Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Këshillat e Mjekut : Ndikimi i ajrit të ndotur te gratë shtatëzëna

29.11.2018 - Ndotja e ajrit tashmë është një prej shqetësimeve më të mëdha të qytetarëve të Kosovës.

Çdo ditë tregohen shifrat e matjeve të ndotjes së ajrit ndërsa organet kompetente sugjerojnë popullatën të qëndrojnë në shtëpi dhe që të mos hapin dritaret.

Ndikimi i ajrit të ndotur në çdo individ është negativ dhe paraqet rrezik për sëmundje të ndryshme por një shqetësim i madh është ndikimi që ka ajri i ndotur në gratë shtatëzëna, thotë për KALLXO.com Memli Morina Gjinekolog-Obstetër.

“Një pyetje shumë e rëndësishme që mund të keni është se ajri që e thithim, a ka ndikim negativ te bebja .Vazhdimisht bëhen hulumtime për të faktuar ndikimin që ka ajri i ndotur në rrjedhën e shtatzënisë dhe në mirëqenien e shtatzënës e të frytit. Ndotja e ajrit mund të vie nga shumë forma. Ajri i ndotur ka ozon, partikula (copëza të imta), dioksid të azotit, dioksid të sulfurit, tymra të veturave, ndotje si pasojë e ndërtimeve, pirja pasive e duhanit, pluhuri atmosferik dhe kimikaliet. Tash kur jeni shtatzënë ju mund të shmangni disa nga këto burime të ndotjes së ajrit (psh duhanpirjen pasive ose tymrat e veturave ose ndërtimeve), por ajrin që e thithni s’keni se si ta zgjedhni” thotë Morina.

Sipas tij ekspozimi ndaj ajrit të ndotur mund të ketë për pasojë kollitjen, teshtitjen, iritimin e syve, iritimin e fytit dhe sinuseve, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes si bronkiti, astma dhe emfizema, plogështia e theksuar, ndjenja e mosngopjes me frymë, problemet me zemër, sëmundjet malinje etj.

Morina thotë se ajri i ndotur është i rrezikshëm për çdo specie por sipas tij ndikimin më të theksuar ajri i ndotur e ka te gratë shtatzëna, fëmijët, bebet, personat me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes dhe te të moshuarit. Ai përmend disa nga efektet negative që ka ajri i ndotur te gratë shtatëzane dhe bebet e tyre.

“Pesha e ulët në lindje ,pesha ideale e lindjes është mbi 2,5 kg. Bebet të cilat lindin në termin me peshë nën 2,5 kg konsiderohen si bebe me peshë të ulët në lindje. Mesatarisht një nga 12 bebe lind me peshë të ulët dhe shkaktarët mund të jenë të shumtë, përfshirë edhe shkaktarët gjenetikë, por konsiderohet se ajri i ndotur luan rol shumë të rëndësishëm. Është bërë një studim interesant në Pekin që ëshë një nga qytetet që i konkuron Prishtinës për ta marrë vendin e parë si qyteti më i ndotur në botë. Në vitin 2008 në Pekin u mbajtën lojërat olimpike dhe gjatë dy muajve sa u mbajtën lojërat olimpike, qeveria kineze kishte bërë përpjekje që të ulte sa më shumë që ishte e mundur ndotjen e ajrit. Sipas këtij studimi gratë shtatzëna të cilat ishin në muajin e tetë të shtatzënisë gjatë kohës kur mbaheshin lojërat olimpike (kur ajri ishte më i pastër) dhe kishin lindur më pas në termin, krahasuar me gratë të cilat kishin lindur në të njëjtin muaj kalendarik të vitit paraprak kishin bebe 360 gram me peshë më të madhe” thotë ai.

Sipas doktorit akoma nuk dihet saktë se cili muaj i shtatzënisë është më i ndjeshëm sa i përket ndikimi të ajrit të ndotur, por rezultatet e këtij studimi nuk mund të na lënë indiferent

“Lindja e parakohshme – Sipas studimit të The Stockholm Environment Institute (SEI) të Universitetit të York, rreth 3 milion bebe lindin çdo vit para kohe si pasojë e ajrit të ndotur. Konsiderohet se rreth 18% e të gjitha lindjeve para kohe lidhen me ekspozimin ndaj ajrit të ndotur. Lindja para kohe mund të ndodhë për shumë arsye, por një faktor shumë i rëndësishëm është ajri i ndotur” thotë ai.

Studimet shkojnë më tutje duke e lidhur ndotjen e ajrit edhe me paraqitjen e autizmit te fëmijët. Morina thotë se rrezik është fakti që ajri i ndotur e përkeqëson edhe astmën dhe kjo është shumë e rrezikshme për gratë shtatëzana. Një problem tjetër sipas tij që është shumë i madh dhe ndikohet nga ajri i ndotur është edhe steriliteti .

“Shumë studime kanë dokumentuar se ajri i ndotur bën që burrat dhe gratë të kenë më shumë probleme dhe ta kenë më të vështirë që të bëhen prindër. Është gati e pamundur që të shmangim secilin faktor që mund ta rrezikojë shtatzëninë dhe shëndetin e bebes, por mund t’i bëni disa veprime të cilat e zvogëlojnë ekspozimin ndaj ajrit të ndotur .Evitoni daljen nga shtëpia gjatë ditëve kur ajri është i ndotur. Shmangni vendet ku ajri është më shumë i ndotur .Kur shkoni në punë, dilni më herët nga shtëpia dhe kthehuni më vonë për të shmangur ekspozimin ndaj ajrit të ndotur që vie nga veturat. Nëse ecni, shfrytëzoni rrugët dytësore ku ka më pak qarkullim të veturave” thotë doktor Morina.

Sipas doktor Morinës pëdorimi i maskave për fytyrë nuk ka të dhëna se ka ndikim shumë të madh. Morina thotë se ekzistojnë disa maska të sofistikuara të cilat mbrojnë nga dioksidi i azotit, por ato nuk mund t’ju mbrojnë nga copëzat e imta të cilat janë shumë të rrezikshme për shëndetin. Për më tepër, shumica prej njerëzve e kanë të vështirë që të mbajnë maskë dhe disa edhe e kanë ndjenjën e frymëzënies kur e kanë maskën në fytyrë.

Burimi: kallxo.com

/komuniteti