Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Per bebin

Tung,


Jam Nita jam shtatezane ne javen e 36, kam qene te mjeku me ka thene qe bebja ka peshe 3 kg e 100 grame, une nuk kam shtuar peshe gjate shtatezanise, pak vet barkun e kam te fryre a ashte rrezik per bebin e per mua me linde ashte femiu i pare jam 22 vjeqare?

Nita (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Si fillim dua t’ju uroj, që fëmija juaj i parë të lindë i shëndetshëm.

Ju shkruani se jeni shtatzënë në javën e 36, dhe mjeku ju ka thënë se fëmija peshon rreth 3 kg e 100 g. gjithashtu thoni se, nuk keni shtuar në peshë. Nëse është i vërtetë përsa shkruani, rasti juaj zonja Nita më duket interesant.

Duhet t’u vë në dijeni se:

• Gratë në moshë riprodhuese dhe me aktivitet fizik normal, duhet të marrin gjatë ditës rreth 2100-2200 kalori. Në periudhën e shtatzënisë, gruaja duhet të rrisë në mënyrë të moderuar sasinë e kalorive.

• Deri në fund të tremujorit të parë, duhet që sasisë të kolorive të marra përpara shtatzënisë, t’i shtohen 100 deri 150 kalori në ditë.

• Ndërsa gjatë tremujorit të dytë dhe muajt të tjerë të shtatzënisë deri në lindje, duhet të shtojë edhe 150 kalori të tjera në ditë.

• Në shtatzënitë e adoleshenteve dhe ato multiple, nevojat për kalori janë edhe më të mëdha. Domosdoshmëria e shtimit të kalorive duhet të shoqërohet me rregjim ushqimor që përmbledh ushqyerjen korrekte të nënës dhe fetusit/fëmijës. Kjo do të thotë që gruaja shtatëzënë duhet të ushqehet me ushqime të ekuilibruara, të shumëllojshme që garantojnë raport korrekt të marrjes së gjithë substancave ushqimore të domosdoshme për ruajtjen e nevojave të gruas dhe fetusit/fëmijës.

Marrja e kësaj sasie energjie shoqërohet me ndryshme të peshës së gruas shtatzënë. Afërsisht situata përshkruhet si më poshtë:

• Çdo grua me peshë trupore normale që fillon shtatëzëni, shtesa në peshë deri në lindje duhet të jetë nga 11.4 deri në 16 kg. Gjatë 20 javëve të para, shtesa në peshë më e lejuar është deri në 3.5 kg, duke shtuar më pas 0.5 kg në javë.

• Për atë grua që fillon shtatzëninë në gjëndje të mbi peshës, shtesa në peshë deri në lindje duhet të jetë nga 7 deri në 11.5 kg. Gjatë 20 javëve të para, shtesa në peshë më e lejuar është deri në 2.5 kg, duke shtuar më pas 0.35 kg në javë.

• Ndërsa gratë që janë obese, shtesa në peshë deri në lindje nuk duhet të shkojë mbi 7 kg. Gjatë 20 javëve të para, shtesa në peshë më e lejuar është deri në 2.2 kg, duke shtuar më pas 0.25 kg në javë.

• Gratë që nisin shtatzëni me gjëndje nën peshë, shtesa në peshë mund të shkojë nga 12.5 deri në 18 kg. Gjatë 20 javëve të para, shtesa në peshë më e lejuar është deri në 4 kg, duke shtuar më pas 0.6 kg në javë.

Zonja Nita. Duke krahasuar atë që ju shkruani dhe të dhënat e përafërta mesatare të paraqitura sa me sipër, mund të konsideroj se kemi të bëjmë me një situatë të pa qartë. Do t’ju lutesha të konsultoheshit më mjekun gjinekolog (ose edhe me mjekun e familjes), pasi ata në bazë të përcaktimit të indeksit të masës trupore do të përcaktojnë dhe zgjidhin problemin tuaj.

Meqënëse edhe pak javë kanë mbetur për lindjen e fëmijës tuaj, ju uroj që ai të jetë i shëndetshëm dhe ju të jeni në gjëndje të mirë shëndetsore për të garantuar mirë rritjen e tij.

/komuniteti