Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Edukimi sfinkterial nga Lira Gjika

04.12.2015 - Edukimi sfinkterial është një proçes i gjatë psiko-fiziologjik. Ai fillon më përpara se fëmija të aftësohet për të shkuar në tualet, jo duke e vendosur nëna në oturak, por duke i treguar ajo se ku po shkon dhe çfarë po bën. Ky proçes ndërtohet përditë në mënyrë pasive. Pasi fëmija arrin moshën njëvjeçare, atij i flitet konkretisht për urinimin dhe defekimin.

Trupi i fëmijës bëhet i aftë për të urinuar dhe defekuar në mënyra të vullnetshme pas moshës dy vjeç e gjysmë, moshë në të cilën aktivizohet sistemi nervor piramidal. Në këtë moshë, mbaron dhe mjelimizimi i sfinkterave anal dhe urinar. (Mjelina është ajo substancë që bën të mundur përçimin e impulseve nga qeliza në qelizë.)

Nëse fëmija tregon se ka nevojë për të urinuar apo defekuar, nuk duhet nxituar, aprovojeni por mos shpejtoni që ta ndihmoni apo t’i sygjeroni të shkojë në banjë. Duhet shumë kujdes! Është më mirë që të rriturit të jenë pasiv në këtë proçes. Është një maturim që fëmija duhet ta arrijë pa imponim. Përpara se të ndërhyhet që t’i mësohet se duhet të urinojë, të nxitet të zbresë dhe ngjisë 4-5 shkallë vetë, të vrapojë, të mbajë një gotë me ujë dhe ta transportojë nga një dhomë në tjetrën, në fillim të mbushur përgjysmë dhe më pas plot. Mësojeni të përdorë thikën dhe të njohë zjarrin, të qërojë bizele dhe të presë bishtaja. Pasi të jetë zhdërvjelltësuar në këto veprime, filloni dhe vendoseni në oturak. Edhe ky proçes është edukim dhe maturim dhe do kohën e vet të realizohet, por mos dyshoni aspak që fëmija do e arrijë këtë kontroll të vetes.

Në ndryshim nga vajzat, që defekojnë dhe urinojnë ulur, djemtë urinojnë në këmbë dhe defekojnë ulur, por, gjithashtu, djemtë deri në moshën 18 muajsh urinojnë kur organi i tyre mashkullor është në ereksion. Mbas kësaj moshe ereksioni nuk ndodh më gjatë urinimit. Të gjitha këto dukuri edhe pse natyrale, shkaktojnë tek djemtë e vegjël një konfuzion, që kërkon kohë të administrohet. Për këtë arsye të fituarit e kontrollit të defekimit dhe urinimit kërkon më shumë kohë sesa tek vajzat.

Autore: Lira Gjika

/komuniteti