Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Shënohet "Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit"

Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit

01.10.2011 - Me një marshim simbolik në këmbë prej Hotelit Grand deri te Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, në të cilin ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusar-Lila, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, UNICEF-it, OBSH-së, Kryqit të Kuq të Kosovës dhe një numër qytetarësh- ka filluar të shtunën shënimi i “Javës së të ushqyerit me qumësht të gjirit në Kosovë”.

Shënimi i kësaj jave që do të zgjasë nga 1 – 7 tetor dhe është organizim i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, “Kosovo Health Foundation” dhe Kryqit të Kuq i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Motoja e këtij viti është: “Ushqejeni të ardhmen”, ndërsa aktivitetet fokusohen në rëndësinë e të ushqyerit me qumësht të gjirit për zhvillimin e mirë fizik, emocional dhe psikologjik të foshnjës.

Në hapje të kësaj jave me aktivitete u theksua se ajo ka për qëllim të promovojë krijimin e praktikave të mira të ushqyerit me qumësht të gjirit dhe ngritjen e vetëdijes së punëtorëve shëndetësor, shtatzënave, nënave dhe popullatës në Kosovën për rëndësinë e të ushqyerit me qumësht të gjirit, ndërsa zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, e cila para një muaji ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, ka inkurajuar të gjitha gratë e reja në Kosovë që të ushqejnë me qumësht të gjirit fëmijët e tyre, ndërsa bashkëshortet t’i përkrahin ato.

Laura Fragiacomo nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, tha se “të ushqyerit me qumësht të gjirit është mënyra më e mirë për t’iu ofruar të porsalindurve përbërësit e nevojshëm ushqimor për rritje dhe zhvillim të shëndoshë”, dhe shtoi se “foshnjat të cilat nuk ushqehen me qumësht të gjirit janë më të rrezikuara ndaj sëmundjeve të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tyre dhe rrisin rrezikun për vdekje dhe paaftësi”.

Dr. Merita Vuthaj, udhëheqëse e Zyrës për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në MSH tha se kjo ministri i kushton vëmendje të veçantë shëndetit të nënave dhe foshnjave, prandaj, ka theksuar ajo, miratimi i Strategjisë për Shëndetin e Nënës, Fëmijëve, Adoleshentëve dhe Shëndetin riprodhues, krahas certifikimit të 21 materniteteve nga MSH si institucione “Mike të foshnjës”, janë argument se fillimi i shëndetshëm i jetës trajtohet si prioritet i rëndësisë së veçantë nga ministria.

Edhe pjesëmarrës dhe folës të tjerë në këtë fillim të javës theksuan rëndësinë e ushqimit të foshnjave më qumësht të gjirit të nënës, ndërkohë që pas aktiviteteve një javore, “Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit në Kosovë” do të përmbyllet më 7 tetor me vizitën e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, Shefit të Zyrës së UNICEF-it në repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin e Mitrovicës në pjesën jugore./telegrafi/

/komuniteti