Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kthimi në shtëpi

Janë disa veprime që një nënë mund t’i dijë vetvetiu (i ka mësuar që e vogël, duke parë nënën e vet, apo nëna të tjera dhe duke u kujdesur për më të vegjëlit), por ka frikë se mos nuk i bën ashtu si duhet. Zakonisht, në maternitet por edhe në shtëpi lehona është e rrethuar ose nga personeli mjekësor ose nga njerëzit e afërt të vet. Shpesh herë janë këta persona që i ndërrojnë panolinën fëmijës, që e pastrojnë apo i rrijnë afër kur ajo e ushqen.

Është mirë që të gjitha këto veprime ju të mësoni t’i bëni vetë dhe ende pa dalë nga materniteti, sepse këshillat do t’i merrni nga mjeku. Atëherë kur do t`ju duhet të merrni një vendim, mbani gjithmonë në mend se jeni ju prindërit që merrni përgjegjësitë për rritjen e fëmijës suaj.

Udhëhiquni gjithmonë nga mirëkuptimi, por mos lejoni asnjë, sidomos, gjyshet e gjyshërit, hallat dhe tezet, të vendosen midis jush dhe fëmijës suaj, me pretekstin e përvojës.

Si ta mbajmë në krahë

Sa herë që e merrni në krahë një fëmijë, është shumë e rëndësishme që t’i mbahet koka e fiksuar. Fëmija nuk ka një kontroll të mirë të kokës.

Lëvizjet e menjëhershme dhe të vrullshme të kokës mund të shoqërohen me dëmtimin e fëmijës. Prandaj sa herë që e merrni në krahë fëmijën, duhet t’i kaloni njërën dorë nën qafë, në mënyrë që ta mbani të mbështetur mirë kokën në duart tuaja.

Ajri

Ajri i dhomës duhet të pastrohet 3-4 herë në ditë, prandaj dritaret duhet të hapen të paktën 1 orë në ditë. Gjatë dimrit, mjedisi i dhomës duhet të lëngështohet. Për këtë mund të përdoren disa avullues të posaçëm elektrikë; kjo mund të realizohet edhe me mjete më të thjeshta, si për shembull peshqirë të lagur që vendosen mbi kalorifer.

Nuk këshillohet të mbahen në shtëpi lule për zbukurim, akuariume dhe në mënyrë të veçantë nuk duhet të pihet duhan në dhomat e bebit. Fëmija vërtet nuk duhet të mbahet i veçuar nga bota, por edhe nuk mund të rrijë në një mjedis që ka shumë zhurmë e rrëmujë të madhe.

Si ta pastrojmë fëmijën

• Fëmija duhet të ndërrohet krejtësisht të paktën një herë në ditë dhe duhet t’i ndërrohet panolina shpesh (i porsalinduri urinon gati çdo ½ ore pas ditës së 2-3-të të jetës).

• Panolina duhet të kontrollohet para dhe pas ushqyerjes, nëse është pis apo jo (i porsalinduri del jashtë zakonisht pas çdo ushqyerjeje)

• Fëmija duhet të ndërrohet sa herë që del jashtë.

• Fëmija duhet të lahet me ujë të rrjedhshëm dhe të bollshëm. Nuk janë të këshillueshme letrat pastruese të lagura deri në fund të muajit të parë, si dhe sa herë që fëmija skuqet.

• Tek femrat kini kujdes gjatë pastrimit të fëmijës: gjithmonë lajeni fëmijën nga përparaprapa; në fillim duhet të lahen organet seksuale, pastaj anusi (vendi nga del jashtëqitja). Kjo bëhet për të shmangur ndotjen me mikrobe dhe infeksionet e rrugëve urinare dhe vaginës.

• Duhet të pastrohen me kujdes palat e trupit (rrëza e sqetullës, palat e kofshëve), sepse mund të infektohen më lehtë.

• Fëmija mund të lahet edhe pa rënë kërthiza, por në këtë rast duhet të tregohet kujdes që ajo të thahet dhe të bëhet gjithmonë me alkol. Pas larjes është e këshillueshme të lyhet fëmija me vaj bebesh ose krem të lëngët. Mos përdorni pudër ose krem të fortë, sepse nuk thithen nga lëkura. Ato pengojnë ajrosjen normale të lëkurës dhe bëhen shkak për infeksione të lëkurës.

• Mos harroni të lyeni edhe kokën me vaj dhe t’i krihni me furçë flokët e kokën (përmirësohet qarkullimi i gjakut në kafkën e kokës). Te djemtë vetëm pastrojeni penisin e fëmijës, pa qenë nevoja ta tërhiqni atë.

Skuqjet në zonën e panolinës

Panolina përvec pjesëve të pambukta ka dhe përmbajtje plastike. Këto lëndë dobësojnë cilësitë mbrojtëse të lëkurës duke shkaktuar skuqje.

Çfarë të bëjmë?

• Në fillim përdorim pomade me vitaminë A dhe E. Sidoqoftë, edhe atëherë kur zona e skuqur është e pakët, fëmija duhet të ndërrohet me pelena të pambukta. Fëmija duhet të ndërrohet dhe lahet shpesh. Problem është se si të sillemi gjatë natës, ose gjatë shëtitjeve të fëmijës, kur edhe mundësitë për ta ndërruar fëmijën janë më të pakta. Në këtë rast mundet që fëmija të mbahet me panolinën e gatshme.

Banjat e fëmijës këshillohen të bëhen me një sapun neutral (me ph neutral, për shembull me sapuntë Marseilles ose Johnson) dhe shpëlarja e fundit e fëmijës këshillohet të bëhet me ujë në të cilin kemi hedhur pak uthull (një lugë gjelle për 1 litër ujë).

• Edhe teshat e fëmijës duhet të lahen me sapun neutral dhe shpëlarja duhet të bëhet duke shtuar pak uthull.

• Nëse për 3 ditë skuqjet nuk shërohen, atëherë duhet të drejtoheni tek mjeku i fëmijës suaj.

Çfarë nuk duhet të bëjmë?

• Të përdorim panolinat plastike për sa kohë fëmija është i skuqur

• Të përdorim ilaçe vetëm sipas mendimit tonë ose sipas këshillave të farmacistit

• Të përdorim një pomadë që përmban kortizon

• Të përdorim niseshte mbi plagë

• Të përdorim vaj ulliri ose çfarëdolloj pomade tjetër të pakëshilluar nga mjeku

Mund të qëllojë që pas një shërimi të përkohshëm, të ndenjurat e fëmijës të skuqen përsëri. Nuk ka ndonjë gjë për t`u çuditur dhe as për t’u shqetësuar. Ndërkaq përsërisni nga e para përkujdesjet e përshkruara më sipër.

Si ta veshim?

Fëmija ndihet keq po qe se vishet më shumë apo më pak se sa duhet. Edhe në këtë rast duhet të luftohet me shumë paragjykime.

• Kini parasysh: fëmijët duhet të vishen aq trashë sa jeni veshur ju vetë.

• Kujdes! Duhet që të ndiqni këtë rregull në mënyrë shumë të rreptë, sepse prirja është gjithmonë që fëmija të vishet më shumë se sa duhet. Mbani në mendje që fëmija nuk djersin si i rrituri, për këtë arsye ai nuk është në gjendje të rregullojë temperaturën e tij trupore me anë të djersës. Kjo do të thotë që fëmijët nuk duhet të vishen trashë. Pra kini parasysh se në dimër nuk duhet të vishen shumë trashë dhe në verë është e mjaftueshme panolina dhe një paliçetë pambuku.

• Në vend që ta vishni me një rrobë të trashë, visheni me dy të lehta; kështu do të keni mundësi ta hiqni njerën kur ndjeni se bëhet vapë.

Si duhet të jetë bluza që prek trupin (në lëkurë) e bebit?

Teshat që bien në kontakt me lëkurën e bebit duhet të jenë prej pambuku ose përzierje me fije sintetike kundër alergjive.

Leshi nuk duhet të jetë asnjëherë në kontakt me mishin, sepse shkakton skuqje të lëkurës së fëmijës të vogël. Edhe teshat që janë nga brenda pambuk dhe nga jashtë lesh, nuk janë të këshillueshme, sepse po ashtu mund të shkaktojnë skuqje të lëkurës në vendin e kontaktit. Nga ana tjetër leshi ka vetinë të shkaktojë alergji.

Kur mund të fillohen shëtitjet?

Me fëmijën mund të dilet menjëherë. Sidoqoftë duhet të kalojnë disa ditë nga lindja, sepse fëmijës i duhet njëfarë kohe për t`u përshtatur me kushtet dhe ndryshimet e mjedisit jashtë barkut të nënës. Shëtitjet janë të dobishme si për nënën, ashtu edhe për fëmijën. Kur dilni shëtitje, duhet të shmangen pjesët e qytetit që kanë shumë lëvizje, në mënyrë të veçantë ato me lëvizje makinash ose me ndotje të lartë të atmosferës. Janë të padobishme kufizimet në orare, që përgjithësisht janë zakone popullore.

Për të lëvizur lehtësisht së bashku, edhe kur rrugët nuk janë shumë të mira, ju ndihmon xhepi i kangurit (marsupi). Përdorimi i tij është I dobishëm. Mund të përdoret qysh nga dita e parë e jetës. Jo vetëm është i rehatshëm dhe lehtëson lëvizjet e të rriturit, por mbi të gjitha forcon lidhjen e nënës me fëmijën. E vetmja gjë që duhet mbajtur parasysh është se duhet të përkojë me peshën e fëmijës. Sa herë që fëmija shëtitet me marsup, duhet të kihet parasysh që të mbahet gjithmonë koka e fëmijës.

Ilaçet dhe vitaminat

Fëmijët e lindur në kohë të vet dhe që ushqehen me gji, normalisht nuk kanë nevojë për shtesa vitaminash. Edhe marrja e vitaminës D është shumë e diskutueshme për këta fëmijë, veçanërisht në vendin tonë, ku ditët me diell janë të shumta gjatë vitit.

Ndryshe duhet të sillemi kur fëmija ka lindur para kohe, por në këtë rast gjithmonë duhet të këshilloheni me mjekun tuaj. (Një vitaminë që mungon është vitamina K.)

Kur përdoren pomadat (për shembull pomada me Vitaminë A + E), duhet të lyejmë vetëm pjesët e skuqura dhe jo të gjithë trupin, sepse pengojnë “frymëmarrjen” dhe funksione të tjera të lëkurës.

Çfarë ilaçesh të mbajmë në shtëpi?

• Tretësirë fiziologjike për hundët

• Pomada A+E

• Paracetamol

Asnjëherë mos përdorni ilaçe pa pyetur më parë mjekun tuaj.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti