Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Kukulla “spiune” duhet larguar nga fëmijët

20.02.2017 - Kukulla “Cayla” është bërë e famshme në Gjermani, për shkak të teknologjisë së saj që e bën të flasë, por një mbikëqyrës zyrtar u ka bërë thirrje prindërve që të shkatërrojnë të tilla lodra argëtuese të fëmijëve të tyre, sepse “zgjuarsia” e këtyre kukullave mund të zbulojë edhe të dhëna personale.

Paralajmërimi është lëshuar nga Agjencia Federale e Rrjeteve (Bundesnetzagentur), që mbikëqyr telekomunikacionet. Studiuesit thonë se piratët kompjuterikë mund të përdorin pajisjen e pasigurtë të “bluetooth”-it që i është vendosur këtyre kukullave, për të dëgjuar dhe folur me fëmijët e vegjël që luajnë me to.

Prodhuesi, “Genesis Toys” nuk ka komentuar ende mbi këtë paralajmërim të zyrtarëve gjermanë.

Ndërkohë, grupi i shpërndarjes së këtyre kukullave “My Friend Cayla”, “Vivid Toy” është shprehur në të kaluarën se mundësia e piratimit është e izoluar dhe se mund të bëhet vetëm nga specialistë. Gjithsesi, ai tha se kompania e shqyrtoi informacionin, dhe u përpoq ta përmirësojë aplikacionin e këtyre kukullave. Por ekspertët paralajmërojnë se problemi ende nuk është riparuar.

Kukulla “Cayla” mund t’iu përgjigjet pyetjeve të fëmijëve duke pasur qasje në internet. Për shembull, nëse një fëmijë e pyet kukullën “si quhet i vogli i kalit?”, ajo përgjigjet “quhet mëz”. Dobësia e programit të këtyre kukullave u zbulua për herë të parë në janar të vitit 2015. Ankesa janë dorëzuar edhe nga grupet e konsumatorëve amerikanë dhe europianë.

Burimi: Top Channel

/komuniteti