Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Sindroma paramenstruale

Shqetësimet para periodave/zakoneve

Jeta riprodhuese femërore, fillon pas ardhjes së menstruacionit të parë. Prandaj vajzat, duhet të përgatiten për këtë ndryshim fiziologjik, që të mos përballen me pasoja të pakëndëshme. Ditët e paraardhjes të menstruacioneve, shoqërohen me simptoma të cilat prishin në veçanti kualitetin e jetës personale dhe familjes, si dhe të shoqërisë në përgjithësi. Periudha paramenstruale është e shoqëruar me një sërë sindromash të cilat duhen të trajtohen për konformitet.

Kush është kuptimi i sindromës paramenstruale?

Sindroma paramenstruale është gjëndja shëndetsore jo e zakonshme e gruas, e cila fillon deri në shumë ditë para ardhjes se menstruacioneve e përfundon me ardhjen e tyre. Me sindromë paramenstruale kuptohet gjëndja mjeksore, me një sërë simptomash të karakterit fizik dhe emocional. Një pjesë e grave shfaq dhe vetëm një simptomë, në ditët para menstrucionit. Dhe në këto raste, kemi të bëjmë me sindromë paramenstruale.

Cilat janë simptomat e sindromës paramenstruale?

Simptomat e sindromës paramenstruale mund të paraqiten të lehta, të moderuara ose të forta. Kjo varet nga shumë faktorë; si karakteri individual, forca për të përballuar ndryshime organike, ushqimi, koha, gjendja shpirtërore, gjendja fizike dhe mjeksore në tërësi e të tjera.

Simptomat e sindromës paramenstruale mund të jenë; lodhje, tensionim i gjirit, dhëmbje në gji, fryrje barku, shtim në peshë, fryrje të kyçeve, dhëmbje koke kryesisht në gjysmën e saj e të tjera.

Prishet sasia dhe cilësia e gjumit. Ai është i pamjaftueshëm dhe joshplodhës. Gjumi vjen me vështërsi, ka zgjime disa herë gjatë natës. Rezultati është se pas zgjimit, organizmi ndihet i lodhur, i dembelosur dhe mund të ndjejë simptomat emocionale të sindromës paramenstruale të paraqitura si me poshtë: irritim, tensionim emotiv, ndyshim i humorit, pasiguri, kriza e të qarit pa arsye, manifestive depresive, agresivitet, mos koncentrim e të tjera. Nga ana tjetër gjumi normal sjell qetësinë për të përballuar stresin, për të marrë vendime, për të kujtuar dhe mësuar. Pas gjumit normal, njeriu zgjohet i çlodhur dhe i freskët.

Përse është i rëndësisëm diagnostikimi i sindromës paramenstruale

Simptoma të ngjashme me simptomat e sindromën paramenstruale, mund të shkaktohen dhe nga faktorë të tjerë, prandaj përcaktimi i saktë i diagnozës është i vështirë. Nëse simptomat rregjistrohen çdo ditë për një periudhe kohe dy deri në gjashtë muaj, është e mundur që me këtë informacion personeli shëndetsor të hartojë historinë mjeksore, të bëjë kontroll fizik dhe të rekomandojë ekzaminime laboratorike. Në varësi të tyre, përgatitet dhe trajtimi i sindromës paramenstruale me veçantitë për çdo individ.

Si mund të trajtohet sindroma paramenstruale?

Trajtimi i sindromës menstruale mund të realizohet nëpërmjet; ekuilibrit ushqimor, kontrollit të gjumit, ushtrimeve fizike, kontrollit të stresit, terapisë mjeksore dhe rregullimit të komunikimit me veten dhe ambjentin ku jeton dhe punon femra/gruaja.

 

Ekuilibri ushqimor ndihmon lehtësimin e sindromës paramenstruale, gjumit jo normal, zbutjen dhe fryrjen e gjinjve. Në rregjimin ushqimor përfshihet:

 Dietë të shëndetshme me perime dhe zarzavate, arrat dhe arrorët e tjera, vezë, mish, qumësht dhe nënproduktet e tij e të tjera.

 Përdorimi dhe konsumi i ekuilibruar të ujit dhe lëngjeve.

 Përdorimi i multivitaminave dhe i kriprave minerare.

 

Kontrolli i gjumit me cilësinë dhe sasinë e nevojshme, është faktor në lehtësimin e simptomave të sindromës paramenstruale. Femrat duhet të respektojë:

 8-të orë gjumë pa ndërprerje çdo natë, me orar të njëjtë fjetje dhe zgjimi.

 Dhomë gjumi e errët, duke përdorur edhe perde të rënda.

 Pushim dhe dremitje, deri në gjumë.

 Kufizim i leximit apo veprime të tjera në shtrat, në orarin e gjumit, që nuk kanë të bëjnë me gjumin.

 Dhomë gjumi të qetë pa aparate fonike dhe vizuale apo kafshë shtëpiake.

 Qetësi në mëngjes, ku familjarët të mos kërkojnë ndihmë pa kriter nga nëna, gruaja, motra dhe të mos bëjnë zhurma të tepërta.

 

Ushtrime fizike të lehta, që reduktojnë simptomat paramenstruale janë:

 Ngjitja dhe ulja e shkallëve në këmbë si dhe ecjet ritmike.

 Udhëtime me biçikletë.

 Notimi.

Këto ushtrime zhvillohen lehtë dhe në kohë të shkurtër jo më shumë se 20 deri 30 minuta, 3-4 herë në javë. Rekomandohet që ushtrimet të kryhen pasdite, pasi shtojnë kohën e gjumit gjatë natës. Ushtrimet që bëhen në mbrëmje, ndërpresin ciklin e gjumit normal duke shtuar kështu stresin.

 

Kontrolli i stresit, ka rëndësi në jetën e përditëshme. Kur gratë ankojnë sindromë paramenstruale, stresi përkeqëson simptomat e saj. Kuptimi i kontrollit të stresit, ka të bëjë me ballancimin e periudhës së stresit me periudhën e relaksimit.

Dy janë teknikat më të thjeshta për relaksim, të cilat duhen praktikuar sa herë që gruaja ndihet e acaruar.

Frymëmarrja e thellë.

Vendosen duart mbi stomak, dhe merret frymë thellë dhe ngadalë nëpërmjet hundës. Mushkritë mbushen me ajër, dhe lejohet që stomaku të zgjerohet. Fryma mbahet disa çaste dhe nxirret ngadalë nëpërmjet gojës, duke zbrazur plotësisht mushkritë. Ushtrimi përsëritet deri 5 herë.

Virtualiteti.

Shkohet me mëndje në vëndin që të relakson si kopshti me lule, shëtitjet në mal, plazhi, shëtitjet në qetësi apo çdo vënd tjetër.

 

Terapia mjeksore, rekomandon preparate për të reduktuar simptomat e sindromës paramenstruale. Ato përfshihen sa më poshtë:

 Diuretikë, të cilët paksojnë ujrat dhe ulin fryjet.

 Qetësues dhe antidepresantë, të cilët qetësojnë simptomat emocionale.

 Medikamente, të cilët ulin tensionimin e gjinjve.

 Progesteron, i cili ballancon nivelet hormonale.

 Vitamina B6.

 Pilula kontraceptive ose përdorimi i dispozitivit intrauterin mjeksor-DIU.

 

Komunikimi me veten dhe ambjentin ku jeton dhe punon.

Asnjëherë nuk duhet menduar, se sindromat paramenstruale mund të eliminohen. Ato shfaqen herë pas here, duke dhënë ditë të rënduara ashtu si dhe ekuilibrohen duke dhënë ditë të mira. Kjo është më së shumti në dorën e gruas, pastaj të personelit shëndetsor dhe ndoshta edhe të punonjësit social.

Zgjidhja e shqetësimeve të sindromës paramenstruale, nuk duhet të mendohet vetëm me rekomandimet e personelit shëndetsor. Ai është fillim shumë i mirë i përkujdesjes, për jetë cilësore. Gruaja duhet të mësohet, dhe të ndihet mirë me veten. Nëse është e ngarkuar me punë, duhet gjetur kurajo për të thënë edhe “jo” ndaj mbingarkesës dhe duke i zgjidhur gjërat sipas rëndësisë. Duhet gjetur koha edhe për pushim edhe, për relaks, edhe për argëtim. E rëndësishme është, që vetë gruaja të fitojë kurajo dhe të mundë plogështinë.

Kur gruaja pasqyron simptomat e sindromës paramenstruale, njerzit që e rrethojnë në familje shohin shqetësime tek njeriu i tyre. Gruaja duhet të tregojë se ka një shqetësim shëndetsor, dhe se po mundohet ta zgjidhë. Në këto raste, familjarët ofrojnë ndihmën e tyre duke zgjidhur problemet siç janë; kujdesja për fëmijët e vegjël, kujdesja për të moshuarit, pastrimi, gatimi, blerjet ushqimore etj. Gjithashtu familjarët duhet të tentojnë të ulin tensionin duke mbajtur qetësi, duke folur me zë të ulët, duke mos përplasur sende të ndryshme e të tjera si këto.

Nëse mendohet se sindroma paramenstruale është bërë pengesë në realizimin e detyrave apo prishjen e marrëdhënieve të punës, është e këshillueshme të flitet me kolegët e punës si dhe me eprorin.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Mars 2011

Botuar në nr.2 të Revistës Shëndeti Riprodhues, organ i Institutit të Shëndetit Publik Shqiptar (e ripunuar).