Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Sekreti i rritjes së fëmijëve krijues

18.10.2016 - Libra, arte, kurse sportive, iPad-e janë disa nga elementët që ofrojnë prindërit për të zbavitur dhe për të edukuar fëmijët e tyre, por çfarë ndodh nëse fëmijët lejohen të mërziten herë pas here? Si ndikon kjo në zhvillimin e tyre?

Sipas studimeve të kryera që në vitet 1980 në Kanada, fëmijët që ndiqnin televizorin kishin një imagjinatë dhe aftësi të menduari shumë më të ulët se fëmijët që nuk shikonin shumë televizor. Imagjinata është një aftësi shumë e rëndësishme sepse ajo rrit individin dhe ndërton empatinë dhe dëshirën për të krijuar ndryshim. Në fakt, kur fëmijët mërziten (po ashtu edhe të rriturit tashmë), kur nuk kanë çfarë të bëjnë, ata i kthehen televizorit apo pajisjeve të tjera dixhitale.

Nga intervistat e shumta që kanë dhënë profësionistë krijues me emër, mërzia ka qënë faktor shumë i rëndësishëm që ka ndihmuar në krijimitarinë e tyre. Shumë shkrimtarë dhe shkencëtarë kanë treguar se pasioni i tyre ka çelur në fëmijëri, në një moment mërzie, kur ata nuk kishin çfarë të bënin.

Sporti , muzika dhe aktivitete të tjera të organizuara janë sigurisht në dobi të zhvillimit fizik, kulturor dhe social të fëmijës, por fëmijët po ashtu kanë nevojë për kohë vetëm me veten e tyre në mënyrë që të kalojnë nga bombardimi i botës së jashtme në ëndërrime, në ndjekje të mendimeve dhe aktiviteteve të tyre dhe në zbulim të talenteve dhe interesave të tyre personale.

Nuk është e thënë se duhet të kesh me patjetër një dell talenti apo intelekti për të përfituar nga mërzia. Për një funksionim dhe mirëqënje mendore është me shumë rëndësi që mendja të lejohet të endet herë pas here. Ndaj është e rëndësishme që të mësoni fëmijët tuaj të shijojnë momentin kur vijnë rrotull kot dhe jo të rriten duke pritur gjithë kohës organizime dhe dëfrime nga të tjerët.

Shumica e prindërve bien dakord se duan të rritin fëmijë të zotë që mund të ndërmarin iniciativa dhe të mendojnë për veten, por t’ua mbushësh ditën plot me aktivitete nuk u mëson atyre gjë tjetër përveçse varësisë ndaj stimujve të jashtëm. Në fakt këtu nxjerrim ca mësime dhe ne të rriturit; t’i fikësh të gjitha pajisjet, të rrish pa bërë asnjë gjë, dhe ta lesh mendjen të endet është diçka që të gjithë ne të rriturit duhet ta praktikojmë.

Përgatiti: Elona Çeço

Arieta D (8 vite më parë)
Interesant

/komuniteti