Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

6 vite burg për prindërit që i bëjnë djemtë synet

12.02.2018 - Deputetët në Islandë kanë propozuar ndryshime legjislative për të ndaluar rrethprerjen e djemve, një praktikë e zakonshme në komunitetet hebraike dhe myslimane. Nëse kalon, kushdo që kryen procedurën mund të burgoset për gjashtë vjet.

Anëtarët e të paktën pesë partive politike, duke përfshirë Partinë Progresive, Partinë Pirate dhe të Majtën e Gjelbër, po bëjnë thirrje për ndryshime në Kodin Penal ekzistues. Legjislacioni i tyre i propozuar thotë se kushdo që është shpallur fajtor për dëmtimin e shëndetit të një fëmije ose një gruaje duke “hequr organet seksuale, tërësisht ose pjesërisht, do të burgoset për gjashtë vjet”.

Drafti qartë refuzon nocionin se ligji duhet të akomodojë rrethprerjen në baza fetare. “Ndonëse është sigurisht e drejta e prindërve për t’u dhënë fëmijëve udhëzimet e tyre kur bëhet fjalë për fenë, një e drejtë e tillë kurrë nuk mund të tejkalojë të drejtat e fëmijës”, thuhet në ligj.

“Rrethprerja përfshin ndërhyrje të përhershme në trupin e një fëmije që mund të shkaktojë dhimbje të forta, gjithashtu një operacion i tillë përfshin një rrezik të infeksioneve dhe problemeve të tjera“, thuhet më tej në masën e propozuar.

Fëmijët mund të vendosin vetë procedurën, sapo të kenë arritur moshën e pëlqimit, “për të kuptuar se çfarë është përfshirë në një veprim të tillë”. Mosha e pëlqimit në Islandë është 15 vjeç.

Gjymtimi gjenital femëror, i njohur edhe si rrethprerja e grave, është e paligjshme në Islandë që nga viti 2005, megjithatë, nuk ka pasur ligje në lidhje me rrethprerjen e meshkujve. Shkalla e rrethprerjes së meshkujve në vend është e ulët, sipas mediave islandeze, duke vënë në dukje se kjo ndoshta është për shkak të komuniteteve shumë të vogla myslimane dhe hebraike në vend.

Burimi: OraNews

/komuniteti