Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Deti

E nderuara doktoreshe, a mund te me tregoni se a mund te me ndihmoje deti per te mbetur shtatezene, jam e martuar qe 4 vite dhe ende ku mundem. Ju lutem me sqaroni.


Faleminderit

Jetaaa (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Jeta,

dua të të shpjegoj si fillim, në mënyrë që ti të dish se konceptimi i fëmijës është pasojë e seri ngjarjesh komplekse. Ato fillojnë me pjekjen e plotë dhe përfundimtare të spermatozoideve (qelizave mashkullore) dhe ovociteve (vezëve femërore). Ngjarjet vazhdojnë me transportimin e spermatozoidëve në kanalet mashkullore deri në thellësi të vaginës së gruas, si dhe me trasportimin e tyre në brendësi të traktit gjenital femëror. Finalizimi i këtyre ndodhive, është takimi i së paku të njërit prej spermatozoidëve me vezën femërore. Takimi i sukseshëm, konkludon me fillimin e jetës së re në trupin e nënës.

Në të gjithë këtë proces që duket kaq i thjeshtë, sikur të shfaqet qoftë edhe një mangësi sado e vogël, mund të sjellë probleme të fertilitetit femëror ose mashkullor (pra mund të sjellë pa mundësinë për të lindur fëmijë). E thënë më shqip, çifti nuk mund të lindë fëmijë. E dashur Jeta, nëse kalohen mangësitë e mundshme, atëherë mundësia për të mbetur shtatzënë është e madhe. Dhe këtë pengesë, është e mundur ta trajtojë vetëm shkenca e mjeksisë.

Meqënëse ju, keni 4 vjet që nuk mbeteni shtatzënë, do t’ju rekomandoja të paraqiteni tek mjeku gjinekolog. Ai do t’ju kërkojë që ju si çift, të bëni një seri kontrollesh gjinekologjike dhe andrologjike si dhe një seri ekzaminimet laboratorike të domosdoshme. Në bazë të tyre, mjeku specialist do përcaktojë strategjinë e terapisë.

Unë nuk di, që deti të njihet shkencërisht si ndihmues në mbetjen shtatzënë. Mund të bëni banjo deti, rëre, dielli dhe kënaqu për dëshirën tënde. Në mjeksi, njihen edhe disa lloj poçedurash fizioterapeutike që konsistojnë në terapinë me baltë të nxehtë apo me parafinë apo ndonjë metodë tjetër. Por këto proçedura jepen vetëm me këshillën e mjekut gjinekolog, pasi më parë janë lexuar nga ai dhe janë nxjerë përfundimet nga analizat laboratorike që keni kryer.

Jeta, të këshilloj sa më shpejt që të mundesh, të paraqitesh tek mjeku gjinekolog. Ndigjoi dhe zbatoi këshillat e tij. Edhe bashkëshorti juaj të paraqitet tek andrologu. Ndigjoni dhe zbatoni këshillat e e mjekut androlog.

Me shumë dëshirë të uroj që të mbeteni shtatzënë, sa më shpejt që të jetë e mundur.

/komuniteti