Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çrregullimet normale të shtatzënisë 4

Dhimbjet e shpinës

Dhimbjet e shpinës mund të shkaktohen nga edhe nga pozicioni apo qëndrimi i keq i trupit

Gjatë shtatzënisë, me rritjen e peshës së barkut, krijohet një hark më i theksuar i kolonës vertebrale, që quhet lordozë. Rritja e peshës së barkut dhe pesha e rritur e trupit të shtatzënës, shkakton shtypje të disqeve midis vertebrave, që ndajnë një vertebër nga tjetra, duke shkaktuar dhimbje. Në fillim të ditës, dhimbjet ndodhin në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbje në muskujt gluteal (e poshtë shpinës) e mbi të gjitha në pjesën e poshtme të këmbëve ku kalon nervi ishiatik.

Në periudha të ndryshme të shtatzënisë, por, sidomos në periudhën e fundit të saj, dhimbjet e shpinës mund të shkaktohen nga edhe nga pozicioni apo qëndrimi i keq i trupit. Muskujt dhe ligamentet, ngarkohen jo vetëm për shkak të shtimit në peshë nga shtatzënia, por edhe nga qëndrimet jo korrekte të trupit.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së dhimbjeve të shpinës?

• Nëse nuk është ruajtur shtimi normal i peshës trupore, duhet rritur kujdesi për ta kontrolluar atë.

• Duhen evituar qëndrimet e gjata dhe të lodhshme ulur apo në këmbë. Nëse qëndrimi ulur duhet të zgjasë, atëherë duhet lëvizur herë pas here duke ndruar pozicion ose duke u gritur për të bërë disa hapa.

• Duhen mbathur/veshur këpucë të sheshta, për të shpërndarë në mënyrë të barabartë peshën e trupit.

• Duhen shmangur plotësisht, ngritja dhe mbajtja e peshave të rënda. Peshat e lehta mund të ngrihen nga dyshemeja jo duke u përkulur, por duke u ulur galiç dhe duke e mbajtur objektin ngjitur me trupin.

• Duhen ballancuar peshat midis dy shportave apo qeseve, në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet e barabartë në kolonën vertebrale.

• Duhet shmangur plotësisht, mbajtja e fëmijëve në krahë.

• Në qëndrimet ulur apo shtrirë, duhet kërkuar një pozicion i përshtatshëm që të evitohet presioni i fëmijës në kolonën vertebrale. Gjatë udhëtimit me automjet, rekomandohet të përdoret jastëku anatomik.

• Dysheku i drejtë dhe i fortë, ndihmon në lehtësimin e e dhëmbjeve të shpinës. Nëse krevati është me sustë, duhet të zëvëndësohet me dërrasë.

• Për të lehtësuar dhimbjen e shpinës, mund të përdoret terapia mjeksore në rastet kur rekomandimet e mësipërme nuk japin efektin e dëshiruar.

Dhimbjet e kokës

Në shtatzëni, nuk është shumë e shprehur ankesa për dhimbje të kokës. Përkundrazi, disa gra që vuajnë shpesh nga dhimbjet e kokës jashtë shtatzënisë, kanë vënë re një reduktim të këtij çrregullimi gjatë shtatzënisë, ndërsa disa gra të tjera janë lehtësuar nga dhimbjet e kokës pas lindjes. Por disa shtatzëna, në tremujorin e parë të saj, kanë dhimbje koke që mund të vijë nga lodhja apo tensionini i qafës, nga hundët e zëna apo edhe nga stresi.

Nëse në muajin e fundit të shtatzënisë, ndihet dhimbje koke prapa qafe e shoqëruar me çrregullim në shikim, duhet kontaktuar mjeku sepse ky mund të jetë një sinjal i preeklapsisë.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së dhimbjes së kokës?

• Shëtitje në ajër të pastër, por pa u lodhur.

• Dush me ujë të ftohtë, ose qese me akull në ballë ose në qafë.

• Një masazh i qafës dhe i muskujve të supeve.

• Gjimnastikë e lehtë për të liruar muskujt e qafës dhe të supeve.

• Është i mundur edhe përdorimi i paracetamolit, nën rekomandimin e mjekut.

Pas muajit të pestë të shtatzënisë, nëse rekomandimet e mësipërme nuk lirojnë dhimbjen e kokës, duhet kontaktuar mjeku obstetër-gjinekolog, sepse mundet që shkaku të jetë hipertensioni arterial (HTA) ose prania e preeklampsisë.

Të përzjerrat, të vjellat dhe hipersalivacion (pështyma e shtuar në gojë)

Midis çrregullimeve më të shpeshta të një shtatzënie janë; të përzjerrat, të vjellat dhe pështyma e shtuar në gojë (hipersalivacion), të cilat mendohet se kanë shkak shtimin e hormonit që sekretohet nga placenta dhe që quhet gonadotropina corionike (HCG, gonadotropina chorionike humane). Ky hormon është ai që dozohet në testet e shtatzënisë dhe tregon praninë e saj. Kur niveli i HCG-s në gjak është rritur dhe kjo ndodh kryesisht gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë, pasojë është edhe shfaqja e përzjerrave, të vjellave dhe pështymës së shtuar. Kjo nuk ndodh vetëm në shtatzënitë me një bebe, por më të shtuara ndodhin në shtatzënitë multiple me dy ose më shumë bebe.

Por jo të gjitha gratë shtatzëna i kanë shprehura këto shenja. Një influencë të rëndësishme të këtyre shënjave kanë edhe faktorët psikologjik. Me fillimin e uljes së nivelit të HCG-s pas javës së 12-të të shtatzënisë, të përzjerrat dhe të vjellat paksohen deri sa zhduken. Një faktor tjetër që influencon mbi këtë shenja, është edhe tensioni arterial i ulur.

Zakonisht këto çrregullime ndodhin në mëngjes, kur stomaku është bosh. Vështërsohen më tepër gjatë ditës, nga erërat apo shijet e ushqimeve të ndryshme. Këto shenja shoqërohen me ndryshim të shijes dhe shtohet tek gruaja shtatzënë edhe pështyma në gojë, e cila nuk arrin ta dëlltisë në mënyrë normale përshtymën e prodhuar nga gjendrat e pështymës. Në mënyrë paradoksale, quhen çrregullime simpatike, që i atribuohet emrit të sistemin autonom nervor simpatik.

Të përzjerrat, të vjellat dhe shtimi i pështymës në gojë, janë të shprehura më së shumti në tremujorin e parë të shtatzënisë. Por, ekziston mundësia që të vazhdojnë të shprehen edhe në tre mujorin e dytë dhe të tretë të saj.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar të përzjerrat, të vjellat dhe pështymës së shtuar në gojë?

• Përpara ngritjes nga shtrati në mëngjes, mund të konsumohet ndonjë ushqim i thatë si biskotë ose bukë e thekur në sasi jo të mëdha.

• Ngritja në mëngjes nga shtrati nuk duhet të bëhet e vrullshme por, ngadalë.

• Nëse furça e dhëmbëve apo pasta me të cilën lahen ato, provokon të vjella, dhëmbët mund të lahet edhe me ujë duke u fërkuar me gisht.

• Duhen konsumuar ushqime të pasura me karbohidrate, dhe konsumi ushqimor të bëhet 7-8 vakte me ditë me porcione të vogla por të mjaftueshme.

• Konsumimi i zarzavateve dhe perimeve të zjerra si dhe frutat e përpunuara, janë ushqimi më i mirë për të parandaluar të përzjerrat, të vjellat dhe pështymës së shtuar.

• Shëtitje në ajër të pastër, por pa u lodhur.

• Përpara se të shkohet për të fjetur, duhet konsumuar ndonjë ushqim i thatë si biskota ose bukë e thekur, por në sasi të vogël.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë të të përzjerrave, të vjellave dhe pështymës së shtuar në gojë?

• Duhet evituar marrja e lëngjeve në mëngjes, kur stomaku është bosh.

• Duhet konsumuar ushqime të thata si biskota, bukë të thekur.

• Nuk duhen konsumuar ushqime që nuk ju pëlqejnë edhe pse mund t’ju bëjnë mirë. Është mjaft e lehtë p.sh, që të zhvillohet ndjenja e mos pëlqimit të mishit, prandaj mos e merr nëse nuk të pëlqen.

• Vaktet ushqimore, të bëhen të shpeshta dhe me sasi jo të mëdha.

• Kur të përzjerrat janë mjaft të shtuara, dhe prania e të vjellave e ndalon ushqimin, atëherë gjinekologu mund të përshkruaj ndonjë medikament kundër të vjellave. Nuk duhen marrë medikamente pa kontrollin e mjekut, i cili do të dijë të përshkruaj llojet e medikamenteve, që nuk kanë efekte anësore në shtatzëni.

• Duhet ndryshuar ambjenti që qëndron dhe jeton shtatzëna. Shpesh personat që i qëndrojnë pranë shtatzënës me përkujdesjen e tyre të tepruar, i përkeqësojnë këto simptoma.

• Nëse të përzjerra ose të vjellat e shtuara kanë qënë të pranishme në shtatzëninë e mëparshme, nuk do të thotë që ato të jenë të pranishme edhe në shtatzëninë aktuale.

Shtimi sekrecioneve vaginale (ose leucorrea)

Shtimi i sekrecioneve vaginale, që manifestohet me rrjedhje të sekrecioneve të bardha pa ngjyrë dhe pa erë, është normal në shtatzëni dhe lidhet me shtesën e fluksit të gjakut në traktin gjenital gjatë shtatzënisë. Kjo mund të jetë mjaft e shtuar (idrorrea gravidica), e cila në disa raste mund të ngatërohet edhe me plasjen e membranave. Nëse janë të pranishme kruarjet, djegiet dhe shqetësimet në zonën vulvo-vaginale, është më e mundshme që gruaja të jetë përpara një infeksioni të vërtetë.

Shtimi i sekrecioneve vaginale, mund të paraqitet në të gjithë periudhën e shtatzënisë.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë të shtimit të sekrecioneve vaginale?

• Nëse trajtohet si një proçes fiziologjik, nuk i nevoshëm trajtimi me medikamente mjeksore.

• Kur janë të pranishme shenjat e ndonjë infeksioni të mundshëm, kontakti me mjekun është i nevojshëm. Ai vlerëson infeksionin dhe shkallën e infektimit, duke rekomanduar kryerjen e analizës të sekrecioneve vaginale si dhe të kulturës. Më pas mjeku këshillon trajtim me lavanda me përdorim të jashtëm ose kremra ose ovula vaginale ose/edhe përdorimin e antibiotikëve.

• Për të bërë diagnozë diferenciale me plasjen e membranave (sepse rrjedhjet e shtuara vaginale mund të ngatërohen me plasjen e ujrave), përdoret testi që diferencon hidrorenë fiziologjike nga likidi amniotik.

Gjakrrjedhjet e lehta

Në fillim të shtatzënisë pothuajse gjysma e grave paraqesin gjakrrjedhje të lehta, të errëta ose me ngjyrë të kuqe. Fenomeni është më i pranishëm në muajin e parë, të cilat mund të koinçidojnë me datën që duhet të vinin menstruacione në jetën jashtë shtatzënisë ose mund të ndodhë si rezultat i ndryshimeve të vogla të mukozës uterine, ku implantohet shtatzënia. Kontrolli mjeksor, për të vërtetuar se ecuria e shtatzënisë është normale, është e nevojshme.

Gjakrrjedhja e madhe, është paralajmërim për rrezik dështimi.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së gjakrrjedhjeve të lehta?

• Nëqoftëse trajtohet si një fenomen fiziologjik, nuk është i nevojshëm trajtimi medikamentoz.

• Nëse rrjedhjet bëhen më të shumta dhe mbi të gjitha shoqërohen me kontraksione të dhimbshme në fund të barkut, konsulta me mjekun obstetër-gjinekolog është e domosdoshme.

• Duhen evituar të gjitha sforcimet fizike, që vijnë si rezultat i qëndrimit në këmbë, punët e shtëpisë apo të zyrës.

• Rregjimi i shtratit është i rekomanduar.

Hiperpigmentimi i lëkurës dhe ndryshimet e flokëve

Në fytyrën e disa grave gjatë shtatzënisë, dalin disa njolla të errëta të papëlqyeshme (pigmentacione). Në termin mjeksor quhen chloasma ose “maska e shtatzënisë”, e cila ndodh si rezultat i rritjes së nivelit të disa hormoneve në gjakun qarkullues. Fenomeni keqësohet nëse fytyra ekspozohet në rrezet e djellit. Nuk ka vend për shqetësim, sepse pas lindjes këto njolla zhduken. Por njollat mund të shfaqen edhe në thumbat e gjirit, në vulvë, në kofshë dhe në sqetulla. Hiperpigmentimi mund të dallohet edhe te nishanet ekzistues, të cilët ndryshojnë ngjyrë.

Hiperpigmentimi për shkak të shtatzënisë formon “linjën negra”, e cila dallohet si një vijë e errët nga kërthiza e vazhdon poshtë deri në pubis. Pas lindjes, linja negra zhduket vetëvetiu.

Njollat në lëkurë, në përgjithësi paraqiten në tremujorin e dytë dhe të tretë të shtatzënisë.

Flokët gjatë shtatzënisë, mund edhe të rriten më shumë si dhe mund të bëhen të yndyrshme. Pas lindjes, flokët duken sikur po bien, por në fakt bien ato flokë të tepërt të cilët kanë dalë gjatë shtatzënisë.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së hiperpigmentimit të lëkurës?

• Rruga kryesore për të lehtësuar pamjen, e cila perceptohet jo këndshëm nga shtatzëna, është reduktimi total i ekspozimit në diell.

• Nëse kërkohet që njollat të mos dallohen, përdorimi i kremrave kozmetik e kryejnë këtë funksion. Përdorimi i tyre duhet të jetë tërrësisht i rekomanduar nga mjeku dermatolog.

Gjatë shtatzënisë, lëkura mund të bëhet më e thatë ose më me yndyrë, gjithmonë për shkak të ndryshimeve hormonale. Tek disa gra që kanë patur në jetën e tyre puçra në lëkurën e fytyrës, mund që ato të zhduken në shtatzëni. Edhe ky fenomen ndodh për shkak të ndryshimeve hormonale, apo të shtimit të ujit, apo të shtimit të qarkullimit të gjakut në lëkurë. Por mund të ndodhë që gjatë shtatzënisë, puçat edhe të shtohen apo acarohen më shumë, për shkak të rritjes së aktivitetit të gjendrave të yndyrës/dhjamit apo të djerrsës.

Edhe sëmundjet e ndryshme të lëkurës gjatë shtatzënisë, mund të përmirësohen ose të përkeqësohen dhe kjo varet nga reagimet individuale të ndryshimeve hormonale.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së lëkurës së thatë?

• Masazhi i lëkurës për të rritur qarkullimin e gjakut, është shumë efikas.

• Rekomandohen banja me ujë të ngrohtë, duke fërkuar lëkurën më shampo me bazë vajrash.

• Nëse këshillat e mësipërme nuk japin efektin e dëshiruar, kontaktim me mjekun dermatolog është i nevojshëm për të marrë rekomandime për përdorimin e kremrave specifikë.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së lëkurës së yndyrshme?

• Rekomandohen banja me ujë të ngrohtë, duke fërkuar lëkurën më shampo për lëkurë të yndyrshme.

• Nuk duhen përdorur kremra lëkure pa rekomandimin e mjekut dermatolog, sepse lëkura e grave shtatzënë mund të alegjizohet për shkak të ndjeshmërisë.

Kruajet e lëkurës

Një çrregullim i shpeshtë dhe shumë shqetësues gjatë shtatzënisë, që lidhet me mbajtjen e kriprave biliare në indet e organizmit, është pruriti ose kruarja. Shkaku i tyre nuk janë vetëm ndryshimet hormonale. Ato mund të vijnë edhe si rezultat i një pamundësie të lehtë të punës së mëlçisë, tipike në tremujorin e tretë të shtatzënisë dhe që vjen nga vështërsia e punës së fshigzës së tëmthit. Nëse kruarja ndodh para tremujorit të tretë të shtatzënisë, duhet të dyshohet për praninë e një fenomeni alergjik. Më e shprehur kjo është në zonat ku ka tërheqje të indeve, kryesisht në zonat ku formohen strijet. Por acarimi i lëkurës deri në kruajtje, mund të vijë edhe nga djerrsa e shtuar sidomos në zonën poshtë gjoksit. Në kruarjen e lëkurës, më shumë ankohen gratë me lëkurë të thatë. Disa të tjera ankohen edhe për skuqje të pëllëmbës së duarve apo të shputave të këmbëve, të cilat ndjejnë djegie dhe/apo kruarje.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së kruarjes së lëkurës?

• Duhet evituar mbingarkesa e stomakut nga ushqimet e shumta dhe duhen evituar ushqimet e vështira për tretjen siç janë të skuqurat, salcat, ushqimet pikante dhe shumë të kripura si dhe ushqimet me yndyrë.

• Duhen përdorur veshje të lirshme, të pambukta dhe jo të ngjitura pas trupit.

• Larja e trupit vetëm me ujë, është më efikase se sa larja me shampo të çdo lloji. Ujit të banjos mund t’i shtohet kripë deti ose sodë buke.

• Duhen evituar masazhet me furça apo sfyngjer, sepse e krojtura acarohet edhe më shumë. Pas banjos, mund të përdoren kremra të rekomanduara nga mjeku dermatolog.

• Pjesët e lëkurës që kruhen, mund të lyhen me pudër talk të përzjerrë me mentol ose me kremra antihistaminikë.

• Nëqoftëse fenomeni përhapet, mjeku dermatolog do përshkruaj medikamente që ndihmojnë në eliminimin e kriprave biliare ose medikamente antihistaminike.

Nëse të krojturat vazhdojnë, vazhdimi i kontaktit me mjekun dermatolog është shumë i domosdoshëm pasi është ai që do të vendosë shkakun e kësaj situate. Në vendet që lëkura kruhet dalin fllucka apo puçra, mjeku rekomandon trajtim me pomade antihistaminike. Rrallë herë kjo situatë është pasojë e bllokimit të tëmthit, e cila ndikon në ecurinë normale të shtatzënisë apo të jetës së shtatzënës, prandaj nuk duhet neglizhuar dhe lënë pas dore me mendimin se do të kaloj vetë.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Prill 2013

marcela (3 vite më parë)
Ju lutem me thoni se un jam shtatezene dhe jam 2 muajshe dhe un kam gjak derdhe po nuk kam.shum muk kam as dhimbje barku dhe kur vajta ne urgjenc te beja vizit me thans se nuk po degjnin zemren e bebit a ndikon kjo
SonilaMusta (5 vite më parë)
Faleminderit shum ,shum.Un jam be tre mujorin e fundit jam 7 muaj ,e me shum 31 jav ,dhe kisha shum gjera qe me shqetesonin ,si kruajtje kam akoma pak te vjella ,edhe sekrecione vaginale ,qe me jan shtuar tani ..Po ju me ndihmuat shum faleminderit jam me e qet tani ..

/komuniteti