Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si ta bëj vogëlushin tim të bashkëpunojë me mua kur ia laj dhëmbët?

Bashkëpunoni me fëmiun në mirëmbatjen e higjienës dentare

Vogëlushi im ulëret, përplaset dhe më ikën nga duart sa herë që provoj t’ia laj dhëmbët.

Si ta bëj të bashkëpunojë?

Përgjigja më e thjeshtë është "me vështirësi "!

Megjithatë, higjiena dentare nuk është diçka që mundeni apo që duhet ta shmangni për një kohë të gjatë. Në fakt, sa më shumë dhëmbë të fillojnë t’i dalin fëmijës dhe të hajë më shumë ushqim (edhe ëmbëlsira) që mund t’i mbeten nëpër dhëmbë, larja e rregullt bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Fëmijë të ndryshëm reagojnë ndaj taktikave të ndryshme, ndaj ju duhet të eksperimentoni. Lexo më shumë tek seksioni ynë për marifete të prindërve ose mbani këto këshilla parasysh: vogëlushëve iu pëlqen të kopjojnë gati gjithçka bëjnë prindërit e tyre, prandaj ia vlen që një nga ato gjëra të bëni larjen e dhëmbëve.

Filloni duke blerë furça me ngjyra të njëjta për vogëlushin dhe për vete. Pastaj, uluni me fëmijën mbi dyshemenë e banjës që t’ju shohë se çfarë po bëni me furçë dhe të përpiqet t’ju imitojë. Përdorni një gotë për shpëlarje dhe një tas apo vaskën për të pështyrë; sa herë që vogëlushi fut furçën në gojë, fiton të drejtën të pështyjë (sigurisht, pjesa më e dashur për një vogëlush!).

Sapo fëmija të ketë dëshirë të fusë furçën në gojë, vazhdoni me hapin tjetër: lëreni të mbajë furçën tuaj dhe t’ua “lajë” dhëmbët ndërkohë që ju ia pastroni si duhet vogëlushit. (Mos përdorni të njëjtën furçë, sepse bakteriet që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve mund të transmetohen nga goja juaj tek e vogëlushit.) Nëse ky skenar nuk funksionon, mos këmbëngulni. Siç e keni zbuluar s’mund ta fusni me zor furçën në gojën e fëmijës pa e lënduar apo pa e frikësuar më së paku.

Disa marifete të tjera: Lëreni vogëlushin të hipë mbi stol (ju i qëndroni prapa për siguri) në mënyrë që ta shohë veten në pasqyrën e banjës. Teksa sheh pasqyrimin e jut ë dyve, tregoni me gisht dhe numëroni dhëmbët e tij dhe tuajët. Pastaj prekeni secilin dhëmb me furçë për "t’i dhënë sasinë e tij të pastës së dhëmbëve " (Mirëpo mos e lejoni fëmijën të përdorë pastë dhëmbësh me fluor deri sa të jetë së paku 2 vjeç.Përdorni vetëm ujë mbi furçë deri në atë kohë.) Përdorni atë pastë dhëmbësh që i pëlqen më shumë, ndoshta atë që i duket më e bukur se sa ajo që ka brenda. S’ka rëndësi çfarë zgjedh fëmija, vetëm kini kujdes të përdorë një sasi të vogël dhe tubetin ruajeni në një vend ku nuk mund ta marrë vetë.

Mund të ndihmojë që t’i vini nga një emër të gjithë dhëmbëve që pastroni në mënyrë që fëmija të bindet se asnjë dhëmb nuk duhet lënë pa pastruar. Kjo do të ngacmojë ndjenjën e drejtësisë tek fëmija dhe do e detyrojë të mbajë gojën hapur edhe kur të mërzitet.

Sido që t’i qaseni larjes së dhëmbëve, mos mendoni se do të jetë e lehtë—dhe mos prisni të jetë perfekte. Pak vogëlushë janë vazhdimisht të gatshëm të lajnë dhëmbët. Madje edhe nëse fëmija është entuziast për larjen e dhëmbëve dhe kujdeset për to me qejf, i mungon shkathësia e dorës për ta bërë punën si duhet. Kur fëmija lan dhëmbët bëni dhe ju pjesën tuaj.