Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çrregullimet normale të shtatzënisë 5

Sensibiliteti në gji

Tek disa gra, sidomos në muajt e parë të shtatzënisë, gjinjtë bëhen më të ndjeshëm edhe nga prekja apo fërkimi më i vogël. Rolin kryesor të kësaj gjendje, e ka ndryshimi i nivelit hormonal të estrogjenit, laktogjenit human të placentës (hPL) si edhe të prolaktinës që përgatit gjinjtë për ushqyejen e foshnjes së ardhshme me qumësht. Por rol jo pak të rëndësishëm, ka edhe rritja e sasisë së gjakut qarkullues në gjinjtë e gruas shtatzënë.

Përpara fillimit të tremujorit të tretë, nga gjinjtë e shtatzënës fillon të rrjedhë një lëng i quajtur kulloshtër. Por mund të ndodhë, që rrjedhja me ngjyrë midis të bardhës dhe të verdhës të konstatohet edhe që në fillimet e herëshme të shtatzënisë. Kulloshtra është ushqimi i ditëve të para të fëmijës pas lindjes, i cili në ditët e mëvonshme kthehet në qumësht të mbushur me proteina, vitamina dhe çfarë është më e rëndësishme, është i mbushur me antitrupa që mbrojnë organizmin e të porsalindurit duke rritur imunitetin e tij.

Por mund të ndodhë, që ndryshimet e gjinjve si dhe dalja e kulloshtrës përpara lindjes, nuk paraqiten tek disa gra edhe deri në fund të shtatzënisë. Shqetësimi i shtatzënës nuk është me vend, sepse pothuajse në të gjitha rastet, nënat janë të afta t’a ushqejnë fëmijën me qumështin e gjirit të tyre.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së ndjeshmërisë së shtuar të gjinjëve?

• Përdorimi që në fillim të shtatzënisë, i recipetave/gjimbajtëseve që ofrojnë komoditet.

• Dhimbja e gjoksit, mund të dominohet me banjë me ujë të ngrohtë ose me kompresa të ngrohta.

Striet e shtatzënisë

Striet e shtatzënisë, ndodhin si shkak i prishjes së indit elastik të lëkurës, e cila shfaqet në formën e vijave. Këto manifestohen gjatë shtatzënisë me ngjyrë të kuqe në fillim dhe pastaj, në mënyrë progresive fillojnë të qartësohen duke u bërë të bardha pas lindjes. Kryesisht striet dalin në zona të trupit në mënyrë të dukshme në bark, në rrëzët e kofshëve dhe në gjoks, për shkakun kryesor të zmadhimit të tyre nga shtatzënia. Shfaqja e strieve shtohet me shtesën e peshës trupore dhe rritjen e moshës së shtatzënisë. Ato janë më të shpeshta tek gratë më të reja, por varet gjithnjë nga cilësia e lëkurës e cila influencon individualisht.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar apo dominuar praninë së strieve?

• Duhet rregulluar rregjimi ushqimor dhe mos të shkohet me mendimin se, gruaja shtatzënë duhet të ushqehet sa për dy persona. Me këtë duhet kuptuar, kontrolli dhe evitimi i shtesës në peshë në mënyrë të pakontrolluar.

• Masazh i lëkurës në zonat e predispozuara duke përdorur vajin e bajameve ose përdorimi i preparate me grurë kanë dhënë efekte të mira, sepse rritin qarkullimin e gjakut duke e bërë lëkurën më elastike. Masazhi nuk rekomandohet të përdoret në dy javët e fundit të shtatzënisë, sepse mund të ndikoj në afrimin e aktivitetit të lindjes.

• Masazhi i lëkurës së bashku me përdormin e kremrave me elastinë dhe proteina, mund të përdoren që në fillim të shtatzënisë me rekomandimin e mjekut.

• Për të parandaluar tensionimin e lëkurës, shtatzënat mund të përdorin korse të lehta elastike, që janë të prodhuara për gratë shtatzëna.

• Gjimnastika dhe ushtrimet sportive të kryera përpara shtatzënisë si dhe gjatë saj, tregojnë efikasitet në parandalimin apo zbutjen e e pasojave të strijeve.

Lodhja dhe gjendja e të fiktit

Lodhja/debulesa që ndodh në mënyrë tipike gjatë shtatzënisë, lidhet kryesisht me faktin që shtohet puna e zemrës së gruas, gati tre herë. Presioni i gjakut ulet dhe glicemia, sasia e sheqerit në gjak është e ulur. Shpesh në këto raste vihet re edhe një anemi fiziologjike. Për të gjithë këto faktor, është mjaft e shpeshtë që tek shtatzënat të ketë çrregullime si marrje mendsh, djerrsitje, takikardi që është rritje e frekuencës së rrahjeve të zemrës dhe gjendje të fikti. Është e rëndësishme që të vërtetohet që këto çrregullime nuk vijnë për shkaqe patologjike, siç është anemia ose sëmundjet kardiake.

Lodhja mund të ndihet që në ditët e para të shtatzënisë, edhe për shkak të nauzesë/ndjenjës së të vjellit dhe të të vjellave. Kjo gjendje vjen nga mungesa e energjisë së pa marrë, nga ushqimi i munguar apo nga nxjerrja jashtë e ushqimit në mënyrë të pavullnetshme. Lodhja mund të shkaktohet edhe nga mungesa e hekurit. Prandaj, në mënyrë të detyrueshme të gjitha gratë shtatzëna, duhet ta marrin hekurin si supplement, pas javë së 16-të të shtatzënisë e deri 40 ditë pas lindjes.

Ndjenja e lodhjes gjatë shtatzënisë, përgjithësisht shprehet në tre mujorin e parë dhe të tretë të saj.

Me rritjen e ditëve të shtatzënisë, lodhja shfaqet edhe si pasojë e rritjes së peshës së përgjithshme trupore. Ajo mund të shfaqet edhe si pasojë e gjumit jo të rregullt, për shkak të ndryshimit të herë pas hershëm të pozicionit të gjumit apo nga urimi i shpeshtë apo edhe nga stresi mbi ecurinë e shtatzënisë deri në ditët e termit.

Vilania apo të fiktit, është një ngjarje e shpeshtë tek gratë shtatzëna. Kjo mund të shpjegohet me uljen e sasisë së gjakut që shkon në tru, si pasojë e uljes së nivelit të oksigjenit. Por vilania mund të shpjegohet edhe si rezultat i ndryshimeve hormonale, nga shtatzënia.

Gjëndja e të fiktit, zakonisht ndodh në tremujorin e parë dhe të tretë të shtatzënisë.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së gjendjes së lodhjes dhe të fiktit?

• Duhen evituar punët e lodhshme në zyrë, në shtëpi, në mbajtjen e fëmijëve paraardhës apo të njerzve që kanë nevojë për ndihmë.

• Në të kundërt sa më sipër, duhet pranuar ndihma e familjarve apo edhe e kolegëve të punës.

• Qëndrimi shtrirë dhe pushimi në krevat së paku dy orë në pasdite, kryesisht në muaj e fundit të shtatzënisë, janë të domosdoshme.

• Nga pozicioni ulur apo shtrirë, ngritja duhet bërë ngadalë dhe jo e vrullshme. Nëse gjatë qëndrimit mbështetur në shpinë, ndihet ndjenja e të fiktit, ndryshimi i pozicionit bën që kjo ndjenjë të kaloj.

• Shkuarja herët për të fjetur pas një banje, është shplodhja më e mirë dhe paradalim për gjendjen e padëshiruar të lodhjes dhe të fiktit gjatë ditës.

• Duhen evituar vendet e nxehta dhe pa ajrisje, sidomos kur duhet qëndruar në këmbë në vendet publike si zyra, dyqane apo në supermarkatë etj.

• Duhet evituar koha e gjatë pa ngrënë. Prandaj duhet ngrënë në mënyrë të shpeshtë me sasi të vogël por të mjaftueshme ose/dhe duhet mbajtur me vete gjithnjë disa karamele me sheqer apo biskota.

• Përdorimi i kripra minerale me bazë kaliumi dhe magneziumi dhe sidomos përdorimi i preparateve me bazë hekuri dhe vitaminave të grupit B, janë të rekomanduara.

• Nëse çrregullimet e tilla janë të shpeshta, qëndrimi shtrirë anash majtas është i favorshëm.

• Veshjet, sidomos ato të brëndshme, duhet të jenë të lirshme dhe jo të shtrënguara pasi mund të pengojnë marrjen frymëmarrjen e lirshme dhe të thellë.

Kapsllëku (konstipacioni)

Konstipacioni është femomen i shpeshtë në fillim të shtatzënisë, për t’u paksuar në mes të saj dhe shtohet përsëri në muajt e fundit. Shkaktohet si rezultat i niveleve të larta të progesteronit në qarkullimin e gjakut. Ky hormon redukton lëvizshmërinë gastrointestinale dhe gjithashtu një faktor tjetër që influencon është shtypja që i shkaktohet zorrëve nga mitra e zmadhuar.

Në një kuptim, ky fenomen është në favor të përthithjes së lëndëve ushqimore aq të domosdoshme, por ndikon edhe negativisht për shkak se thithen lëngjet dhe masa për jashtëqitje bëhet e fortë duke vështërsuar kalueshmërinë e tyre. Konstipacioni në shumë raste, paraqitet tek shtatzënat që përdorin suplemente hekuri. Kjo gjendje, përveç dhimbjeve dhe vështërisë gjatë jashtëqitjes, ndikon në përkeqësimin e hemorroideve/majasëllit nëse ato janë të pranishme apo dhe në formimin e tyre.

Konstipacioni më i shprehur gjatë shtatzënisë, ndodh në tre mujorin e parë dhe të tretë.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar gjendjen e konstipacionit?

• Duhet rritur konsumi i zarzavateve dhe perimeve si dhe i frutave të pa përpunuara apo të zjerra. P.sh, për të parandaluar konstipacionin, shumë mirë bën konsumi çdo ditë i një supe me zarzavate.

• Përdorim të produkteve me miell integral, në vënd të atyre të rafinuara/përpunuara. Përdorimi i fibrave, rrit volumin e përmbajtjes në zorrë duke lehtësuar jashtëqitjen.

• Duhet rrritur konsumi i lëngjeve deri në tre litra në ditë. Kryesisht mund të përdoret ujë, por mund të konsumohen edhe lëngje të frutave pa gaz dhe pa sheqer.

• Lëvizje/ecje së paku gjysëm ore çdo ditë, në ajër të pastër pa u lodhur.

• Nuk duhet të konsumohen hurmat, bananet, çokollatat si dhe ato ushqime që favorizojnë konstipacionin.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së konstipacionit?

• Në mëngjes esëll, duhet konsumuar rregullisht një gotë me ujë.

• Përpara konsumit të ushqimit, mund të merret një lugë me vaj ulliri.

• Lakra turshi e konsumuar herë pas here, ndihmon tretjen e e ushqimeve.

• Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme, mjeku i përgjithshëm ose gjinekologu përshkruan një laksativ, i cili përshtatet me gjendjen e shtatzënisë. Përgjithësisht preferohet ato laksativ, që veprojnë në rritjen e volumit të materieve fekale siç janë; sheqernat jo të përthithshëm dhe jo ato të cilët veprojnë me një efekt stimulus në mukozën e zorrës.

• Në rastet e vështira dhe disa ditor të konstipacionit, mund të përdoren klizmat që veprojnë në mënyrë të menjëhershme. Përdorimi i tyre nuk është domosdoshmërisht i rekomanduar nga mjeku.

Diarreja

Të dalurit jashtë jo i formuar por i butë apo i ujshëm, mund të ndodhë për shumë arsye. Tek gratë shtatzëna, vihet re se shkaku kryesor është prania e stresit. Por diarreja mund të jetë edhe për shkak të ushqimeve, dhe kjo dallohet kur diarreja shoqërohet me të vjella. Por diarreja e shoqëruar me të vjella, mund të jetë edhe si shkak i virozave apo gjendjeve gripale.

Kur kohëzgjatja e të dalurit jashtë jo në mënyrë normale është e shkurtër, nuk ka vend për t’u shqetësuar. Kontrolli i humbjes së lëngjeve nuk duhet neglizhuar, sepse humbja e madhe e lëngjeve shoqërohet me humbje të lëndëve minerale si dhe me uljen e volumit qarkullues të gjakut. Nëse diarreja do të zgjasë disa ditë dhe e shoqëruar me temperaturë, kontakti me mjekun është i rëndësishëm.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar gjendjen e diarresë?

• Ushqimet që konsumohn duhet të jenë të sapo përgatitura, të sapo zjerra apo dhe të sapo pjekura mirë.

• Frutat, perimet dhe zarzavatet përpara konsumit apo përdorimit për gatim, duhet të lahen mirë me ujë të rrjedhshëm disa herë.

• Duhet evituar konsumi i qumështit dhe nënproduktet e tij si; ajka e qumështit apo akulloret e çdo lloji. Edhe akulli që serviret në gotë për të ftohur lëngjet, nuk duhet konsumuar.

• Lëngjet e frutave, çajrat apo edhe lëngjet e tjera duke përfshirë edhe ujin, duhet të konsumohen nga produktet e amballazhuara.

Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së diarresë?

• Duhen konsumuar sa më shumë lëngje dhe veçanërisht ujë, mundet edhe çajra të ndryshme apo edhe lëng supe pa yndyrë.

• Kur stomaku ndihet më i mbledhur, mund të konsumohet bukë e thekur apo produkte të tjera ushqimore që mbledhin stomakun.

• Pas përmirësimit të dukshëm që mund të ndodhë ditën e nesërme, mund të konsumohen produktet që konsumon familja, por duhen evituar ushqimet me yndyrë, ushqimet që treten me vështërsi si ëmbëlsirat apo të thartat.

• Nëse situata e diarresë nuk përmirësohet, mjeku mund të përshkruan medikamente antidiarreike.

Gazrat (meteorizmi)

Rritja e progesteronit, bën që organet e tretjes sidomos zorrët të ulin rritmin e punës. Kjo ngadalësi, bën që të prodhohen në ambjentet e zorrëve më shumë gazra dhe nuk ndihmon në daljen e tyre jashtë. Por, edhe rritja e bebit bën që zorrët të shtypen/ngushtohen, duke vështërsuar daljen jashtë si dhe duke rritur gazrat.

Edhe ndryshimi i mënyrës së ushqimit apo dhe ndryshimi i llojit të produkteve ushqimore, bën që shtatzënat të kenë më shumë gazra sesa në jetën jashtë shtatzënisë. Edhe mënyra e gabuar e konsumimit të ushqimit, bën që sasia e gazrave në zorrë të shtohen. Qumështi dhe produktet e tij, janë të pasura me kalcium dhe proteina. Nëse tretja e tyre bëhet me vështërsi, gratë shtatzëna që këto produkte i konsumojnë më shumë, janë më të ekspozuara nga gazrat.

Çfarë duhet bërë për të parandaluar formimin e gazrave?

• Konsumi i produkteve ushqimore, duhet bërë ngadalë dhe duhen përtypur sa më mirë.

• Lëvizje, është një nga mënyrat për të vënë në punë zorrët gjithnjë pa e tepruar dhe pa u lodhur. Kjo do të thotë, që duhen evituar qëndrimet e gjata ulur apo shtrirë.

• Nuk duhen konsumuar lakrat, lulelakrat, brokoli, fasulet/groshët si dhe prasi, qepa dhe hudhra. Nuk duhen konsumuar ushqimet e yndyrshme dhe të pjekura, buka integrale si dhe produktet me sheqer.

• Konsumi i një gotë me lëng frutash apo uji pa gaz në mëngjes, është shumë i mirë për të parandaluar meteorizmin. Gjatë ditës, konsumi lëngjeve të frutave, çajit dhe ujit, duhet të jetë sa më i madh. Edhe kosi, është një produkt ushqimor që ndihmon në evitimin e gazrave.

Çfarë duhet bërë për të dominuar shqetësimet nga gazrat?

• Frymëmarrje të thellë me bark, e përsëritur 4-5 herë në ditë për rreth 5 minuta.

• Masazh të barkut, duke lëvizur shputën/pëllëmbën e dorën në drejtim të akrepave të orës, e përsëritur 4-5 herë në ditë për rreth 5 minuta.

• Lëvizje gjimnastikore, nga pozicioni ku duar dhe gjunjët janë mbështetur në dysheme, ulet trupi derisa gjoksi të prekë dyshemenë por vithet të mbeten në pozicionin më të lartë të mundshëm. Lëvizja mund të përsëritet disa herë në ditë, me kohëzgjatje aq sa nuk ndihet lodhje apo sforcim.

• Konsumi i çajrave të ngrohtë, me porcione të vogla.

• Nëse rekomandimet e mësipërme nuk përmirësojnë situatën, konsulta me mjekun për të marrë medikamente që dominojnë gazrat, është e nevojshme.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Maj 2013

Diana (4 vite më parë)
Faleminderit shume doktoreshe per gjithe kete informacion te rendesishem,nje pjese e tyre jane duke me ndodhur mua sepse jan ne javen e 39 te shtezanise dhe kisha vertete nevoje per disa pergjigje te situatave qe po me ndodhnin.Ju uroj pune te mbare.