Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Kelmendi: Mungon vullneti institucional për t’u marrë me fëmijët që kërkojnë lëmoshë

01.08.2014 - Shumica prej tyre janë nga Shqipëria, ndërsa statistikat e mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë flasin për një fenomen shqetësues për shoqërinë tonë.

Në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë tregojnë se kanë evidentuar 76 raste të fëmijëve në kërkim-lëmoshë, me të cilët po merret ky institucion.

E njohur për kryeqytetasit. Vajza me aftësi të kufizuara e cila shpesh troket në veturat për të kërkuar lëmoshë, është vetëm 15 vjeçare. E rritur në rrugë si shumë fëmijë të tjerë, asaj deri më sot askush nuk I ka ardhur në ndihmë.

Se këta fëmijë janë në vend që nuk përkasin, e thonë edhe zyrtarët nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Drejtori Vehbi Mujku, thotë për televizionin publik se po punohet në përpilimin e një strategjie komunale për shërbime sociale ku në mesin e tyre do të përfshihen edhe fëmijët që kërkojnë lëmoshë.

“Këta që janë me probleme mendore është pak më vështirë, sepse ne punojmë me ta punojmë bashkë me shëndetësinë, bashkë me qendrën e shëndetit mendor mundohemi të kemi takime të rregullta, shumë shpesh na japin fjalën që nuk do të dalin më, mirëpo kjo gjë përsëritet prapë......Shpresoj shumë seriozisht, sepse kjo çështje ka mu zgjidhë në një afat shumë të shkurtë, kur them një afat të shkurtë ndoshta po mendoj një afat gjashtëmujor apo diçka e ngjashme, jo më gjatë, thekson Mujku.

Mujku e konsideron te nevojshme hapjen e një qendre rehabilitimi e riintegrimi për fëmijët me nevoja të veçanta, meqë sipas tij, këta fëmijë paraqesin rrezik për vetën e tyre dhe për shoqërinë.

“Është e vërtetë që kemi një grup të njerëzve që pothuajse po rriten rrugëve të qytetit dhe kjo neve na ka shty që të merremi me ta shumë seriozisht të mendojmë se cila do të jetë forma më e përshtatshme të punojmë me këta fëmijë, sepse ne kemi konsideruar një formë e institucionalizimi apo të mbylljes në një geto është një formë e cila nuk lejohet më askund as në Evropë as në një shtet të zhvilluar. Prandaj krejt puna është e bazuar në punën me familje, të punohet me familjen me komunitetin, me rrethin, edhe mundësia e integrimit të tyre”, tha ai.

Donjeta Kelmendi drejtoreshë e koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, thonë se mungon vullneti institucional për t’u marrë rrënjësisht me çështjen e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë.

“Në pozitë të vështirë janë edhe institucionet të cilat ofrojnë mbrojtje karshi këtyre fëmijëve, për arsye se për t’u marrë me një çështje si kërkim lëmosha, duhet të ofrohen alternativa, dhe për momentin institucionet tona të cilat janë të mandatuara të punojnë për mbrojtje të fëmijëve kanë mungesë të alternativa e sidomos në aspektin buxhetor kur flasim janë shumë të limituar në mënyrë që të ofrojnë mbrojtje”, tha ajo.

Sipas saj, problem i madh është se nuk ka të dhëna të saktë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë. Kelmendi thotë se ka raste kur fëmijët janë të shtyrë edhe nga prindërit të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë si rrjedhojë e gjendjes së rënde ekonomike./koha.net/

/komuniteti