Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tërheqja e flokëve

Pse ndodh?

Tërheqja e flokëve është mënyrë me të cilën shprehen fëmijët

Shkulja e flokëve, njëjtë sikur gjuajtja me shkelm, kafshimi, pickimi dhe goditja është një nga mënyrat me të cilën vogëlushët shprehen dhe përpiqen të ushtrojnë kontroll mbi mjedisin që i rrethon.

Mark W. Roberts, profesor i psikologjisë klinike në Idaho State University, thotë se ka tri arsye kryesore për këtë sjellje. Për vogëlushët (12 deri 18 muaj), shpjegimi më i bindshëm është më i thjeshti: kanë zbuluar si të shkaktojnë reagim dhe duan ta kenë vazhdimisht. "Është njëjtë sikur ndez dritën apo godet një nga ato lojërat që lëshojnë zhurmë," thotë Roberts.

"Ata tërheqin, vëllai i madh bërtet. Për ta është qejf." Një tjetër arsye pse vogëlushët tërheqin flokët thotë Roberts është "që gjërat e këqija të largohen. Dikush kalon mbi ta ose iu merr lodrat; ata zgjasin dorën dhe tërheqin flokët dhe gjërat e këqija ndalen." Së fundmi, thotë Roberts, vogëlushë më të rritur (2 deri 3) po zhvillojnë aftësitë konjitive për të kuptuar gjërat dhe mund të tërheqin flokët për të kontrolluar drejtimin e një situate.

Roberts jep këtë shembull: vëllai më i madh i vogëlushes tuaj merr biskotën e fundit, ndaj ajo tërheq flokët që ai të bërtasë. "Kjo ka mundësi në dy nivele," thotë Roberts. "Së pari, mund të vini dhe ta detyroni vëllain e madh ta ndajë biskotën me të. Më rëndësi ka që ka gjasa që vëllai i madh të mendojoë dy herë para se ta marrrë biskotën e fundit herën tjetër."

Si të veprohet

Tregojeni që nuk funksionon

Një nga mënyrat kyçe për të shtypur sjelljen e gabuar të vogëlushes është që t’i tregosh bindshëm se nuk do të funksionojë. Nëse shpërfillni tërheqjen e flokëve nga vogëlushja, atëherë ajo "funksionon" (që do të thotë për të se kujtdo që t’ia tërheqë flokët ajo do të marrë atë që do) dhe kjo do të vijë duke u përkeqësuar pasi me kalimin e kohës vogëlushja bindet se sa herë tërheq flokë, ajo merr atë që do.

Nëse doni ta shikoni me hollësi këtë lloj situate ("Vesa ia tërheq flokët Borës se Bora po bëhej e keqe. Do t’ia tërheq vëmendjen Vesës duke i lexuar një përrallë...") ju mund të bëheni pjesë e lojës së saj. Fëmija nuk e kupton kompleksitetin e komunikimit në shoqëri; ajo mëson se nëse tërheq flokë, të vjen keq për të dhe ajo ulet në prehrin tënd.

Në vend të kësaj, tregoni sa e kotë është të tërheqë flokët duke e “kthyer orën pas”. Nëse vogëlushja juaj ka tërhequr flokët e motrës për të marrë një lodër, jepjani lodrën motrës dhe shpjegojini vogëlushes, "Ne nuk i tërheqim flokët." Që kjo të funksionojë duhet të veproni shpejt: vogëlushët janë krijesa të çastit.

Shtypeni sjelljen

Nuk ka prova të mira që dënimet vlejnë për fëmijë më të vegjël se 2, ndaj me një vogëlush është më mirë që vazhdimisht t’i vini në dukje: kapeni me butësi dorën e vogëlushit dhe mbajeni ndërsa i thoni "Jo, jo; nuk i tërheqim flokët, kjo dhemb."

Nëse fëmija juaj është 2 vjeç ose më shumë, bëjani të ditur se të tërheqë flokë nuk është përgjigje e pranueshme duke vepruar ashtu si Roberts e quan "dënim me karrige." Qëndroni me të, por mos i flisni ose mos luani me të gjatë dënimit, që duhet të zgjasë rreth një minutë. Nëse vogëlushja nuk rri ulur në karrige, provoni një dënim të zakonshëm.

Flisni me të

Pasi përfundon dënimi, bisedojeni me fëmijën tuaj për atë që ndodhi. Është me rëndësi ta bëni këtë edhe nëse vogëlushja ende nuk ka aftësi të të shprehurit, sepse kjo i tregon asaj që biseda (dhe jo tërheqja e flokëve) është mënyra e duhur për të zgjidhur problemet. Pyeteni fëmijën, "çfarë gabimi bëre?" dhe vazhdoni me "pse ishte gabim?"

Mos u shqetësoni, thotë Roberts, nëse ajo përgjigjet "sepse u dënova" ose diçka të ngjashme me këtë. "Nga ana e zhvillimit të fëmijës kjo është normale — dhe ju mund të vazhdoni duke thënë, 'Po, do dënohesh sa herë që tërheq flokë, mirëpo duhet të mendojmë për diçka tjetër. Nuk duhet të tërheqësh flokë, sepse mund ta lëndosh dikë.'"

Edhe pse është e rëndësishme të kalohet nëpër këtë process, mos prisni shumë. Vogëlushët duhet të mësojnë në mënyrën më të vështirë — duke përsëritur diçka dhe duke mësuar se gjithnjë iu shkakton telashe.

Detyra juaj është të jeni këmbëngulës dhe të mos mërziteni duke përsëritur të njëjtat qortime nga dita në ditë. Kur vogëlushi fillon të flasë më shumë, ju mund të provoni zgjidhjen e problemeve duke biseduar për alternativa të tërheqjes së flokëve.

Pyeteni fëmijën "çfarë do të bëje herën e ardhshme kur vëllai të jep urdhra në vend që t’i tërheqësh flokët?" Ndihmojeni vogëlushen të mësojë t’i thotë jo vëllait, ose të shprehë diçka më të ndërlikuar ("tani dua të luaj") nëse mundet.

Mos veproni njësoj

Mos vendosni t’ia shkulni dhe ju flokët vogëlushes "për t’i mësuar se sa dhemb"; kjo strategji e modës së vjetër sjell efektin e kundërt, sepse jep si shembull pikërisht atë sjellje që po përpiqeni të ndalni. Vogëlushja juaj tërheq flokë, sepse do të ndryshojë diçka — të mos e lejojë vëllain t’ia marrë lodrat, për shembull.

Nëse ju veproni njëjtë — ia tërhiqni flokët që ta bëni të mos tërheqë më flokë— po i mësoni se tërheqja e flokëve është mënyra për të ndryshuar sjelljen e dikujt. Ideja se ndjenja e dhimbjes do t’i mësojë të mos shkaktojë dhimbje është gjithashtu e gabuar, sepse vogëlushet ende nuk i kanë fituar aftësitë empatike për të bërë një lidhje të tillë.

/komuniteti