Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Qe pse nanat janë të lodhura: Me qenë nanë është sa me punu 2 punë e gjysëm, thonë hulumtimet!

02.07.2019 - Të gjithë e dimë se nënat nuk kanë asnjë ditë të lirë, as fundjavë, as pushim gjatë festave, as pushim vjetor! Dhe një studim i ri tregon se sa shumë në fakt punojnë nënat. Studimi i publikuar së fundmi, ka analizuar 2,000 nëna të fëmijëve mes 5 deri 12 vjeç dhe ka arritur në përfundim se nënat punojnë mesatarisht 98 orë në javë. Kjo është e barabartë me dy punë e gjysmë me orar të plotë.

Sipas këtij studimi, një nënë zakonisht zgjohet në ora 6:30 të mëngjesit, dhe puna e saj nuk përfundon deri në ora 8:30 të mbrëmjes. (E për shumicën e ne nënave kjo na duket si ditë e mirë. Duke pasur parasysh se ky orar mund të zgjatet deri në 10 a 11 të mbrëmjes.)

Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se sa shumë kërkesa ka roli i nënës dhe se nënat kanë detyra që nuk mbarojnë gjatë gjithë ditës. Studimi thotë se një nënë është me fat nëse arrin të gjej rreth 1 orë e 7 minuta për veten e saj çdo ditë. Katër në dhjetë gra kanë pohuar se ndihen sikur jeta e tyre është si një seri e obligimeve që asnjëherë nuk marrin fund.

Krahas listës së gjatë të kërkesave, nënat e intervistuara kanë deklaruar se kanë edhe disa shpëtimtarë! Në krye të listës së gjërave që ua ruajnë mendët, dhe i shpëtojnë nga kaosi i përditshmërisë, nënat kanë vendosur faculetat e lagura, iPad-ët, filmat për fëmijë, ushqimet e gatshme, kafenë, dhe ndihmën e gjyshërve dhe dadove.

Është shumë e qartë se shumë nëna punojnë me gjithë kapacitetin e tyre, kështu që nuk është për t’u befasuar se 72% e tyre thonë se ndonjëherë e kanë të vështirë t’i ushqejnë fëmijët e tyre shëndetshëm gjatë gjithë kohës.

Mund të duket dëshpërues fakti që një nënë punon 14 orë në ditë, e që kjo është sa të punosh dy punë e gjysëm. Por, për shumë nëna, amësia ia vlen kohën shtesë që kalojnë duke vrapuar përreth e duke pastruar gjësende.

Sigurisht, ne nënat rezultatet e këtij studimi nuk na habisin fare. Por, ajo që është me rëndësi në këtë studim është t’i tregohet pjesës tjetër të shoqërisë: Nënat kanë nevojë për përkrahje, në shtëpi, në vendet ku punojnë dhe në komunitet!

Autore: Heather Marcoux

Përshtatja: supergratë

/komuniteti