Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Udhetimi me aeroplan

Pershendetje, jam shtatezane 7 muajshe, dhe me duhet te marr 1 udhetim qe zgjat 2 dite, me makine, po avioni lejohet? nuk di si te veproj, cili do ishte rekomandimi juaj, mund ti ndodh gje bebes? Tung

Daila (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Udhëtimet me avion, nuk përbëjnë rreziqe të veçanta për një grua me shëndet të mirë gjatë shtatzënisë si dhe për fetusin e saj.

Presioni i kabinës së avionit (i rregulluar në një nivel të barabartë krahasuar me presionin e atmosferës në lartësinë 1500 deri 2400 metra) sjell ulje të presionit të oksigjenit, gjë që nuk ka nevojë për mekanizma kompensimi për fetusin. Kjo situatë shkakton shtim të frekuencës kardiake të nënës, dhe si rrjedhim shtim të vogël të presionit të brëndshëm.

Thatësia e ambientit mund të provokojë probleme respiratore.

Turbulencat gjatë fluturimit janë të paparashikueshme dhe nga kjo mund të thuhet se rreziqet e traumave janë domethënëse, prandaj këshillohet përdorimi i gjithëkohshëm i rripit të sigurimit.

Që të shmanget çdo lloj emergjence gjatë udhëtimit me avion, fluturimi nuk është i rekomanduar në asnjë kohë gjatë shtatzënisë. Shmangia rekomandohet sidomos tek ato gra që kanë patologji si; hipertension, diabet të pakontrolluar, rrezik të madh nga lindjet e parakohshme ose anomali të pozicionit të placentës. Kushtet e mjedisit brenda një avioni mund të krijojnë situata të pafavorshme tek gratë shtatzëna që vuajnë sado pak nga ç’rregullime të sistemit kardiovaskular.

Një nga problemet e të gjithë udhëtarëve është mundësia e formimit të një tromboze të thellë venoze, sidomos në udhëtimet që i detyrojnë të qëndrojnë ulur për një kohë të gjatë. Ky pozicion është një pengesë mekanike për kthimin e gjakut venoz nga këmbët në zemër. Studimet shkencore vënë re se mundësia e trombozës së thellë venoze, dyfishohet ose trefishohet sidomos në udhëtimet që zgjasin për më shumë se 4 orë.

Për gratë shtatzëna ky problem duhet të merret në konsideratë. Shtatzënia në vetvete nga tremujori i parë, paraqet faktor rreziku për trombozë të thellë venoze dhe është përgjegjëse e modifikimeve të faktorëve të koagulimit që ndodhin fiziologjikisht. Pra është e qartë, se gruaja shtatzënë që udhëton me avion paraqet rrezik të theksuar për të pësuar trombozë të thellë venozë.

Nëse vendoset për të udhëtuar me avion gjatë shtatzënisë, rekomandohen disa këshilla për t’u zbatuar. Duke u bazuar në kushtet shëndetsore dhe në kohëzgjatjen e udhëtimit, ato duhet të bëjnë masazh të herë pas hershëm të pulpave të këmbëve. Herë pas here, është mirë që të ngrejnë këmbët në nivelin e ndejses së tyre. Në momentet kur nuk kërkohet qëndrimi ulur dhe përdorimi i rripit të sigurimit, gruaja duhet të ecë përgjatë koridorit të avionit. Për të shmangur dehidratimin të pihet ujë, por asnjëherë të mos përdoren pije alkoolike apo pije me gaz gjatë udhëtimit si dhe disa orë para udhëtimit. Atje ku parashikohen më shumë se 4 orë udhëtim me avion, është e rekomanduar përdorimi i aspirinave (100mg/në ditë) duke filluar tre ditë përpara.

Në fluturimet e gjata, përdorimi i çorapeve që ushtrojnë trysni, është shumë i favorshëm duke ulur dukshëm mundësinë e shfaqjes së trombozës së thellë venoze.

Çdo kompani ajrore ka rregullat e saj përsa i përket udhëtimit me avion. Brënda tyre janë të parashikuara edhe rregullat për gratë shtatzëna. Këto rregulla mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Është shumë i mundur kërkimi informacionit të saktë mbi këtë, në momentin e prenotimit të biletës së udhëtimit në agjensitë e fluturimit.

Edhe pse jo shpesh, lindje në avion kanë ndodhur. Nëse ndodh, mbetet vetëm të urojmë lindje të mbarë dhe të shpresojmë se aty mund të jetë rastesisht një mjek obsetetër. Në të kundërt, mbarëvajtja e lindjes dhe shëndeti i nënës dhe fëmijës do të varet në duart e pasagjerve.

Disa kompani ajrore japin favore për bebet lindur në avion. Fëmija merr shtetësinë e prindërve, kurse vendlindja mund të jetë e ndryshme nga shtetësia. Në disa vende, ekziston e drejta e përfitimit të vendlindjes, sipas të cilit bebit i rregjistrohet si vendlindje shteti mbi të cilin po fluturonte në momentin e lindjes avioni ose shteti i parë ku ka mbritur pasagjeri me i vogël pa biletë udhëtimi.

Daila, të uroj të lindësh një bebe të shëndetshme në kushte normale.

/komuniteti