Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Paraqitja dhe përfaqësimi i fëmijëve nga të rriturit - nga Lira Gjika

05.09.2019 - Të gjithëve u ndodh të gjenden në mjedise me të rritur dhe fëmijë ku prindërit nuk i paraqesin fëmijët e tyre, por përkundrazi u kërkojnë, i detyrojnë deri edhe i fyejnë që ata të vetëparaqiten. Askujt nuk i shkon ndër mend se fëmija nuk mund ta bëjë këtë veprim, pasi nuk janë ndërtuar ende strukturat dhe mekanizmat psiqikë që realizojnë këtë proces.

Prindërve nuk u shkon ndër mënd se është detyra e tyre, që të paraqesi fëmijën e tyre tek të tjerët. Prindi ose zëvendësuesi i tij (kujdestari, edukatori, mësuesi) duhet të bëjë paraqitjen, të tregojë emrin dhe disa cilësi të fëmijës (i/e bukur, i/e mençur, djali/vajza ime e vogël, e madhe), apo duke treguar se është djali apo vajza e parë apo e vogël, se e quajnë X apo Y dhe se është një djalë ose vajzë shumë speciale, fjalë të cilat e bëjnë fëmijën të ndihet mirë dhe i vlerësuar. Kjo mënyrë e siguron fëmijën se prindërit ndihen krenarë për të dhe e ndihmon për të rritur shkallën e vetëvlerësimit, pa të cilën nuk mund të realizohet si individ dhe qytetar.

Kur shohin një fëmijë me prindin e tij, të rriturit i drejtohen fëmijës “Po ti, si e ke emrin?”. Prindi ndërhyn duke e nxitur të thotë emrin. Fëmija hesht dhe struket pas prindit, por prindi këmbëngul më me ngulm edhe fizikisht që fëmija të tregojë emrin. Nuk mjafton kjo, por i rrituri tjetër plotëson kuadrin me shprehjen shumë “inteligjente”: “ Uaa, ti nuk e di emrin tënd”.

Kjo praktikë nuk është vetëm e gabuar, por ndikon drejtpërdrejt në atë proçes psikik që quhet vetëvlerësim. Ky veprim, në dukje pa rëndësi, pengon mekanizmat dhe strukturat psiqike që janë të lidhura me të (vetëvlerësimin). 

Burimi: marrë nga libri Fëmijëria, me autor Lira Gjiken

/komuniteti