Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Infeksionet ushqimore te fëmijët janë më të shpeshta në verë

25.06.2012 - Ndodhin edhe për shkak të rritjes së temperaturave, por fatmirësisht në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasoja të rënda. Bëni kujdes me produktet e bëra në shtëpi.

Piknik veror, dreka nëpër plazhe, panine me vete në çantë për ekskursionet e ditës. Kjo është e bukura e stinës së verës, por duhet të keni kujdes me përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimeve. Me të nxehtin shtohen infeksionet ushqimore, sidomos te fëmijët. Këtë e theksojnë edhe ekspertët, sipas të cilëve ushqimet më problematike janë ato industriale dhe të bëra në shtëpi, por nuk përjashtohen edhe mjalti, ose frutat e konservuara.

Rreziqet

Fëmijët, në veçanti ata nën moshën 6 vjeç, janë më të rrezikuar se të rriturit nga infeksionet ushqimore, sepse mbrojtjet e tyre imunitare nuk janë forcuar plotësisht. Për ta kontakti me bakteret ose viruset e pranishme tek ushqimet mund të jetë i rrezikshëm dhe të shkaktojë një infeksion që fatmirësisht pothuajse gjithmonë zgjidhet lehtë, pa shumë komplikime. Kështu, për të mos i prishur pushimet duhet të dini se cilat janë burimet më të zakonshme të “takimeve të këqija”: “Duhet theksuar se prania e mikroorganizmave të rrezikshëm nuk është gjithmonë e dukshme. Një ushqim i infektuar mund të ketë të njëjtat karakteristika në aromë, ngjyrë, shije. Të konsumosh një ushqim vetëm se ka një pamje të bukur nuk është garanci e ushqimit të shëndetshëm dhe gjithashtu nuk mjafton për të shmangur rrezikun e infeksioneve”, thotë një pediatre. Për të ulur rrezikun e prekjes nga infeksionet duhen ndjekur një sërë rregullash.

Rregulli numër një: lani duart para se të konsumoni çfarëdo lloj ushqimi. Një nga format më të zakonshme të marrjes së mikrobeve është pikërisht papastërtia e duarve të personit që i përgatit këto ushqime ose kontakti me sipërfaqen e punës dhe me enët e palara. Për shmangien e çdo lloj rreziku ushqimet duhen gatuar mirë, në mënyrë që edhe pjesët e brendshme të arrijnë një temperaturë 70ºC dhe të konsumohen menjëherë pas zierjes, pa u ftohur. “Nëse gatuajmë diçka në shtëpi dhe nuk e konsumojmë në moment, duhet ta ruajmë në frigorifer, ose nëse keni parashikuar që ta konsumoni për një periudhë të gjatë, atëherë futeni në ngrirje dhe merrni pjesë, pjesë sa dëshironi të hani. Kur ushqimet e gatshme ngrohen, duhen konsumuar shpejt dhe kur janë të nxehta madje. Këtë periudhë duhet të zgjidhni ushqime që kanë përbërës të padëmshëm. I tillë është qumështi i pasterizuar, që u reziston temperaturave të larta nëse mbahet në frigorifer. Kur të udhëtoni pini gjithnjë ujë shisheje dhe sigurohuni që tapa të jetë e mbyllur hermetikisht para hapjes”, shpjegon pediatrja.

Infeksionet

Edhe një herë theksi vihet te produktet e bëra në shtëpi, sepse është më e lehtë të harrohet ndonjë nga rregullat e lartpërmendura për përgatitjen e ushqimeve të ndryshme. Po ashtu duhet të tregoni kujdes edhe për ushqimet e blera te shitësit ambulantë, ose kioskat e hapura, sepse insektet, brejtësit dhe gjallesat e tjera mund t’i infektojnë ato, prandaj duhet të siguroheni që ushqimet nuk janë të ekspozuara ndaj këtij rreziku.

Fatmirësisht infeksionet ushqimore, edhe ato më të zakonshmet gjatë verës, janë të lehta dhe nuk shkaktojnë probleme serioze; në këtë rast vlen të përmendet për shembull infeksioni i stafilokokut, një nga më të përhapurit, që zakonisht ka një inkubacion të shkurtër, pak orë, vetëm për pak kohë dhe zgjidhet brenda 24-48 orëve. Shenja e parë është diarreja. E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e një infeksioni tjetër te fëmijët, ajo e rotavirus: në këtë rast, përveç diarresë, pacienti ka dhimbje barku dhe të vjella, që shfaqen 5-6 ditë pas kontaktit me virusin dhe simptomat vazhdojnë 3-7 ditë të tjera. “Në të dyja rastet nuk nevojiten barna specifike, sepse duke i eliminuar lëngjet përmes diarresë, organizmi çlirohet nga agjenti infektues”, thotë pediatrja. “E rëndësishme është hidratimi i fëmijës, duke i rikthyer sasinë e duhur të lëngjeve në trup dhe të kripërave minerale të humbura, sidomos kur diarreja dhe të vjellat janë të shpeshta dhe të bollshme”. Infeksioni nga i cili duhet të keni shumë frikë është botulizmi: shfaqet me vështirësi në të folur dhe të parë, lëngëzim të gojës, dobësi muskulore dhe nëse nuk trajtohet mund të japë paralizë progresive, vështirësi në frymëmarrje dhe mund të çojë deri në vdekje. Shkaktohet nga toksina botulinike e prodhuar nga “Clostridium botulinum”, një bakter që gjendet kryesisht te produktet e konservuara të shtëpisë ose të ruajtura gjatë. Bëni kujdes me turshitë e bëra vetë, kompostot dhe reçelet. Duhet të jenë të përgatitur në mënyrën e duhur dhe të jenë respektuar të gjitha kushtet higjienike, nga sterilizimi i enëve te mbajtëset prej qelqi me kapak./shqip/

/komuniteti