Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Kujdesi Shëndetësor ndaj gruas në Shqipëri

Revista NewsWeek vlerëson maksimalisht Kujdesin Shëndetësor ndaj gruas në Shqipëri

17.10.2011 - Pak ditë më parë, revista prestigjoze amerikane “Newsweek” në një publikim të saj që analizonte përmbushjen e të drejtave të grave në çështje që lidhen me cilësinë e jetës e renditi Shqipërinë në vendin e 21 mes 165 vendeve të tjera.

Ndërmjet 5 sektorëve të analizuar shëndetësia rezulton e vlerësuar me 99.3 pikë nga 100 pikë të mundshme duke e renditur vendin tonë të dytin pas Norvegjisë për lehtësitë që ofron ndaj grave.

Në një dalje publike, Ministri i Shëndetësisë Z. Petrit Vasili i është përgjigjur interesit të medias mbi treguesit , përmbushja e të cilëve ka shënuar një rezultat të tillë.

“ Ky është një vlerësimi i rëndësishëm që revista amerikanë “Newsweek” ka bërë për 165 vende të botës mbi problemet e trajtimit të çështjeve të gruas dhe ku Shqipëria renditet në vendin e 21 nga i 52-ti ku ajo ka qenë një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, vlerësimi që i bëhëj vendit tonë mbi lehtësirat që i ofroheshin gruas në aspektin shëndetësor arrinte në 71 pikë nga 100 të mundshmet, ndërsa sot mbledh 99.3 pikë duke e renditur çështjen për trajtimin e problemeve të shëndetit të gruas si të parën (me pikët më të larta ) në grupin e kritereve të analizuara, duke lënë pas shumë vende si psh Greqia, Kroacia, Qipro, Sllovakia, Bullgaria, Malta etj ”- tha Z. Vasili

Ministri Vasili theksoi se një rezultat i tillë i nuk i dedikohet punës së një dite por një përpjekjeje të vazhdueshme.

“Është bërë një punë intensive, e zhvilluar mbi respektimin e kritereve të rekomanduara në mënyre sistematike nga OBSH si psh. mbulimi dhe ndjekja shëndetësore e 98% të grave nga institucionet shëndetësore publike, kryerja e mbi 98% të lindjeve në këto institucione, komunikimi i vazhdueshëm dhe kryerja e disa ekografive kontrolluese gjatë procesit të shtatzanisë, rritja e nivelit profesional në konsultore, rritja e spitaleve “ Mike të nënës ” të cilët aplikojnë procedura jashtëzakonisht profesionale në trajtimin e gruas dhe fëmijës. Gjithashtu përmes promocionit janë shënuar arritje në ushqyerjen me gji, e cila ka padyshim ka ndikim në shëndetin e gruas. Njëkohësisht duhet theksuar edhe rëndësia e kuadrit ligjor i cili parandalon abortet kriminale si edhe puna e jashtëzakonshme në aplikimin e një strategjie kundër dhunës së gruas, kufizimi i së cilës parandalon edhe një sërë komplikacionesh që kanë të bëjnë me momentet e shtatzanisë, etj. Padyshim një punë mjaft e mirë është bërë përsa i takon problemeve të kequshqyerjes dhe mbajtja e një kontrolli të plotë të trasmetimit të HIV\AIDS-it nga nëna tek fëmija duke mbuluar 100% me trajtim retroviral të gjitha gratë të cilat janë bartëse të virusit ” - u shpreh Ministri Vasili.

Ministri Vasili vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin se analiza është bërë mbi të dhënat e ofruara nga OBSH, UNFPA, UNDP etj, pra nga burime të pavarura dhe objektive të cilat i kanë dhënë këto rezultate pas monitorimit të indikatorëve shëndetësor në Shqipëri.

“ Ambicja jonë është që t’i ruajmë këto arritje por gjithashtu të thellojmë punën në formimin e mëtejshëm të personelit për një asistence mjekësore të kualifikuar dhe njëkohësisht të ecim edhe më lartë pasi në këtë mënyrë kemi gra me shëndet të mirë, që janë një pasuri e madhe për shoqërinë dhe familjen ku roli i tyre mbetet i pazëvendësueshëm ”- përfundoi Ministri Vasili./moh.gov/

/komuniteti