Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Për ta njohur fëmijën që në bark

18.04.2014 - Gjithçka që duhet të dini mbi jetën dhe ndjesitë e fëmijës që do të vijë së shpejti në jetë. Mësoni të deshifroni sinjalet që mund t’ju vijnë herë pas here nga “rezidenca” nëntëmujore e bebit dhe përjetojeni shtatzëninë si periudhën më të bukur, mbi të gjitha, nuk është një sëmundje.

Për çdo femër periudha e shtatzënisë është një moment lumturie dhe shprese. Dhe jo vetëm për të, por edhe për partnerin. Një moment gjatë të cilit mëson të njohësh veten dhe trupin, që ndryshon për të pritur një jetë të re. Është e rëndësishme të përpiqesh t’i jetosh këto momente sa më qetësisht të jetë e mundur, pa ankthe dhe tensione të asnjë lloji, me sigurinë se gjithçka do të shkojë mirë dhe se fëmija do të jetë i shëndetshëm dhe i përkryer, tamam ashtu siç e keni imagjinuar për gjithë këta muaj.

Natyra ju ka dhënë nëntë muaj për të njohur fëmijën tuaj, për të mësuar ta doni dhe t’i përkushtoheni, për të krijuar atë raport unik, që e lidh në mënyrë të pazgjidhshme nënën dhe fëmijën, transmeton Telegrafi. Me shtatzëninë nuk ndryshon vetëm trupi, por edhe mënyra juaj e të qenit: keni qenë gjithmonë vetëm bija, gjatë shtatzënisë do të mësoheni të bëheni nëna.

Gradualisht, muaj pas muaji, do të kuptoni si të lexoni sinjalet që vogëlushi që mbani brenda ju dërgon, dhe ai nga ana e tij, do të mësojë të njohë t’ju njohë ju dhe zakonet tuaja: si dhe çfarë hani, sa flini, si lëvizni... Kjo është arsyeja, pse është shumë e rëndësishme ta jetosh në mënyrë të qetë dhe të lumtur këtë periudhë, pa ankthe e dyshime, duke përfshirë edhe partnerin sa të jetë e mundur, në këtë eksperiencë të mrekullueshme dhe të papërshkrueshme që është shtatzënia.

Pas muajit të parë

Në fund të muajit të parë të shtatzënisë fetusi është i gjatë (maksimumi) 5 mm, e megjithatë zemra ka filluar të rrahë dhe truri ka filluar të formohet. Seksi, edhe pse nuk është ende i dukshëm në ekografi, është përcaktuar.

Midis javës së 8-të dhe të 9-të

Fetusi është rritur deri sa arrin një gjatësi prej 22 mm. Është kjo periudha kur fillojnë të formohen sytë, goja, veshët, duart, këmbët, mushkëritë, mëlçia, zorrët dhe veshkat.

Midis javës së 10-të dhe të 14-të

Fetusi është formuar plotësisht dhe mund të arrijë deri në 85 mm gjatësi. Që prej këtij momenti e në vazhdim duhet të fillojë të rritet dhe të maturohet. Vogëlushi fillon të lëvizë (edhe pse lëvizjet e tij nuk perceptohen nga nëna) dhe rrahjet e tij të zemrës janë të dëgjueshme vetëm me ultratinguj.

Midis javës së 15-të dhe të 22- të shtatzënisë

Fëmija rritet me shpejtësi dhe në mënyrë të pandërprerë. Është kjo periudha kur nëna e ardhshme fillon të perceptojë lëvizjet e fëmijës së saj. Mbas 22 javësh shtatzënie fëmija mund të arrijë të peshojë deri 3 hektogramë e gjysmë.

Midis javës së 23-të dhe të 30-të

Fëmija fillon të reagojë ndaj stimujve ndjesorë. Njeh zërin e nënës dhe të babait, i pëlqen të dëgjojë muzikë, arrin të dallojë dritën nga errësira. Në këtë periudhë fillon të thithë gishtin e madh të dorës me insistim, duke nisur kështu të përgatitet për thithjen e qumështit; mund të ndodhë jo rrallë ta zërë edhe lemza. Pas javës së 24-t, edhe pse me shumë vështirësi, fëmija mund të arrijë t’i mbijetojë një lindjeje të parakohshme. Në fund të javës së 30-të gjatësia e tij është rreth 24 cm dhe pesha rreth 1.400g.

Mbas javës së 31-të

Që prej këtij momenti dhe në vazhdim fëmija fillon të rrotullohet për t’u vendosur me kokë poshtë. Lëvizjet e tij shtohen në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që në javën e 37-të fetusi fillon të kryejë frymëmarrjen e parë. Rreth javës së 40-të gjatësia e tij mund të arrijë deri 50cm./telegrafi/

/komuniteti