Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Shenjat e shtatzënësisë së shumtë

Kontrolloni listën e 10 shenjave të binjakëve/shtatzënisë së shumtë

A nënkupton shtatzënia e shumtë edhe shenja të veçanta të shtatzënisë? Po,… dhe jo. E vërteta është që neveria e mëngjesit, të përzierat, lodhja dhe shtimi në peshë mund të jenë më intenzive proporcionalisht me numrin e foshnjave. Shtatzënitë mund të jenë dyfish më të rënda, trefish më të lodhshme apo katërfish më shumë kilogramë. Por, disa nëna të lumtura ndjejnë vetëm siklet të butë, aq të butë sa që rrallëherë dyshojnë që mund të bartin më shumë se një fëmijë.

Kontrolloni listën e 10 shenjave të binjakëve/shtatzënive të shumta. Nëse dyshoni që mbani më shumë se një fëmijë – për shkak të simptomeve të pranishme që i kemi dhënë apo për shkak të intuitës femërore – lajmëroni gjinekologun tuaj.

1. Shtimi në peshë

Sikurse shtatzënia e shumtë që mund të shkaktojë rritjen më të shpejtë të mitrës, ashtu mund të shkaktojë edhe rritja e shtimit në peshë. Se sa fiton shtatzëna në peshë mvaret prej gjatësisë së saj, tipit të trupit dhe prej asaj se sa peshonte para shtatzënisë. Shtimi i shpejtë në peshë para se gjithash, mund të tregojë edhe konsumimin e shtuar të ushqimit, dhe jo shtatzëninë e shumtë.

Gjer në fund të tremujorit të dytë, shumica e nënave të binjakëve fiton rreth 7 – 11 kg, përderisa shtatzëna me një fryt fiton rreth 4,5 – 9 kg.

2. Matja e madhësisë së fetusit duke marrë parasysh periudhën gestacionale

Gjatë shtatzënisë gjinekologu do të mat gjatësinë e fundusit (skaji i sipërm i mitrës). Ajo matet nga kocka pubike gjer tek maja e mitrës. Gjatësia fundusit shërben si tregues i periudhës gestacionale (periudha e shtatzënisë). Shtatzënia me binjakë apo e shumtë mund të shkaktojë rritjen e mitrës mbi limitet e shtatzënisë me një fryt. Por, edhe faktorë të tjerë mund të shkaktojnë rritjen e madhësisë.

Rritja e madhësisë së mitrës mund të jetë shenjë e fortë e shtatzënisë së shumtë. Megjithëse, tek shumica e grave shtatzënia është herët e dukshme dhe mos alarmoni të gjithë familjarët nëse nuk jeni në formën tuaj që në javën e gjashtë të shtatzënisë.

3. Dobësi dhe lodhje e fortë, e pazakontë

Një fëmijë “thith” energjinë trupore, andaj paramendoni se çfarë mund të bëjnë dy fëmijë, tre apo më shumë fëmijë të cilët i bartni në vete. Nëse nuk keni qenë shtatzënë më parë, do të ju habisë energjia e dobët, por nuk do të mendoni që kjo është ndonjë gjë e pazakontë. Nëse keni qenë shtatzënë me një fëmijë më parë, do të mendoni që është lodhja më e madhe, sepse jeni më e moshuar apo për shkak të obligimeve të pranishme familjare dhe ato të punës. Por, lodhja është shenja më e zakonshme e shtatzënive të shumta.

Një nënë e kujton shtatzëninë e saj me binjakë: “Më e keqja ishte lodhja. Nuk mund të rrija zgjuar pas 15 orëve, njëherë më kapi lodhja aq e madhe duke i dhënë makinës për në shtëpi, sa që kur arrita në shtëpi, më zuri gjumi në makinë, në oborrin e shtëpisë”.

4. Niveli i rritur i HCG-së (Human Chorionic Gonadotropin)

Mjekët mund të ndjekin nivelin e HCG-së për arsye të ndryshme. HCG-ja është hormon i cili gjendet në urinën dhe gjakun e gruas shtatzënë, 10 ditë pas konceptimit; niveli rritet shumë shpejtë dhe arrin kulminacionin e tij rreth javës së 10 të shtatzënisë. Binjakët mund të shkaktojnë rritjen e nivelit të HCG-së. Mirëpo, niveli standard i HCG-së për binjakët bën pjesë mbrenda kufinjve normal të shtatzënisë me një fryt.

5. Rezultatet jonormale të testit alfa-fetoprotein

Testi AFP (Alfa-fetoprotein) i gjakut është ai i cili merret tek shtatzënat në tremujorin e dytë. Është i njohur si Triple Test, përdoret për zbulimin e rreziqeve nga çrregullimet e caktuara të frytit. Shtatzënia me binjakë mund të shkaktojë nivelin e lartë të AFP-së.

Për shumë nëna të cilat nuk kanë kurrfarë simptome të veçanta, kjo është gjëja e parë e dyshimtë për ato dhe për gjinekologun e tyre. Testi AFP mat proteinat të cilat gjenden normalisht në gjakun fetal, ndërsa sekretohen nga mëlçia.

Bartja e më shumë se një fëmije, rrit nivelin e kësaj proteine në gjakun e nënës. Për arsye se niveli i lartë i kësaj proteine mund të shkaktojë parregullsi nëse bëhet fjalë për shtatzëni me një fryt, atëherë mjeku do të ju udhëzojë të kryeni ultrazë, në mënyrë që të zgjidhet situata.

6. Të përziera më intenzive të mëngjesit, duke përfshirë lodhjen dhe të vjellat

Rreth 50 % e shtatzënave përjetojnë ndonjë lloj neverie apo të vjella të cilat janë të lidhura me shtatzëninë e tyre. Shtatzënitë e shumta nuk përjashtohen, por as nuk janë të prekura nga doza të dyfishta. Vetëm rreth 15 % të anketuarave kanë pohuar që kanë patur të përziera të mëngjesit më intenzive si tregues i shtatzënisë së shumtë.

Disa nëna të binjakëve pohojnë që simptomet e shtatzënisë kanë qenë më intenzive se sa në shtatzëninë me një fryt.

Një nënë e binjakëve të lindur në vitin 2001 kujton: “Kam patur neveri mëngjesi kur isha shtatzënë me binjakët, ndërsa në dy shtatzënitë e mëparshme nuk kisha fare. Kam humbur 2 kg në tremujorin e parë.” Mirëpo, ajo nuk e kishte kuptuar që kishte binjakë gjer në tre orë para vet lindjes!

Shembulli tjetër, nëna e trenjakëve thotë: “Nuk mund të them nëse kam vërejtur ndonjë dallim të madh në mes të vajzës sime dhe trenjakëve. Në fakt, më shumë neveri kisha në shtatzëninë e parë sesa tani me trenjakët.”

7. Lëvizjet më të hershme/shpeshta të fëmijës

Ndjenja e lëvizjeve të fëmijës - apo fëmijëve – mbrenda mitrës është një ndër momentet më emocionuese në shtatzëni.

Edhe pse ekspertët mjekësorë nuk pajtohen, nënat e binjakëve pohojnë që së pari ndjejnë lëvizjet e foshnjave të tyre. Nënat pohojnë që pikërisht ato “goditjet” e para dhe “fluturat” në bark, ishin shenjat paralajmëruese që po bartin më shumë se një fëmijë.

Një nënë e fëmijëve binjakë thotë: “Kur isha shtatzënë me binjakë, e dija këtë. E dija që ose kam binjakë ose bëhet fjalë për ndonjë oktapod!”

Megjithatë, një nënë tjetër kishte përvojë të kundërt: “Po të mos e dija që kisha binjakë, kurrë nuk do ta kuptoja përmes lëvizjeve të tyre. Vajza ime nga shtatzënia e mëparshme ishte shumë e gjallë! Më godaste dhe kërcente tërë kohën! Këta dy vogëlushë nuk i ngjajnë fare, e veçse jam në javën e 21 të shtatzënisë!”

8. Shfaqja e binjakëve në familje/intuita femërore

Përderisa pikat tjera në këtë listë mund të bazohen në fakte të dukshme – simptome, rezultate testesh etj. – ne nuk mund ta sfidojmë fuqinë e intuitës së nënës. Shfaqja e shtatzënisë së shumtë në historinë familjare apo intuita e fuqishme mund të jenë tregues të besueshëm. Flisni me gjinekologun tuaj në lidhje me ndjenjat tuaja.

9. Kontrolli me Doppler

Duke përdorur tingujt e padëmshëm të valëve, sistemi Doppler na lejon të dëgjojmë më shumë se një të rrahur zemre, këto tinguj janë të ndara zakonisht në fund të tremujorit të parë. Gjinekologu me përvojë mund të zbulojë rrahjet e më shumë se një zemre, dhe kështu të diagnostifikojë shtatzëninë e shumtë. Mirëpo, tingujt mund të na dërgojnë edhe në drejtim të gabuar: ato që mund të duken si rrahje të tjera zemre, në të vërtetë mund të jetë zhurmë e prapme apo rrahjet e zemrës së nënës.

10. Konfirmimi me ultrazë

Të shohësh nënkupton të besosh… mënyra e vetme e saktë për konfirmimin e shtatzënisë me binjakë apo të shumtë, është ti shihni foshnjat me anë të ultrazërit. Fotografia në ultrazë, padyshim do të ju tregojë nëse ju po bartni më shumë foshnja.

Dhe në fund, disa pyetje më të shpeshta në lidhje me shtatzëninë e shumtë:

• Jam e “madhe”, ndërsa jam në javën e 8 të shtatzënisë, a mund të ndodh që po bartë binjakë?

Ndoshta. Arsyeja e zakonshme që peshorja joproporcionalisht tregon kilogramë të tepërt, mvarësisht prej asaj se prej sa kohësh jeni shtatzënë, është se gjinekologu juaj gabimisht ka llogaritur datën e lindjes. Ultrazëri do të zgjidhë këtë dilemë dhe do të përcaktojë datën e saktë të lindjes dhe nëse ju me të vërtetë po bartni binjakë.

• Si zbulohet shtatzënia e shumtë?

Përderisa teknika bashkëkohore, siç është ultrazëri, nuk ka zënë rrënjë dhe është bërë pjesë e kujdesit para lindjes, shumica e shtatzënave nuk e kanë ditur që po bartin binjakë gjer në momentin e lindjes. Këto supriza në ditët e sotme janë të rralla. Gjatë kontrollave rutinore me ultrazë zakonisht zbulohet nëse bëhet fjalë për shtatzëni të shumtë dhe atë gjatë tremujorit të parë. Ultrazëri është mjet pothuajse i sigurtë për zbulim të binjakëve, mirëpo nëse bëhet fjalë për shtatzëni të shumtë, është e vështirë të zbulohet numri i saktë i foshnjave.

• Kur mund ta kuptojë nëse bëhet fjalë për binjakë njëvezorë apo dyvezorë?

Ndoshta këtë nuk do ta kuptoni gjer në momentin e lindjes. Nëse fëmijët ndajnë qesen amniotike me një placentë, atëherë definitivisht bëhet fjalë për binjakë njëvezorë. Ndonjëherë kjo mund të përcaktohet me ndihmën e ultrazërit, mvarësisht prej dijenisë së gjinekologut.

• A do të jenë fizikisht të njejtë?

Për përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet të prisni gjer në momentin e lindjes apo gjersa fëmijët të mbushin 1 vjeç. Më së thjeshti ti përgjigjeni kësaj pyetjeje është nëse me ultrazë vërtetohet nëse bëhet fjalë për gjini të kundërta të fëmijëve. Nëse zbuloni se po bartni binjakë në ultrazërin e parë, para javës së 12 të shtatzënisë kërkoni nga gjinekologu juaj të kontrollojë placentën. Placenta e vetme është zakonisht shenja që tregon që bëhet fjalë për binjakë njëvezorë. Dy placenta nuk mund të shpiejnë tek asnjë përfundim sepse mund të bëhet fjalë edhe për binjakë njëvezorë edhe për dyvezorë.

Pas lindjes, fëmijëve mund ti bëni analizën e grupit të gjakut, enzimeve dhe testin e ADN-së.

Përfundimisht, duke u rritur binjakët përcjellni ngjyrën dhe dendësinë e flokëve, ngjyrën e syve, formën e syve dhe dhëmbëve, dhe kjo do të ju shpie tek një konkluzion përfundimtar.

• Cilat ndjenja lajmërohen tek gratë me shtatzëni të shumtë?

Rruga psikologjike e shtatzënive të shumta zakonisht përbëhet nga pesë gjendje të parapara:

o Shoku (goditja),

o Mohimi,

o Zemërimi, ankthi dhe depresioni

o Peshimi i avantazheve dhe disavantazheve,

o Pranimi dhe përshtatja.