Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Si t’iu flasim fëmijëve për peshën e tyre trupore?

01.10.2015 - Pesha trupore është një temë delikate ndaj rreziku për të nxitur komplekset e trupit tek fëmija është i lartë kur diskutohen këto çështje.

Një studim i ri tregon se më shumë se gjysma e vajzave dhe më shumë se 1/3 e djemve të moshës 6-8 vjeçare mendojnë se duhet të ishin më të dobët për të pasur një peshë idelae. Po ashtu shqetësues është fakti se ky studim nxorri se deri në moshën 7 vjeçare, 1 në 4 fëmijë ishte përfshirë në ndonjë lloj diete. Çfarë duhet të bëjmë apo të mos bëjmë?

Bëj: Fokusohuni tek shëndeti i fëmijës më shumë se tek pesha e tij

Në vend që të diskutoni përmasat e tij trupore, diskutoni më mirë për mënyrën e tij të jetesës, aktivitetet e ditës dhe mënyrën e ngrënjes. Fokusi duhet të jetë tek shëndeti dhe jo tek pamja e jashtme.

Mos e bëj: Injorimin e ndjenjave të fëmijës

Fëmijët kanë mendimet dhe ndjenjat e tyre ndaj dëgjojini me vëmendje ata dhe më pas përdorni mendimet e tyre për të udhëhequr bisedën.

Mos e bëj: Lejimin e të folurit negativ

Fëmijët mësojnë nga modeli ndaj ju duhet të jeni të parët që ndaloni të folurin negativ duke mos bërë më komente për pjesët e trupit tuaj që nuk ju pëlqejnë. Fokusohuni tek pozitivja.

Bëj: Trego shembullin tënd

Tregojini fëmijës me shembullin tuaj ushqyerjen e shëndetshme dhe stilin aktiv të të jetuarit. Në vend që t’i tregoni çfarë nuk duhet të bëjë, tregojini më mirë çfarë duhet të bëjë.

Mos e bëj: Pritjen që ata ta zgjidhin vetë situatën

Të vendosësh një stil të shëndetshëm jetese kërkon angazhimin e gjithë familjes dhe përdorimin e fjalive me “ne” në vend të atyre me “ti”.

Bëj: Jepu fëmijëve mjetet për tu bërë dhe për të qëndruar i shëndetshëm

Merri fëmijët me vete gjatë pazarit në mënyrë që ata të përzgjedhin me ju ushqimet e shëndetshme. Përfshirja e fëmijëve në gatim i ndihmon ata të vlerësojnë burimin e ushqimit, u mëson masën dhe iu jep një ndjesi kontrolli mbi produktet që ata vendosin të hanë. Kështu do të jenë më të prirur të bëjnë zgjedhje pozitive./nga Elona Çeço/

/komuniteti