Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Vizita fizike

Ku përqendrohet vëmendja gjatë vizitës fizike?

Vizita fizike

Pamja juaj e përgjithshme ka një rëndësi të madhe, si tregues i gjendjes së saj shëndetësore.

Vizitohen me kujdes sistemet dhe organet e mëposhtme:

• Gjëndra tiroide

• Gjoksi

• Aparati i frymëmarrjes

• Aparati i qarkullimit të gjakut dhe zemra

• Organet që gjenden në bark

• Organet e jashtme dhe të brendshme seksuale.

Çfarë shihet në gjendrën tiroide?

Nëse është e zmadhuar, duhet të referoheni tek mjeku specialist për ekzaminime të mëtejshme dhe e gjithë ndjekja e shtatzanisë duhet të bëhet nga ekipi, i përbërë nga gjinekologu dhe endokrinologu.

Çfarë është e rëndësishme në vizitën e gjinjve?

• Thumbat e gjinjve, të cilat nëqoftëse janë të futur nga Brenda duhet të përpunohen gjatë shtatzanisë për t’u përgatitur për ushqyerjen me gji të bebit.

• Shihet nëse ka masa të forta në gji apo rrjedhje të tij, të cilat kërkojnë pastaj kontrolle të mëtejshme.

• Gjatë takimeve me personelin mjekësor, ju do të nxiteni të ushqeni me gji fëmijën tuaj, do t’ju bëhen të ditura avantazhet e tij, në krahasim me çfarëdolloj ushqimi tjetër artificial.

Si përgatitet gjiri për ushqyerjen me gji?

Përgatitja e gjirit për ushqyerjen me gji të fëmijës duhet të fillojë gjatë muajit të fundit të shtatzanisë dhe jo më parë, sepse mund të fillojë aktiviteti i lindjes para kohe. Kjo përgatitje bëhet me anë të masazhimit të thumbave të gjirit dhe pastaj të gjithë gjirit, gjë e cila shton qarkullimin e gjakut në gji dhe ndihmon lëvizjen e qumështit në kanalet e tij. Në të njëjtën kohë ndreqen disa anomali të thumbit të gjirit, (kur ai është i futur brenda), të cilat pengojnë më vonë ushqyerjen e bebit, sepse ai nuk e kap dot gjirin.

Masazhi i gjirit realizohet duke ekapur gjirin me të dy duart, gishtat e mëdhenj qëndrojnë në pjesën e sipërme të gjirit, kurse pjesa tjetër e dorës (pëllëmba) mban pjesën e poshtme të tij. Në vazhdim të dy duart rrëshqasin ngadalë drejt thumbit të gjirit. Kjo procedure kryhet 10 deri në 15 herë për secilin gji.

Ndërsa rrotullimi i thithit bëhet duke e kapur me delikatesë atë me gishtin e madh dhe tregues dhe duke e rrotulluar (një herë në drejtim të akrepave të orës dhe një here në drejtim të kundërt me to), duke e mbajtur gjithmonë thithin midis dy gishtave. Një procedurë e tillë bëhet 30 sekonda për secilin thith të gjirit. Kjo ndihmon që thithi të zmadhohet dhe të forcohet dhe të përgatitet kështu për ushqyerjen e ardhshme me gji, si dhe të mbrohet thithi nga dëmtimet apo çarjet që mund të ndodhin më pas, gjatë ushqyerjes me gji.

Çfarë është e rëndësishme për t’u vizituar në aparatin e frymëmarrjes dhe në zemër?

1. Zakonisht gjatë kësaj vizite ju zhvisheni nga mesi e sipër dhe personeli shëndetësor vrojton shenjat e mëposhtme: deformime të kafazit të kraharorit, anomali të shtyllës kurrizore, vështirësi në frymëmarrje.

2. Duhet të matet tensioni arterial dhe pulsi.

3. Dëgjohen me stetoskop rrahjet e zemrës dhe mushkëritë, me qëllim diagnostikimin e zhurmave në zemër dhe në mushkëri. Nëse këto zhurma janë të pranishme, ju do të referoheni në qendra më të specializuara për këto probleme.

Si vizitohet barku në vizitën e parë?

Para kësaj vizite ju duhet të keni boshatisur fshikëzën e urinës, të jeni e shtrirë në kurriz dhe me jastëk nën kokë.

Shenjat që kërkohen janë:

• Shtresa të tepruara dhjami.

• Prania e shenjave, cikatrierve (ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme).

• Forma dhe përmasat e mitrës.

• Keqformime të tjera të dukshme.

• Kontrollohet barku me dorë për përmasat dhe ndjeshmërinë e mëlçisë, shpretkës, veshkave, si dhe nëse ka masa të tjera të papërcaktuara mirë në hapësirën e barkut.

Si vizitohet mitra gjatë vizitës së parë?

Mitra preket nëpërmjet murit të barkut dhe kjo gje bëhet për të përcaktuar formën, madhësinë dhe fortësinë e saj. Duhet pasur parasysh se ky veprim mund të bëhet vetëm kur paraqiteni për kontroll mbas javës së 13-të të shtatzanisë, që do të thotë mbas muajit të tretë. Gjithashtu në këto momente shihet nëse mitra mund të ketë masa jo normale, si miomat, të cilat kanë tendencë të rriten gjatë shtatzanisë dhe mund të shkaktojnë abort, lindje para kohe, apo dhimbje të forta të barkut.

Çfarë duhet parë në organet e jashtme dhe të brendshme seksuale?

1. Shenja të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat shpesh duken me sy të lirë, nga prania e “plagëve” apo rrjedhjeve karakteristike.

2. Dëmtime të qafës së mitrës nga ndërhyrje të mëparshme, apo nga fillimi i një procesi tumoral. Për të përjashtuar këtë të fundit është mirë të merret një Pap-test që në vizitën e parë.

3. Shihet nëse qafa e mitrës është e hapur apo jo.

4. Gjatë vizitës vaginale me dy duar (bimanuale), shihet qartë madhësia e mitrës në raport me moshën e shtatzanisë si dhe përjashtohen masat e mundshme në vezore.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë