Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Arrestohen tre mjekë të Maternitetit në Gjilan për vdekjen e Arbenita Spahiut

23.03.2016 - Rasti i vdekjes së lehonës Arbenita Spahiu në Maternitetin e Gjilanit, më 3 mars të këtij vitit, tri orë pas lindjes normale, ka hyrë në një fazë të tjetër të hetimeve.

Sot, pas marrjes së raportit preliminar nga IML, janë arrestuar tre mjekë të Maternitetit në Gjilan, ndërkohë që merret vesh se edhe tre të tjerë janë duke u intervistuar dhe sipas të gjitha gjasave pritet që edhe ndaj tyre të zbatohet masa e ndalimit për 48 orë.

Ekzistojnë dyshime për lëshime profesionale në trajtimin e viktimës.

Sipas burimeve të sigurta të gazetës Kosova Sot nga Sektori i hetimeve regjionale dhe nga Departamenti i krimeve të rënda i Prokurorisë Themelore në Gjilan, tre mjekë të Spitalit të Gjilanit, Departamenti i Maternitetit, janë arrestuar sot nën dyshimin për lëshime profesionale në trajtimin e viktimës Arbenita Spahiu, e cila kishte lindur pa asnjë problem, por pas tri orësh ka vdekur nga shoku hemorragjik.

Dyshohet se e ndjera është operuar pasi i kishin pushuar organet vitale jetësore, në përpjekje të vonuara për t`i ofruar ndihmën mjekësore.

Këtë e ka konstatuar edhe ekspertiza mjekësore në raportin e saj preliminar.

I kontaktuar nga “Kosova Sot” kryeprokurori Jetish Maloku ka thënë se ndodhet në Prishtinë, por ka konfirmuar se rasti ka hyrë në një fazë të hetimeve intensive, pa mohuar a pohuar për arrestimet e përfolura.

Sipas burimeve tona, mjekët M.Sh, H.P. dhe N. Sh., tash në arrest, ndërkohë nuk dihet se cilët janë personat tjerë nga ky Departament që po intervistohen.

Burimi: infosot

/komuniteti