Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Rituali më i fuqishëm familjar? Përrallat para gjumit

15.01.2020 - Thjesht, nuk ka asgjë më të fuqishme se përrallat para gjumit, veçanërisht në këtë kohë të ekraneve. Kur thellohemi në diskutim, nisim të shohim se si përrallat para gjumit janë mënyra e përkryer për ta përfunduar ditën. Kështu që, ta rimendojmë e ta rimarrim këtë dekompresim të kohës si për fëmijën ashtu edhe për prindin.

Nuk është diçka që e bëjmë vetëm për fëmijët – dobitë e kësaj na mbërrijnë edhe ne. Nuk lexojmë për fëmijët, lexojmë me fëmijët. Dhe ja pesë arsye përse përrallat para gjumit janë rituali familjar më domethënës:

Përmbyllja e ditës

Përrallat para gjumit simbolizojnë një pikë-mbyllje të ditëve tona që duket sikur janë pa fund. Edhe fëmijët, kur nisin shkollën, fillojnë ta ndjejnë shtypjen e një bote 24/7-she. Sëbashku mund të nisim të qetësohemi, të çlirohemi nga ankthet që mund ta mbushin një ditë. Për fëmijët, procesi i ngadalësimit nis me banjën, larjen e dhëmbëve dhe veshjen e pizhameve. Për ne prindërit, është gjithashtu e rëndësishme ta kthejmë vëmendjen dhe praninë drejt kësaj kohe të veçantë – duke e trajtuar si një hapësirë të pandërprerëshme, të shenjtë (duke i lënë pajisjet elektronike jashtë dhomës!).

 

Ndjenja e sigurisë

Mbase nuk ka ndjenjë më të sigurtë se strukja tek prindi, duke dëgjuar zërin e tyre qetësues. Lidhja forcohet gjersa përralla na çon në një botë të mundësive pa fund. Niveli i stresit nis të bjerë, si për prindin ashtu edhe për fëmijën, dhe një energji më e butë nis të na rrethojë. Përsëritja e përnatëshme e këtij rituali të mrekullueshëm nxit dashuri të pakusht që i mbron të vegjëlit tanë nga ndjenjat e pashmangshme të lëndueshmërisë që e përkufizojnë ekzistencën njerëzore.

 

Gjumë i shëndetshëm & Ëndërra të bukura

Ekspertët e gjumit rrëfejnë se si përrallat para gjumit mund t’i ndihmojnë si prindërit ashtu edhe fëmijët të flejnë më mirë. Kjo është shumë e lehtë për ta kuptuar. Tonet e dashura të zërit të prindërit mund të krijojnë asocime të fuqishme me gjumin – duke e ngadalësuar trurin – dhe duke e ndihmuar fëmijën të qetësohet. Kur të vegjëlit tanë hynë në gjumë të thellë pas përrallës, truri vazhdon të “luajë me” informacionet e reja – duke i ngulitur ndjenjat, imazhet dhe modelet e përrallës që ka dëgjuar. Me fjalë të tjera, nënvetëdija vazhdon ta bëjë magjinë e saj përderisa fëmija fle, duke shtruar themelet për të hyrë në ditën e nesërme me pozitivitet.

 

Ngjallja e imagjinatës

Përrallat para gjumit janë një nga mënyrat më të mira për ta stimuluar imagjinatën e fëmijës. Studimet tregojnë se leximi i një përralle është krejtësisht i ndryshëm nga shikimi i një filmi. Dëgjimi i përrallës kërkon më shumë pjesëmarrje aktive sepse duhet që truri të vizualizojë atë që ndodh dhe të mendojë se çfarë zgjedhjesh do të bënte nëse do të ishte në vend të personazhit. Këto ide të reja i frymëzojnë fëmijët tanë të imagjinojnë realitete dhe identitete të reja për ta. Përrallat e tyre të parapëlqyera fillojnë në mënyrë pozitive ta formësojnë historinë e tyre të jetës.

 

Lidhja & Empatia

Ashtu siç përrallat i ndihmojnë fëmijët tanë të krijojnë ndjenjën e unit, ato i ndihmojnë edhe të zhvillojnë empati ndaj të tjerëve. Të vegjëlit tanë gjejnë prehje kur lidhen me një personazh të përrallës që po përjeton diçka të ngjashme. Përrallat mund t’i ndihmojnë fëmijët tanë të gjejnë guximin të përballen me gjëra që janë dukur shumë larg përvojave të tyre. Për fëmijë në rrethana të pasigurta (si divorci apo humbja e një anëtari të familjes), një përrallë para gjumit mund t’u ndihmojë të fillojnë ta formësojnë një realitet të ri. Forma më e çmuar e lidhjes që mundësojnë përrallat para gjumit është lidhja mes prindit dhe fëmijës – një nga indikatorët më të fuqishëm të suksesit dhe lumturisë në jetën e fëmijëve.

Gjumë të ëmbël për të vegjëlit tuaj!

Burimi: supergrate.net

/komuniteti