Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Lehonia: Lehonia normale

Të përgjithshme mbi lehoninë

Lehonia, në gjuhën mjeksore quhet periudha puerperale. Ajo fillon nga çasti i daljes së placentës dhe vazhdon nga 6-të deri në 8-të javë pas lindjes. Gjatë kësaj kohe në organizmin e gruas, zhduken pothuaj të gjitha ndryshimet e shfaqura në lidhje me shtatzëninë dhe lindjen. Aparati gjenital i gruas, kthehet krejtësisht në gjendjen e para shtatzënisë. Tek gratë që nuk ushqejnë me gji, mbarimi i periudhës puerperale karakterizohet me shfaqjen e funksionit menstrual, ndërsa tek nënat që ushqejnë fëmijën në gji, menstruacioni shfaqet më vonë dhe shpesh pasi të ketë ndaluar ushqimi me gji. Vetëm tek disa gra, menstruacioni ndodh pasi të kenë kaluar nga 6-të deri në 8-të javë pas lindjes.

Zhvillimi dhe rigjenerimi i organeve gjenitale

Pas daljes së placentës, uterusi kontraktohet dhe merr formë të rrumbullakët. Ai ka konsistencë të fortë dhe është mjaft i luajtshëm. Fundi uterin menjëherë pas lindjes, gjendet 1-2 gishtërinj nën kërthizë. 10-12 orë pas lindjes arrin nivelin e kërthizës, gjë që është e lidhur me ngritjen e tonusit të vaginës dhe të muskujve të perineumit. Uterusi zhvendoset lehtësisht, lart dhe anash. Kur vezika urinare është e mbushur, fundi uterin mund të arrijë deri tek brinjët. Kolumi uterin menjëherë pas lindjes ka pamjen e një thesi me mure të holla, kanali cervikal lejon kalimin e dorës, buzët e orificiumit të jashtëm varen në vaginë dhe formojnë plika. Sipërfaqja e brëndshme uterine paraqet në vetvete një shesh të plagosur që është formuar pas shkolitjes së placentës dhe të membranave. Gjatësia uterine menjëherë pas lindjes është 15 cm. Gjerësia në nivelin e tubave është 12-13 cm. Pesha e mitrës është rreth 1000 g.

Vagina pas lindjes është e lëshuar, e gjerë, organet e jashtme gjenitale të edematizuara, hyrja vaginale është e hapur. Në organet e jashtme gjenitale dhe në muret e vaginës, shpeshherë vërehen dëmtime dhe çarje. Në periudhën puerperale ndodh zvogëlimi uterin, riformimi i kolumit uterin dhe epitelizimi i faqes së plagosur uterine.

Vëllimi uterin zvogëlohet si pasojë e kontraksioneve të muskulaturës, që shkaktojnë aneminizimin dhe distrofinë lipoide të një pjese të fijeve muskulare. Për shkallën e kontraktimit uterin mund të gjykohet nga niveli i qëndrimit të fundit të saj. Gjatë 10-12 ditëve të para pas lindjes, fundi uterin zbret çdo ditë afërsisht një gisht. Në ditën e parë ose të dytë pas lindjes fundi i mitrës gjendet në nivelin e kërthizës, kur vezika urinare është e zbrazur. Në ditën e tretë, 1-2 gisht nën këthizë. Në ditën e katërt, 2-3 gisht nën kërthizë. Në ditën e pestë, në mes të kërthizës dhe pubisit. Në ditën e gjashtë, zbret më poshtë nivelit të lart përmendur, afërsisht 1 gisht. Në ditën e shtatë, gjendet 3 gishta mbi pubis. Në ditën e tetë, 2 gishta mbi pubis. Në ditën e dhjetë deri në të dymbëdhjetën, fundi i mitrës zakonisht zhduket nën pubis.

Mbi involucionin e mitrës mund të gjykohet në bazë të të dhënave që merren duke matur lartësinë e fundusit uterin. Matja bëhet zakonisht kur vezika urinare është e zbrazur. Njëkohësisht me gjatësinë e mitrës zvogëlohet gjerësia dhe pesha e saj.

Kolumi uterin formohet nga brenda jashtë. Orificiumi i brendshëm mbyllet më përpara, ndërsa i jashtmi më vonë. Orificiumi i brendshëm në ditën e tretë, ende është i kalueshëm për një gisht. Në ditën e shtatë ose të dhjetë ai mbyllet. Orificiumi i jashtëm mbyllet në javën e tretë pas lindjes. Në një kohë me kontraktimin uterin bëhet dhe regjenerimi i mukozës uterine si pasojë e zhvillimit të epiteliumit glandular dhe stromës bazale.

Rigjenerimi i endometriumit, paraqet në vetevete proçesin e epitelizimit të sipërfaqes së plagosur uterine. Gjatë kësaj kohe në faqen e plagosur formohet një mur prej leukocitesh, muri granular që pengon penetrimin e mikrobeve në murin e mitrës dhe në pjesët e tjera të organeve gjenitale. Epitelizimi i faqes së brendshme uterine mbaron në ditën e dhjetë, ndërsa rigjenerimi i plotë i endometriumit në ditën e 20-të pas lindjes.

Shpejtësia e involucionit të uterusit varet nga shumë faktorë. Më të rëndësishmit janë:

• Gjendja e përgjithshme amtare,

• Mosha,

• Karakteri i lindjes,

• Të ushqyerit me gji, etj.

Involucioni uterin ngadalësohet tek gratë e dobësuara dhe multiparet, tek primiparet atempate dhe pas lindjeve patologjike. Tek gratë që ushqejnë fëmijën me gji, uterusi kontraktohet shumë më shpejt sesa tek ato që nuk kanë gji.

Në periudhën puerperale normalizohet tonusi i vaginës, zvogëlohet vëllimi i saj, zhduket edematizimi dhe hiperemia, rigjenerohen dëmtimet dhe rupturat në regjionin e organeve të jashtme gjenitale, vaginë dhe në qafën uterine.

Ligamentet uterine gradualisht shkurtohen, tubat dhe ovaret marrin gjendjen dhe pozionin e mëparshëm. Gradualisht kontraktohet muri abdominal dhe përsëri muskujt perinealë marrin tonusin e zakonshëm. Tek disa gra, muri abdominal nuk arrin pas lindjes elasticitetin e mëparshëm. Cikatricet e shtatzënisë marrin ngjyrë të bardhë, pigmentacioni i vijës së bardhë të abdomenit kalon plotësisht ose bëhet pak më i theksuar.

Lohjet ose sekrecionet puerperale

Gjatë procesit të rigjenerimit të endometrit formohen sekrecionet puerperale, lohjet. Lohjet paraqesin në vetvete sekrecione të sipërfaqes së plagosur uterine. Lohjet përbëhen nga serumi i gjakut, nga mbeturina të membranës deciduale dhe nga leukocite. Në ditët e para lohjet përmbajnë sasi të madhe gjaku.

Në tre-katër ditët e para, lohjet janë të kuqe dhe përmbajnë sasi të mëdha elementesh sanguine, lohjet rubra. Në ditët e mëvonshme lohjet gradualisht marrin ngjyrë më të hapur dhe kanë pamjen e sekrecioneve seroze, lohjet seroze, ndërsa në ditën e 10-të ato nuk përmbajnë gjak, lohjet alba. Sasia e lohjeve zvogëlohet gradualisht që nga java e tretë. Ato janë të pakta, mukoide dhe pas lindjes zhduken në javën e 5-të deri të 6-të.

Kur involucioni uterin ngadalësohet, dalja e lohjeve zgjatet më tepër gjithashtu zgjatet dhe prania e gjakut në to.

Funksioni i gjëndrave të qumështit gjatë kohës së shtatzënisë

Në gjëndrat e qumështit ndodhin ndryshime, që i përgatisin ato për funksionin e ardhshëm në prodhimin e qumështit. Edhe gjatë shtatzënisë, nga thumbi i gjirit mund të shtrydhet kulloshtra. Kulloshtra përfaqëson në vetvete një lëng me reaksion bazik që përmban proteinë, qeliza epiteliale dhe leukocite të mbushura me pika lipoide.

Në ditën e dytë ose të tretë të paslindjes, fillon dalja e qumështit. Zakonisht gjatë kësaj kohe gjendrat fryhen dhe bëhen më të ndjeshme. Kur këto fryhen dhe forcohen lehona ankohet për dhimbje në gjendrat e qumështit, që irradohen në regjionin aksilar ku nganjëherë preken nodula shumë të ndjeshme. Dalja e qumështit bëhet nën ndikimin e veprimeve të ndërlikuara reflektore dhe hormonale. Proçesi i formimit të qumështit, rregullohet nga sistemi nervor dhe hormoni laktogjen i hipofizës.

Gjatë aktit të të thithurit si pasojë e ngacmimit të elementeve nervore, në thumba lindin kontraksionet e mitrës. Kontraksionet reflektore të mitrës gjatë ushqyerjes me gji, jo rrallë ndihen nga lehona si kontraksione lindje.

Qumështi është një lëng i bardhë, që paraqet në vetvete emulsion pikash të vogla dhjami që gjenden në serum. Qumështi ka reaksion bazik, duke u zier nuk koagulohet. Përbërja e qumështit të gjirit përmban rreth 87-88% ujë, 1,5-2,0% proteina (kazeinë dhe albuminë), 3,5-4,0% dhjamra, 6,6-7,5% sheqer dhe 0,18-0,2% kripëra.

Gjendja e përgjithshme dhe organet e brendshme

Kur periudha puerperale zhvillohet normalisht, gjendja e përgjithshme e lehonës është e mirë. Në ditët e para tek lehona, vërehen nganjëherë dhimbje jo të vazhdueshme në regjionin e organeve të jashtme gjenitale dhe në perineum. Nganjëherë lehonat ankohen për kontraksione me dhimbje veçanërisht gjatë ushqyerjes me gji. Respiracioni i lehonave është i thellë, 14-16 herë në minutë. Pulsi ritmik i plotë, 70-75 rrahje në minutë, jo rrallë vërehet rrahje e shpejtë e zemrës, bradikardia fiziologjike. Tensioni arterial është normal ose pak i ulur, temperatura është normale. Pulsi dhe temperatura e trupit, zakonisht karakterizojnë zhvillimin e periudhës puerperale. Pulsi i shpeshtë 90 rrahje/min dhe më tepër dhe ngritja e temperaturës mbi 37°C tregon për komplikacione, më tepër për sëmundje infektive puerperale. Lehonat djersiten mjaft, veçanërisht kur pijnë shumë.

Metabolizmi i lëndëve në javët e para të periudhës puerperale është i ngritur, ndërsa më vonë bëhet normal. Pesha e trupit në ditët e para pas lindjes ulet, më vonë përsëri shtohet, zakonisht në llogari të dhjamit.

Urinimi, veprimtaria e veshkave në periudhën puerperale është normale por urinimi shpesh herë vështirësohet në lidhje me disfunksionin e vezikës urinare. Ka ç’regullime kur lehonës nuk i vjen për të urinuar dhe kur vezika urinare është e mbushur plotësisht. Nganjëherë vështirësohet urinimi ngaqë gruaja ka dhimbje gjatë aktit të urinimit. Ç’rregullimi i të urinuarit mund të varet nga atonia e vezikës urinare ose nga edematizimi i mukozës si pasojë e komprimimit nga koka e fetusit. Dhimbja gjatë urinimit zakonisht është e lidhur me rënien e urinës në dëmtimet e organeve të jashtme gjenitale dhe të perineumit. Mosurinimi varet edhe nga fakti se disa lehona nuk mund të urinojnë në pozicionin shtrirë.

Funksioni i intestinit

Në periudhën puerperale shpeshherë vërehen konstipacione (kapsllëk), që varen nga atonia e intestinit. Atoninë intestinale e kushtëzon dobësimi i presës abdominale dhe regjimi i shtratit. Tek lehonat nganjëherë vërehen nodula hemoroidale të cilat zakonisht e shqetësojnë së tepërmi gruan. Nodulat hemoroidale kur inkacerohen, zmadhohen dhe shkaktojnë dhimbje veçanërsisht gjatë defekimit.

Drejtimi i periudhës puerperale

Kur periudha puerperale zhvillohet normalisht, lehona është grua plotësisht e shëndoshë. Megjithatë ajo ka nevojë për regjim të veçantë i cili kushtëzon involucionin e drejtë të organeve gjenitale, rigjenerimin e plagëve dhe funksionin normal të organizmit.

Në organizimin e kujdesit për lehonat, rëndësi të veçantë ka zbatimi i të gjitha rregullave të asepsisë dhe antisepsisë.

Sipërfaqja e plagosur e mitrës, dëmtimet dhe rupturat e indeve të buta të rrugëve të lindjes mund të shërbejnë si porta hyrje për infeksionin. Prandaj futja e infeksionit në rrugët gjenitale të lehonës, përfaqëson rrezik të vërtetë në lidhje me zhvillimin e infeksionit puerperal septik. Gjithashtu rrezik paraqet infektimi i dëmtimeve të thumbave të gjirit që shpeshherë vërehet tek lehonat. Penetrimi i infeksionit nëpërmjet thumbave të çarë shkakton inflamacionin e gjëndrës së qumështit, mastitin.

Prandaj në periudhën puerperale, rëndësi jashtëzakonisht të madhe ka pastërtia rigoroze e dhomave, e shtretërve, dhe e gjithë sendeve të tjera. Të gjitha materialet dhe sendet e nevojshme, që bien në kontakt me organet gjenitale të jashtme dhe gjëndrat e qumështit tek lehona duhet të jenë sterile. Gjatë pastrimit të lehonës kërkohet larja e mirë e duarve.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Nëntor 2010

/komuniteti