Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si të rrisësh një fëmijë të lumtur (12 deri 24 muaj)

Mësoni të lexoni shenjat

Fëmiu i lumtur buzëqesh, luan, shfaq kureshtje, tregon interes ndaj fëmijëve të tjerë

Me siguri që vogëlushja juaj është shumë e aftë t’ju tregojë kur diçka e bën të lumtur apo të trishtuar. Fytyra e saj ndriçohet me buzëqeshje të madhe kur vjen në shtëpi, ose ngashëren pa kontroll kur nuk gjen mbulesën e dashur.

Mirëpo ju ende vrisni mendjen se a është apo jo e lumtur. Këto shenja zakonisht janë të qarta: një fëmijë i gëzuar buzëqesh, luan, shfaq kureshtje, tregon interes ndaj fëmijëve të tjerë dhe nuk ka nevojë për stimulim të vazhdueshëm.

Hallowell thotë se shenjat e një fëmijë të palumtur janë po ashtu të qarta: “fëmija është i tërhequr në vetvete, i qetë, nuk ka shumë, nuk angazhohet në mënyrë spontane me fëmijët e tjerë, nuk luan, nuk bën pyetje, nuk qesh apo buzëqesh dhe ka fjalor të varfër." Nëse keni fëmijë të turpshëm apo introvers nga natyra që nuk qesh apo nuk komunikon shumë, kjo nuk do të thotë se është i palumtur. Turpi nuk është i njëjtë me trishtimin, mirëpo të duhet të punosh më shumë për të lexuar shenjat e tij. Hallowell thotë që të kemi sytë hapur për çdo ndryshim të madh në sjelljen e tij — nëse bëhen më të izoluar apo të trembur — kjo mund të nënkuptojë se ka probleme për të cilat duhet të kushtoni vëmendje.

Paul C. Holinger, profesor i psikiatrisë në Rush-Presbyterian-St. Luke's Medical Center në Çikago, ka identifikuar nëntë “sinjale” të lindura me të cilat foshnjet komunikojnë ndjenjat e tyre. Mund t’i dalloni këto sinjale edhe tek vogëlushi. Dy nga sinjalet,"interes" dhe "kënaqësi" janë ndjenja pozitive, ndërsa sinjalet negative, sidomos "shqetësim", "zemërim" dhe "frikë" tregojnë për një fëmijë të palumtur.

Shumë prindër e kuptojnë se një fëmijë i frikësuar, që shqetësohet lehtë nuk është i lumtur, mirëpo Holinger gjen se shumë prindër nuk e kuptojnë që një fëmijë i zemëruar zakonisht shpreh trishtim. Pavarësisht moshës "zemërimi është shqetësim i skajshëm" thotë Holinger.

Kur fëmija juaj godet vëllain ose i gjuan lodrat, do të thotë se është i shqetësuar përtej aftësisë së tij për ta përballuar. Vogëlushi juaj me siguri ka mënyrat e tij për të treguar se po kalon nëpër një kohë të vështirë.

Disa fëmijë mbyllen në vetvete, disa ulërasin, disa bëhen të ngjitur. Sa më shumë ta njihni temperamentin e fëmijës tuaj, do ta dini më mirë se diçka nuk shkon si duhet në botën e tij.

Gjeni kohë për zbavitje

Edhe pse zbavitjet pa fund dhe akullorja për darkë mund të tingëllojë si ëndrra e çdo fëmije, ajo që në të vërtetë e vën të lumtur vogëlushen tuaj është diçka më thjeshtë: ti. Dhe ky është çelësi i parë për të krijuar një fëmijë të lumtur, thotë Hallowell.

"Lidhuni me ta, luani me ta" këshillon ai. "Nëse kënaqeni me ta, edhe ata po kënaqen. Nëse krijoni atë që unë quaj 'fëmijëri e lidhur' ky është hapi më i mirë për ta garantuar që fëmija juaj do të jetë i lumtur." Loja krijon gëzim, por loja është mënyra se si fëmija juaj zhvillon aftësitë themelore për lumturinë në të ardhmen.

Loja pa strukturë i lejon fëmijës të zbulojë atë që do të bëjë — të ndërtojë kulla me tulla, të luajë spitalesh me kafshët prej pellushi — që mund ta çojnë atë drejt karrierës që mund t’i duket si lojë gjatë gjithë jetës. Loja nuk do të thotë orë muzike, sporte të organizuara dhe aktivitete të tjera “educative” të strukturuara. Lojë është ajo ku fëmijët shpikin, krijojnë dhe ëndërrojnë.

Ndihmojini të zhvillojnë talentet

Receta e Hallowell-it për të krijuar lumturi që zgjat gjithë jetën ka një hap të çuditshëm: njerëzit e lumtur më shpesh janë ata që kanë zotëruar një aftësi.

Për shembull, kur fëmija juaj praktikon hedhjen e topit me ju, ai mëson nga gabimet e tij, mëson këmbënguljen dhe disiplinën dhe përjeton gëzimin e arritjes sukses si pasojë e përpjekjeve të tij. Ai gjithashtu korr shpërblimin e lëvdatave nga të tjerët për arritjen e tij.

Çka është më e rëndësishme, ai zbulon se ka kontroll mbi jetën e tij: nëse përpiqet të bëjë diçka, ka kënaqësinë e zbulimit se me këmbënglje ia arrin.

Hulumtimet tregojnë se ndjenja e të qenit në kontroll përmes zotërimit është një faktor i rëndësishëm për të përcaktuar lumturinë si i rritur.

Hallowell paralajmëron se fëmijët, njëjtë si të rriturit, kanë nevojë të ndjekin interesat e tyre, ose sukseset e tyre janë pa gëzim. Rebecca Marks, nëna e dy fëmijëve nga Cleveland Heights, Ohajo, thotë se interesi i numër një i djalit të saj 3-vjeçar Zakari është ndërtimi. "Atij i pëlqen të ndërtojë gjëra dhe ta ndihmojë babain e tij të ndërtojë projekte të veçanta. E bën të ndjehet mirë me veten. Ne përpiqemi ta ndihmojnë të përqendrohet aty ku ka talent të lindur, aty ku e kuptojmë që po kënaqet vërtetë."

Trupa të shëndetshëm janë baraz me fëmijë të lumtur

Shumë gjumë, ushtrime dhe një dietë e shëndetshme janë të rëndësishme për mirëqenien e të gjithëve, sidomos fëmijëve.

Vogëlushët janë ushtruesit e natyrshëm: t’i japësh fëmijës kohë të mjaftueshme për të vrapuar rrotull shtëpisë e ndihmon atë me gjendjen shpirtërore. Kushtojini vëmendje nevojës së fëmijës për strukturë: disa fëmijë janë shumë të lehtë, shumica e vogëlushëve lumturohen dhe janë të kënaqur me një orar të caktuar pasi e dinë se çfarë të presin. Mund të doni t’i kushtoni vëmendje çdo lidhjeje mes gjendjes shpirtërore të fëmijës tuaj dhe disa ushqimeve.

Disa prindër gjejnë se edhe pse sheqeri ju jep një shtysë energjie fëmijëve të tyre, mund edhe të krijojë gjendje shpirtërore të luhatshme ose sjellje agresive. Alergjitë nga ushimet dhe ndjeshmëritë mund të luajnë rol në sjelljen dhe gjendjen shpirtërore të fëmijës tuaj.

Lërini të përpiqen me problemet

Mirëpo, do thoni ju, unë duhet të krijoj një fëmijë të lumtur! A nuk duhet ta marr në krahë dhe ta bëj gjithçka më mirë?

Në fakt, Carrie Masia-Warner, psikologe për fëmijë dhe zëvendësdrerjtoreshë e Institutit për Çrregullime të Ankthit dhe Gjendjes Emocionale në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Nju Jorkut, e sheh këtë si një gabim të madh që shumë prindër të dashur me qëllime të mira bëjnë shpesh. "Prindërit përpiqen t’i rregullojnë gjërat për fëmijët e tyre gjatë të gjithë kohës, t’i bëjnë ata të lumtur. Kjo nuk është realiste.

Mos kërceni gjithnjë për të rregulluar gjërat," këshillon Masia-Warner. "Fëmijët kanë nevojë të mësojnë të tolerojnë pak shqetësim, pak palumturi. Lërini të përpiqen, t’i gjejnë vetë zgjidhjet, sepse kjo i lejon ata të mësojnë si t’i përballojnë gjërat."

Hallowell pajtohet që po t’i lejosh fëmijëve një shkallë të përvojave, madje dhe nga ato të vështira apo frustruese, kjo i ndihmon ata të ndërtojnë një rezervuar force brenda vetes që i çon ata drejt lumturisë. Qoftë një fëmijë 7 muajsh që përpiqet të zvarritet apo një 7 vjevar që lodhet me zbritjet, Hallowell iu thotë prindërve që ai fëmijë do jetë më i zoti të përballojë vështirësitë duke u përpjekur me to me sukses herë pas here.

Kjo nuk do të thotë që fëmijët nuk duhet të kërkojnë ndihmë nëse kanë nevojë, mirëpo roli juaj është t’i ndihmoni të gjejnë një zgjidhje dhe jo ta gjeni për ta. Është me rëndësi kyçe për lumturinë e tyre që fëmijët tuaj të mësojnë të përballojnë frustrimet dhe zhgënjimet e jetës.

Nëse fëmija juaj zhvillon një ndjenjë të pavarëisë dhe besimit, kjo e çon atë drejt vetëbesimit dhe lumturisë më të madhe. Një mënyrë për ta ndihmuar vogëlushin tuaj të zhvillojë këto cilësi është ta bësh atë të praktikojë nga 10 apo 15 minuta disa herë në ditë.

Lejojini të jenë të trishtuar ose zemëruar

Kur fëmija yt var buzët në një qosh gjatë një feste ditëlindjeje, reagimi juaj i natyrshëm është ta shtyni që të bashkohet me festën. Mirëpo është me rëndësi që ta lejoni të jetë e palumtur. Hallowell shqetësohet se "disa prindër mërziten çdo herë që fëmijët e tyre vuajnë refuzimin, se nuk ftohen në festën e ditëlindjes ose qajnë sepse nuk kanë atë që duan." Fëmijët duhet të dinë se është në rregull të jenë të palumtur ndonjëherë —thjesht është pjesë e jetës. Nëse përpiqemi të zhdukim çdo pakënaqësi, ndoshta po iu japim mesazhin se është e gabuar të ndjehen të trishtuar.

Duhet t’i lejojmë të përjetojnë ndjenjat e tyre, edhe trishtimin. Mund ta inkurajoni fëmijën tuaj t’i vërë emrin ndjenjave të saj dhe t’i shprehë me fjalë. Edhe nëse vogëlushja juaj ende nuk flet, mund t’i tregoni vizatime me fytyra dhe ta pyesni se cila po ndjehet njëjtë si ajo. Fëmijët e vegjël i kuptojnë shumë shpejt "me ndjenjë" fjalë si "e gëzuar" ose "e inatosur." Kur ata arrijnë t’i thonë me fjalë emocionet, fitojnë një kapacitet të ri për të njohur dhe rregulluar ndjenjat e tyre.

"Është shumë e frikshme për një fëmijë të vogël të ndjejë tërbim dhe të mos e kuptojë nga vjen," thotë Rebecca Marks, nënë e dy fëmijëve nga Cleveland Heights, Ohajo. Kur Madelina 14-muajshe vepron ose godet, Marks thotë, "Unë i them asaj 'E di që je e frustruar ose e zemëruar.' Në atë mënyrë, Madelina mëson të njohë ndjenjat, t’u japë emër emocioneve. Atëherë mund t’i mësojmë asaj të përdorë fjalët në vend të goditjes."

Sidoqoftë, paralajmëron Masia-Warner, nuk duhet të reagoni më shumë se duhet ndaj ndjenjave negative të fëmijës tuaj. "Është normale për fëmijët që të bëhen shumë të ndjeshëm ose të ngjitur ose nervozë ndonjëherë nga diçka në mjedisin e tyre, por kjo nuk është palumturi."

 

Bëhu model

Sipas Dora Wang, asistent profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin New Mexico School of Medicine dhe nënë e 3-vjeçares Zoe, hulumtimet tregojnë se mundeni që temperamentin t’ia përcillni fëmijës — jo patjetër përmes geneve — por përmes sjelljes dhe stilit të rritjes së fëmijës. Për mirë apo për keq, fëmijët i kuptojnë gjendjet shpirtërore të prindërve të tyre. Edhe foshnjet e vogla imitojnë stilin emocional të prindërve të tyre, që në të vërtetë aktivizon disa rrugë neuronesh specifike.

Me fjalë të tjera, kur ju buzëqeshni, fëmija buzëqesh dhe truri i tij "lidhet" për buzëqeshje.

Mirëpo duhet të jeni të sinqertë— fëmija e kupton kur po aktroni. Nëse e bëni të ditur se kënaqeni me gjëra të vogla dhe e thoni atë për të cilën jeni mirënjohës, do të jeni një model pozitiv për fëmijën.

Ju mund ta ndihmoni fëmijën ta shohë gotën plot e jo të zbrazët. Për shembull, nëse ka shumë shi për të shkuar tek këndi i lojërave, tregojini sa rast i mirë është për të bërë biskota. Sharon Cohn nga Uest Orange, Nju Xheri, iu thotë fëmijëve të saj, "Duhet të jeni të lumtur për atë që keni në vend që të mërziteni për atë që nuk e keni." Rituali i mrekullueshëm i darkës mund të jetë për secilin pjesëtar të familjes, edhe për vogëlushin tuaj, koha më e mirë për të thënë se cila ka qenë pjesa më e bukur e ditës.

Peggy O'Leary nga Montara, Kaliforni, ka kuptuar se kur është shumë e stresuar, dy fëmijët e saj reagojnë menjëherë. "Ata rrinë urtë dhe struken." Një herë kur O'Leary po ndihej shumë e mërzitur, djali i saj Augusti kishte thënë "Lozim prapë me top, si atëherë kur ish e lumtur." Kjo e bëri atë të kuptojë sa i ndjeshëm ishte ai ndaj gjendjeve të saj të humorit. Tani ajo bën përpjekje që të tregojë një qëndrim më pozitiv para fëmijëve të saj. Mirëpo nuk ka nevojë t’i fshihni emocionet negative. Mund t’i tregoni fëmijës sa e mërzitur je që ke thyer vazon e parapëlqyer. Dhe nëse shtoni se tani kjo do të thotë që do të blini një më të madhe, i mësoni fëmijëve tuaj që trishtimi është pjesë e jetës dhe iu tregoni se si t’i gjejnë pikat e shndritshme.

Mirëpo nëse shihni se vazhdimisht jeni e stresuar apo në depresion, është me rëndësi të kërkoni ndihmë. "Prindërit që kanë prirje të jenë në depression nuk janë gjithnjë të mirë me disiplinën apo dhënien e strukturës apo për të dhënë lëvadata vazhdimisht dhe të kënaqen me fëmijët e tyre. E gjithë kjo kontribuon në probleme emocionale," thotë Masia-Warner.

Mësojini të bëjnë gjëra me kuptim

Ndërsa vogëlushja juaj rritet, asaj mund t’i mësoni se si t’i ndihmojë të tjerët.Hulumtimet tregojnë se njerëzit që kanë kuptim në jetën e tyre rrallë ndjehen në depresion. Cohn thotë se bamirësia dhe ndihma për të tjerët është pjesë e madhe e familjes së tyre.

Edhe fëmijët e vegjël përfitojnë nga ky mësim. Pasi mësoi për Uraganin Katrina, vajza 5-vjeçare e Cohn, Rebecca, dhe shoqet e klasës së saj mblodhën pajisje shkollë dhe çanta shpine për t’ua dhuruar fëmijëve që kishin humbur sendet e tyre. Edhe nëse ndihmojnë me punët e shtëpisë, si për shembull rrobat e palara i vendosin në kosh, kjo bën që vogëlushja juaj të ndjehet që po jep kontributin e saj.