Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Çrregullimet e sjelljes te fëmijët dhe menaxhimi i tyre

03.12.2018 - Visar Sadiku, specialist i psikologjisë klinike, ka folur lidhur me çregullimet e sjelljes tek fëmijët.

Sipas doktorit këta fëmijë janë të prirur të diskutojnë duke bërtitur apo t’i zgjidhin problemet duke protestuar në forma të ndryshme.

Sadiku tregon për KALLXO.com se problemi i çrregullimit të sjelljeve është kompleks dhe duhet të trajtohet në bashkëpunim me profesionistin dhe prindërit.

“Çrregullimet e sjelljes janë një set që mendohet se janë sjellje me karakter të përshtatur nga ambienti në të cilin fëmija është rritur. Në një mënyrë apo tjetrën janë sylleje të modeluara por socialisht të keqpërshtatura. Zakonisht janë çrregullime indikatorët e të cilëve mund t’i vërejmë gjatë fëmijërisë si sjellje agresive ndaj të tjerëve me realizimin e shprehive që nuk janë adekuate me normat sociale. Mund të jetë edhe vjedhja, pasi ka të bëjë me krijimin e rrethanave me të cilat fëmija mundohet të përfitoj në çdo mënyrë me gënjeshtra dhe me manifestimin e sjelljeve kundërshtuese kundër asaj se çka i kërkohet fëmijës”, tha Sadiku.

Sipas tij është e rëndësishme të dihet se ç’rregullimet mund të stimulohen edhe nga stili i prindërimit që aplikohet nga prindërit për të rritur fëmijët e tyre.

“Vërejmë se çrregullimet e sjelljes ndahen në dy kategoritë e llojeve të prindërimit, ata që janë autoritarë dhe ata me stil liberal akoma më shumë kanë vështirësi me sjelljet e fëmijëve. Kjo ka të bëjë me akumulimin emocional nëse ambienti është stresues kur fëmija modelon një sjellje nga jashtë, mirëpo nuk mund ta aplikoj atë brenda dhe e aplikon jashtë. Te prindërimi liberal është ai prind që thotë se jam i vetëdijshëm çka po ndodhë por nuk kam fuqi dhe nuk di më se çka të bëjë”, thotë Sadiku.

Sipas tij me kalimin e kohës sjelljet e keqpërshtatura avancojnë duke ashpërsuar nivelin tyre prandaj edhe trajtimi i këtyre rasteve fillon të bëhet edhe më kompleks.

“Gjatë rritjes fëmijët fillojnë të hulumtojnë të gjitha rrethanat që u ndihmojnë me realizu qëllimet e tyre. Këtu fillon problemi, fëmija fillon që t’i hulumtoj të gjitha rrugët për me i arrit qëllimet e tij një prej qëllimeve më të thjeshta është kur fëmija në rsaste kur se ka mundësinë me marr një lodër të caktuar fillon e qan, shtrihet në tokë derisa prindi detyrohet që t`ia plotësoj dëshirën deri sa të ja jep lodrën”, shpjegon doktor Sadiku.

Sipas psikologut Sadiku, gabimi më i madh në këtë rast është kur prindi vendos t`ia realizoj kërkesën e fëmijës në situatat kur ai është duke bërtitur e kërkuar atë me çdo mënyrë.

“Në këtë rast prindi që po e jep lodrën po e shpërblen sjelljen e fëmijës. Në rrethana të tilla ai – fëmija do ta ngrit intensitetin e kësaj sjellje se do ta dijë që rezultati do të jetë plotësimi i kërkesës së tij. Në raste të tilla ajo kërkesë nuk duhet të përmbushet, nuk duhet të realizohet dhe pikërisht fëmijës duhet t’i komunikohet, për shkak se ju po silleni në këtë mënyrë unë nuk mundem me ta plotësu dëshirën, unë dua që ti të jesh i qetë që me ta realizu dëshirën. Fëmija do të provojë ta ngrit intensitetin e sjelljes, ndërkohë që fëmija përmes këtyre reagimeve provon me marrë vëmendjen e prindit. Fëmijët janë tepër të vetëdijshëm që në situata të caktuara prindërit detyrohen me i realizu kërkesat e tyre për shkak të përvojave paraprake“, tregon doktori.

Sadiku thotë se është shumë e rëndësishme që pakti në mes të prindit dhe fëmijës të mos thyhet në asnjë rrethanë, sepse po u bë ajo, fëmija do ta përdorë edhe në raste tjera.

“Në momentin kur fëmijët i mbushin dy vjet e gjysmë ata i kanë të vendosura preferencat, pikërisht është ky momenti në të cilin prindi duhet të filloj të bëjë edukimin e fëmijës që fëmija të jetë i prirur t’i fitojë shpërblimet në një mënyrë më të përshtatshme”, thotë ai.

Sipas psikologut Sadiku situata është më e vështirë te çiftet që jetojnë në bashkësi familjare pasi që në ato raste nuk janë prindërit që vendosin për edukimin e fëmijës, janë edhe gjyshërit ndikimi i të cilëve është i madh.

“Ne e shohim interferencën nga familjarët e tjerë veçanërisht nga gjyshi e gjyshja që thonë leje se është i vogël. Dhe këto janë komente që ndikojnë që ne përveç që të mos e trajtojmë çrregullimin munden me shkaktu probleme në kohezionin familjar sepse fëmija fokusohet te të tjerët që ofrojnë mbështetje dhe duke e anashkaluar prindin njëkohësisht duke i vendos prioritetet sociale në mënyrën se si fëmija lidhet emocionalisht me dikë tjetër. Andaj i porositi prindërit se është e kuptueshme që është e vështirë të rritësh fëmijë në një ambient kur nuk vendos vetëm prindi. Gjyshërit nuk janë ata të cilët duhet të kenë ndikim vendimmarrës në rritjen e një fëmije”, tregon doktor Sadiku.

Burimi: kallxo.com 

Autore: Paulina Nushi Muhaxhiri

/komuniteti