Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si t’ia bëj që fëmija të mos më godasë më?

Fëmijët dhe goditjet

Fëmijët kanë të drejtën të përdorin trupat e tyre për të shprehur ndjenjat, mirëpo nuk kanë të drejtë të lëndojnë dikë. Edhe nëse në përgjithësi e mbyllni njërin sy ndaj sjelljeve të gabuara të vogëlushes, duhet ta bëni të qartë që ajo nuk mund t’ju godasë kur të jetë e zemëruar.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë që kur vogëlushja ju lëndon është në rregull që dhe ju ta lëndoni atë. Nëse fëmija ju gjuan dhe ju i gjuani ose e disiplinoni me forcë, vetëm do t’i mësoni se agresiviteti është një mënyrë e pranueshme për të shprehur ndjenjat ose për të arritur atë që do. Në vend të kësaj, merreni vogëlushen dhe i thoni, "Jo me goditje. E di që je e zemëruar, mirëpo nuk i godasim njerëzit. Kur godet, dhemb." Nëse mund ta kuptoni se vogëlushja është gati për t’ju goditur, ndaleni para se ta bëjë duke i thënë me vendosmëri "jo."

Disa ekspertë sugjerojnë se ka prindër që ofrojnë për fëmijën e zemëruar një mënyrë të pafaj për të çliruar zemërimin e grumbulluar, si t’i gjuajnë një jastëku.

Për mendimin tim ky është gabim. Zemërimi është ndjenjë dhe ndjenjat nuk “shpenzohen".

Në fakt, është e qartë nga hulumtime të kohëve të fundit se "dhuna e padëmshme" është një kundërthenie termash. Vogëlushja që inkurajohet të nxjerrë inatin tek një jastëk ka më shumë gjasa— dhe jo më pak— që të konsiderojë edhe një person tjetër si mjet të pranueshëm për të nxjerrë inatin. Kur vogëlushja juaj sillet në mënyrë agresive, sigurohuni që ajo ta kuptojë se ju nuk keni problem me zemërimin e saj, por me mënyrën e dhunshme si e shpreh. Mos i thoni të mos zemërohet ose të mos e tregojë që është e zemëruar. Thjesht pranojani ndjenjën, madje dhe e kuptoni, mirëpo pastaj kujtojani që është më konstruktive të përdorë fjalët për të të thënë pse është e shqetësuar. Ndihmojeni të praktikojë që ta shprehë zemërimin me fjalë. Tregojini se kur të mundet të flasë për zemërimin, të dyja bashkë mund të përpiqeni të gjeni një zgjidhje për atë që po e mërzit.