Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Vizita e parë

Vizita e parë duhet të kryhet sapo të dyshoni se jeni shtatëzënë

Vizita e parë duhet të kryhet sapo të dyshoni se jeni shtatzënë. Vizita e parë para lindjes nënkupton takimin tuaj të parë me shërbimet dhe personelin shëndetësor, të cilët duhet t’ju shërbejnë gjatë shtatzanisë. Në çfarë moshe të shtatzanisë duhet të kryhet vizita e parë?

Sa më herët që të jetë e mundur, sapo të mungojnë periodat (që ndryshe ju i quani: zakonet, cikli menstrual ose menstruacionet), sidomos kur i keni pasur të rregullta.

Duhet të keni parasysh se llogaritja e moshës së shtatzanisë bëhet duke u nisur nga dita e parë e periodave të fundit. Ju duhet të regjistroheni menjëherë në qendrën më të afërt shëndetësore (konsultore), për të siguruar kujdesin dhe kontrollin për veten tuaj gjatë gjithë shtatzanisë.

 

Cilat janë qëllimet e vizitës së parë para lindjes?

1. Të nxirret në pah një histori e hollësishme familjare dhe personale.

2. Të bëhet një vizitë e hollësishme fizike e të gjitha sistemeve të organizmit.

3. Të përcaktohet saktë mosha e shtatzanisë dhe dita e parashikuar për lindje.

4. Të bëhen analizat bazë laboratorike (gjendja e tanishme e numrit të rruazave të kuqe të gjakut, grupi i gjakut dhe Rhezusi, gjendja e veshkave, nëpërmjet analizës së urinës, pastërtia vaginale etj.).

5. Të raportohen në maternitet gratë, shtatzania e të cilave paraqet rrezik të lartë.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë