Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Fëmijët, më pak të stres nëse luajnë në natyrë

16.07.2012 - Nëse jeni më pak se 11 vjeç dhe nuk keni dalë kurrë në shi apo nuk keni hipur në pemë, është mirë që të filloni t’i eksploroni edhe këto gjëra.

Këtë këshillë ua jep “National Trust”, që për t’i shkëputur fëmijët nga kompjuteri dhe televizori, ka hartuar një listë me 50 gjërat që duhen bërë deri në moshën 11 vjeç, për shembull, si të ecësh në ekuilibër mbi një trung peme apo të shijosh një mollë të sapokëputur.

Pjesa më e madhe e fëmijëve të këtij brezi nuk i kanë provuar kurrë këto gjëra. Vetëm 10% e fëmijëve të sotëm luajnë jashtë, kundrejt 70% që luanin dikur. Një në tre fëmijë nuk është ngjitur kurrë në një pemë. Këto statistika e kanë detyruar entin britanik t’i shpallë luftë asaj që pedagogu amerikan, Richard Louv e ka quajtur “çrregullime nga deficiti i natyrës”. “Fëmijët po humbasin shumë gëzime, mirëqenien fizike dhe psikologjike, duke mos luajtur në ajër të pastër e duke mos e eksploruar natyrën në të gjithë kaosin e saj”, – ka thënë Fiona Reynolds, drejtoresha e përgjithshme e bamirësisë britanike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit. Nëse gjunjët e vrarë dhe gërvishtjet e ndryshme ishin karakteristikë për të vegjlit e dikurshëm, sot janë vërtetë të pakët fëmijët që luajnë jashtë shtëpisë. Sipas një studimi të realizuar nga “Trust”, fajin e kanë më shumë prindërit që i mbrojnë sesa televizori dhe kompjuteri. “Përqindja e fëmijëve që bëjnë ç’të duan pa ndërhyrjet e të rriturve, është ulur 90% nga vitet ’70 e deri më sot. Shumë të rritur kujtojnë ende sot me mall emocionin e atyre momenteve. Gëzimi u duhet kthyer edhe fëmijëve të tyre”, – shton Reynolds.

Nuk është rastësi që për të shkruar listën, “National Trust” u kërkoi anëtarëve të saj të ndanin kujtimet e fëmijërisë që i kishin nxitur ata ta donin natyrën. Pesëdhjetë pikat nuk janë gjë tjetër veçse përzgjedhja e 400 sugjerimeve. Kjo listë tregon edhe një herë se si e kalonin kohën dikur fëmijët, duke organizuar gara kërmijsh, duke kapur flutura apo duke këputur fruta të freskëta nga pemët. Për t’i ndihmuar të vegjlit të arrijnë qëllimet e listës, duke filluar nga ndërtimi i një strehe, te gjuetia e fosileve, “National Trust” ka angazhuar disa të rinj të pagëzuar “Ranger Elite”. Qëllimi i gjithë kësaj nisme është që fëmijëve t’u rikthehet marrëdhënia me natyrën. Të ndihmohen që të zbulojnë emocionet dhe ndjenjat, të cilat “Playstation” ose “X-Box” nuk mund t’ua japin. “Fëmijët që luajnë në natyrë i njohin më shumë gjërat, ndihen dhe kuptohen më mirë, janë më bashkëpunues dhe më të shëndetshëm fizikisht”, – përfundon Stephen Moss, autore e raportit./tch/

/komuniteti