihmohet në zhvillimin psikologjik. Në fakt, si do të shohim edhe më tej, fëmija duhet të kuptojë se nëqoftëse ai do, mund të kushtëzojë mjedisin, domethënë kur qan merret vesh se çfarë kërkon. Ai nuk e di që kur qan dhe dera është e mbyllur, nëna e vet nuk vjen se nuk e dëgjoi: kështu tek ai mund të krijohet bindja se nuk arrin të kuptohet. Për këtë arsye sa herë që fëmija qan, i duhet përgjigjur sipas nevojave dhe nuk duhet të lihet që të qajë.

Themi për interfonin që nuk është një mjet i domosdoshëm, sepse supozohet dhe në fakt kështu duhet, që nëna dhe fëmija të mos ndahen nga njeri-tjetri. Kur ka mundësi, pse duhet të lihet fëmija vetëm në dhomë? Fëmija i porsalindur e ndjen shumë mungesën e kontaktit të ngushtë fizik dhe do të rrijë gjithmonë ngjitur me trupin e nënës (edhe në banjë, nëna duhet të shkojë së bashku me fëmijën e vet). Të mësuarit e fëmijës të flejë vetë dhe në dhomën e vet, mund të fillojë vetëm pas muajit të gjashtë, kur fëmija ndihet i sigurt dhe ka fituar besim tek bota që e rrethon.

Panolinat (pelenat me një përdorim) duhet të blihen në njëfarë sasie për t`i pasur gjithmonë gati.

Rrobat. Është mirë që të merren trup (bluzë dhe tuta bashkë) dhe që mbërthehen e zbërthehen kollaj (fëmijës nuk i pëlqen veshja dhe zhveshja – atij i pëlqen më shumë të rrijë lakuriq). Rrobat e fëmijës është mirë të jenë prej pambuku dhe jo prej leshi. Ato nuk duhet të jenë tepër të trasha, sepse fëmijët e vegjël nuk djersijnë dhe nuk e kontrollojnë dot vetvetiu temperature trupore (nxehen kollaj nga veshja e trashë). Lidhur me madhësinë e rrobave, kini parasysh se pesha mesatare e një fëmije është rreth 3.3 kg, gjatësia mesatare në, lindje është rreth 50 cm dhe rrethi i kokës afërsisht 35 cm.

Çfarë nuk duhet të blejmë?

Rrethorja. Nuk është e këshillueshme, sepse nëqoftëse fëmija e përdor, në vend që të mësojë të ecë, mëson të drejtojë rrethoren, domethënë përkulet me bark për para dhe ecën me majat e gishtave. Me kohë fëmija nuk e harron këtë mënyrë lëvizjeje dhe kur rritet, vazhdon të ecë me majat e gishtave.

Sterilizuesin e biberonave dhe kompletin për ushqyerjen artificiale. Së pari qëllimi juaj kryesor dhe i vetëm duhet të jetë ushqyerja me gji. Sidoqoftë, nëse vërtet keni arsye të forta për të ushqyer artificialisht fëmijën dhe e keni biseduargjithçka me mjekun tuaj pediatër, përsëri nuk është e nevojshme që të bleni sterilizuesin. Biberonat, shishet, dhe çdo gjë që mund t`ju duhet për ushqyerjen artificiale, mund t’i sterilizoni në çfarëdo lloj kusie.

Biberon i rremë. Nuk është i domosdoshëm.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë