Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Më shumë se 100 fëmijë të sëmurë brenda ditës nga gripi

01.12.2016 - Situata epidemiologjike me gripin sezonal në Kosovë po alarmon institucionet shëndetësore. Vetëm në Klinikën emergjente pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore brenda 24 orëve kërkojnë mbi 100 fëmijë.

Kështu ka deklaruar drejtori i kësaj Klinike, Muharrem Avdiu. Sipas tij, ka raste të shtuara të gripit, por nuk janë shënuar edhe raste të vdekjeve epidemiologjike.

“Janë rreth 100 fëmijë që gjatë ditës kërkojnë ndihmë mjekësore në emergjencën e Klinikës së Pediatrisë, derisa ndodh që deri në 25 raste t’i shtrijmë në klinikë. Në këto ditët e fundit, nuk kemi vende të lira në Klinikën e pediatrisë prej numrit të madh të rasteve që është dashur t’i pranojmë”.

“Nuk kemi raste të shtuara të vdekjeve. Por, sa i përket furnizimit me barna, nuk qëndrojmë mirë. Është vështirë se do të mund t’i përcjellim të gjithë pacientët fëmijë. Terapinë dhe barnat e sigurojnë prindërit, derisa me ato që i posedojmë i trajtojmë ne”, ka thënë Avdiu.

Furnizimi me barna në Klinikën e pediatrisë, si qendër referente për tërë Kosovën, është i dobët, derisa për trajtimin e fëmijëve barnat i blejnë vetë prindërit e fëmijëve.

Njëri nga ata, të cilin e takuam në oborrin e kësaj klinike, thotë se trajtimi është i mirë, por mungojnë barnat.

“E kam fëmijën të shtrirë në Klinikën e pediatrisë. Kujdesi është në nivel, s’kam vërejtje. Por, barnat na kërkohet t’i blejmë vetë. Shumicën ose pothuajse të gjitha i blejmë vetë. Është mjaft vështirë për ne si prindër”, thotë ky prind.

Edhe në Klinikën infektive numri i pacientëve të rritur që kërkojnë ndihmë nga sëmundjet virale, është shtuar.

Sali Ahmeti, infektolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse ka mjaft pacientë që kërkojnë ndihmë, ende nuk ka pasur raste të vdekjes nga gripi. Ai përmend edhe ujin e kontaminuar, për të cilin mendon se mund të ndikojë në rritjen e infeksioneve në popullatë.

“Pa diskutim se ka mundësi që nga uji i kontaminuar përhapet virusi. Po ashtu, edhe ushqimi i kontaminuar, mund të ndikojë në rritjen e numrit të të prekurve me virus. Tashmë janë konfirmuar disa raste me gripin sezonal ‘A’, por rastet tjera ende nuk janë konfirmuar. Pacientët janë me komplikime të rralla respiratore, por janë jashtë rrezikut për jetën”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Por, Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se uji i pijes, i cili është prej sistemeve qendrore, është brenda standardeve të lejueshme të përdorimit, në bazë të analizave ditore që i bëhen.

“Ne monitorojmë në baza ditore ujin, prej sistemeve qendrore, pra nga ujësjellësit. Bëhet monitorimi në nivel Kosove, dhe mendoj që ata që preken me viruse, preken nga uji i pambuluar me monitorim dhe është një numër i vogël i vendbanimeve që nuk janë të kyçur në ujësjellës. Përndryshe rezultati i ujit është brenda standardeve”, ka thënë Nushi

Zyrtarë nga IKSHPK-ja tashmë kanë deklaruar se Inspektorati Shëndetësor duhet të mbikëqyrë të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se të gjitha institucionet shëndetësore, në bazë të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, janë të obliguar të raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një gjë të tillë e bëjnë.

Nga viti 2015 dhe deri në prill të vitit 2016, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë raportuar 6 raste të vdekjes me grip sezonal dhe kjo sipas profesionistëve shëndetësorë vazhdon të jetë për shkak të neglizhimit të sëmundjes.

Burimi: koha.net