Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ta bësh vogëlushen të të dëgjojë

Vogëlushët janë njësoj si ne të tjerët — nuk dëgjojnë gjithnjë

Vogëlushët janë njësoj si ne të tjerët — nuk dëgjojnë gjithnjë. Në fakt, në moshën e tyre kanë nevojë t’u mësoni si të dëgjojnë. "Mirëpo ajo që ndodh shpesh," thotë Roni Leiderman, zëvendës dekan i Qendrës Familjare në Nova Southeastern University në Fort Lauderdale, Florida, "është se prindërit përsërisin diçka 10 herë, pastaj fillojnë të numërojnë së prapthi për dënimin. Ajo që arrihet me këtë është se fëmija kushtëzohet që të mos dëgjojë deri herën e dhjetë." Duke mos dëgjuar, fëmija po arrin vëmendjen tuaj (edhe pse ngacmimi i vazhdueshëm nuk është forma më e mirë e vëmendjes).

Mirëpo të jesh një dëgjues i mirë do të thotë ta ndihmosh fëmijën të mësojë me më shumë efektivitet, t’i kuptojë sinjalet e rrezikut, të shkojë më mirë me ju dhe mësueset e saj dhe të rriturit e tjerë që duhet të respektojë dhe të bëjë miq më të mirë.

Ka shumë strategji të thjeshta që kur ndiqen vazhdimisht, i mësojnë vogëlushes aftësitë që nevojiten për t’u bërë dëgjuese e mirë. Sikurse vë në dukje Leiderman, "Nuk është kurrë herët për të filluar të mësosh fëmijën. Vogëlushja mund të mos dëgjojë aq mirë sa një 5-vjeçare, mirëpo ka ende plot nga këto aftësi."

Bjer në nivelin e saj

Sikurse çdo prind e kupton herët a vonë, të ulërasësh nga lart (aq më tepër nga një tjetër dhomë) rrallëherë ka efektin e dëshiruar. Uluni ose ngrijeni fëmijën në krahë, në mënyrë që ta shikoni në sy dhe t’ia tërhiqni vëmendjen. Ajo do t’ju dëgjojë më mirë nëse uleni pranë saj në tryezë dhe ta përkujtoni se duhet të hajë mëngjesin, ose t’i shtriheni në krah në mbrëmje kur i thoni së duhet të fikë dritën.

Bëhuni të qartë

  Mesazhin thuajeni qartë, thjesht dhe me autoritet. Fëmija e humb vëmendjen nëse flisni gjatë për një temë. Është e vështirë të kuptohet thelbi i një mesazhi si ky "jashtë është shumë ftohtë dhe ti ke qenë sëmurë kohëve të fundit, ndaj dua që ti të veshësh trikon para se të shkojmë në shitore." Nga ana tjetër, "Është koha të veshësh trikon" nuk lë vend për gabime. Dhe mos e formuloni si pyetje nëse fëmija nuk ka zgjidhje tjetër. "Është koha të ulesh në karrigen e makinës" ka më ndikim se "Eja ulu në karrige, mirë zemër?"

Mbajeni fjalën – menjëherë

Bëjeni të qartë se e keni me gjithë mend atë që thoni dhe mos kërcënoni apo premtoni nëse nuk e mbani fjalën. Nëse i thoni një 2-vjeçari, "duhet të pish qumësht në darkë," mos ndryshoni mendje pas pesë minutash dhe i jepni lëng. Nëse e paralajmëroni se do dënohet nëse e godet vëllain, dënojeni kur ajo ta godasë. Sigurohuni që bashkëshorti apo partneri juaj ndan të njëjtat rregulla dhe i respekton, në mënyrë që asnjëri prej jush të mos prishë punën e tjetrit. Për më tepër, atë që thoni bëjeni menjëherë. Nuk duhet që të bërtisni pesë herë "Mos vrapo nëpër rrugë!" para se fëmija t’ju dëgjojë.

Po ashtu, mos bini në kurthin e përsëritjes së këshillave më pak urgjente si "vëre gotën mbi tryezë" disa herë para se fëmija të bindet. Me butësi çojeni dorën e fëmijës që ta vendosë gotën mbi tryezë në mënyrë që ta dije saktësisht se çfarë doni që të bëjë.

Përforcojeni mesazhin

Shpeshherë ndihmon që deklaratat gojore t’i shoqëroni me disa mesazhe të tjera, sidomos nëse po përpiqeni ta largoni fëmijën nga një aktivitet i dashur për të. Thoni "koha për në shtrat!" dhe pastaj jepni një sinjal visual (ndizeni dhe fikeni dritën), një sinjal fizik (vendoseni dorën mbi supin e saj dhe me butësi tërhiqeni nga kukulla drejt vetes) dhe një demonstrim (dërgojeni drejt shtratit, tërhiqini mbulojat dhe rriheni jastëkun).

Jepni paralajmërime

Jepini fëmijës paralajmërim para se të ndodhë ndonjë ndryshim i madh, sidomos nëse ajo është e përfsirë gjithë qejf tek lodrat e saj ose me ndonjë shoqe. Para se të jeni gati për të dalë nga shtëpia, i thoni, "Do të largohemi për pak minuta. Kur të të thërras, është koha të dalësh jashtë oborrit dhe të lash duart."

Jepni udhëzime realiste

"Nëse i thua një 2-vjeçari të largojë lodrat, ai sheh rreth dhomës dhe thotë ouuuu!'" thotë Leiderman. "Jepini detyra realiste si 'T’i largojmë tani tullat e verdha.' Pastaj këtë e shndërroni në lojë: 'Mirë, tani largojmë tullat e kaltra.'"

Motivoni

Të urdhërosh me zë të lartë mund të sjellë rezultate (me disa fëmijë), por asnjërit nuk i pëlqen ky proces. Shumica e fëmijëve përgjigjen më mirë kur i trajton me humor dhe besim.

Për shembull, herë pas here përdor ndonjë zë qesharak ose ndonjë këngë për të dhënë një mesazh. Mund të këndosh "tani është koha të lash dhëmbët " me melodinë e "Bubrrecit," për shembull.

Bëjani të ditur të mirat e bindjes përballë detyrimit për të bërë punën ("Laji dhëmbët dhe pastaj mund të veshësh pizhamet që do" është më mirë se "Duhet të lash dhëmbët ose do të të prishen " ose "Laji dhëmbët TANI!"). Lavdërojeni vogëlushen kur përfundon larjen me "Sa mirë që më dëgjove!" Humori i mirë, dashuria dhe besimi që i tregoni fëmijës kur flisni me të në këtë mënyrë e bëjnë atë që të dojë të të dëgjojë, sepse ajo e di që e do dhe mendon se ajo është e veçantë.

Ky është një aspekt i rëndësishëm edhe i atyre strategjive që kërkojnë disiplinë. Të japësh udhëzime të drejtpërdrejta, autoritative nuk do të thotë që të jesh e zemëruar— këto mesazhe janë shumë më të fuqishme kur shoqërohen me përqafim ose buzëqeshje. Atëherë fëmija mëson se ia vlen t’ju kushtojë vëmendje.

Bëhuni shembull i sjelljes së mirë

Parashkollorët mund të dëgjojnë më mirë nëse e shohin se dhe ju i dëgjoni mirë. Bëjeni si zakon që ta dëgjoni fëmijën tuaj me po atë respekt që do dëgjonit një të rritur. Shiheni në sy kur ajo ju flet, pëgjigjuni me edukatë dhe lejojeni të përfundojë pa e ndërprerë sa herë të mundeni.

Mund të duket e vështirë që ndërsa gatuani darkën dhe vogëlushes nuk i ndalet goja, mirëpo përpiquni të mos largoheni prej saj apo t’ia ktheni kurrizin ndërsa ajo flet. Si me shumë sjellje të tjera, pleqtë thonë "Bëj si them unë, mos bëj si bëj unë" dhe kjo nuk ka vlerë kur i mësoni fëmijës të mësojë të dëgjojë.